1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raùl Castro shpall largimin më 2018

Martin Polansky/ Auron Dodi26 Shkurt 2013

Në Kubë po përvijohet një ndërrim brezash në krye të shtetit: Raul Castro do të qendrojë deri më 2018 si kryetar shteti. Pastaj epoka e Kastrove merr fund përgjithmonë. 52 vjeçari Miguel Diaz-Canel pritet të pasojë.

https://p.dw.com/p/17lck
Raul Castro dhe Miguel Diaz Canel në parlament, 24.02.2013
Raul Castro dhe Miguel Diaz Canel në parlamentFotografi: Reuters

Në vështrim të parë gjithçka ishte si në kohët e vjetra në Asamblenë Kombëtare të Kubës. Udhëheqësi i revolucionit, Fidel Castro, pati ardhur në mbledhjen konstituese të parlamentit. 86 vjeçari qëndronte ulur në krah të vëllait të tij pesë vjet më të ri, Raul, i cili është që prej vitit 2008 zyrtarisht president i Kubës. Dhe ashtu siç pritej, Raulin e zgjodhën edhe për pesë vite të tjera në post. Por fjala e tij para deputetëve solli megjithatë një surprizë:

"Ne propozojmë që kushtetutën ta ndryshojmë në atë drejtim, që pozicionet drejtuese në shtet dhe në qeveri të kufizohen në dy periudha prej pesë vjetësh. Dhe për rastin tim, unë dua të deklaroj këtu, se kjo do të jetë periudha ime e fundit në post."

Me fjalë të tjera: kryetari i shtetit i Kubës do ta lirojë në vitin 2018 postin e tij. Fundi i shpallur i epokës së Castrove. Që prej revolucionit të vitit 1959 e drejtojnë ata shtetin socialist, në fillim për dekada të tëra Fideli dhe pastaj Rauli, i cili e mori postin prej të vëllait të tij të sëmurë.

Garda e vjetër e revolucionarëve e pati shtyrë për një kohë të gjatë ndërrimin e brezave - tani ky ndërrim duket i parashikueshëm. Kjo është e dukshme edhe në mënyrën e kompozimit të Këshillit të ri të Shtetit të Kubës. Zëvendëspresident i ri i parë tani është 52 vjeçari Miguel Diaz-Canel. Diaz Canel konsiderohet si person i besuar i Raul Castros. Ai duket se tani ka shanse të mira që të bëhet kryetari i ri i shtetit. Në vitin 2018 - ose edhe më parë, nëse Raul Castro nuk do ta ushtrojë deri në fund postin e tij.

Fidel Castro dhe Raul Castro në parlament, 24.02.2013
Fidel Castro dhe Raul Castro në parlament, 24.02.2013Fotografi: picture alliance/AP Photo

Por në fjalimin e tij, Raul Castro megjithatë e bëri të qartë: Kuba do t'i përmbahet socializmit. Reforma të forta politike nuk duken. Edhe nëse në radhët e para vijnë më të rinj. Megjithatë, Raul Castroja ka nisur reforma të kujdesshme ekonomike. Qindra mijëra kubanë punojnë tani jashtë sektorit shtetëror, tregtia me automjete të reja dhe me banesa u lejua. Me më shumë treg synohet të kapërcehet kriza ekonomike e shtetit socialist. Por e pazëvendësueshme është edhe ndihma e aleatit socialist Venezuelë, që e përcjell në Kubë një pjesë të pasurisë së saj në naftë. Raul Castro theksoi edhe rolin e veçantë të kryetarit të shtetit të Venezuelës, Hugo Chavez, i cili është i sëmurë rëndë nga kanceri:

"Presidentit Hugo Chavez një përqafim vëllazëror dhe urimet më të mira për shërimin e tij. Ne theksojmë gjithë solidaritetin tonë me popullin e Venezuelës dhe me udhëheqjen e tij politike."

Kuba në tranzicion. Ndërrimi i brezave është i pashmangshëm. Dhe Raul Castro i përmbahet kursit të ndjekur deri tani. Hap pas hapi do të bëhen punët. Në mënyrë që socializmi të mbijetojë edhe fundin e epokës së Castrove.