1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pas fjalimit të Martin Schulz në Knesset

Eliana Xhani13 Shkurt 2014

Pas situatës së pakëndshme që u krijua në Parlamentin e Izraelit, Knesset, gjatë fjalimit të Presidentit të Parlamentit Evropian Martin Schulz, pati reagime të shumta nga politika dhe shtypi.

https://p.dw.com/p/1B83H
EU-Parlamentspräsident Martin Schulz in der Knesset
Fotografi: picture-alliance/dpa/Knesset Spokesman Office/Handout

Gjatë fjalimit të Presidentit të Parlamentit Evropian në Knesset të mërkurën (12.02.), deputetë të partisë "Shtëpia Hebreje", u larguan nga salla në mes të fjalimit duke sharë. Ata thirrën "turp" kur Schulz kritikoi ndërtimin e ngulimeve të reja hebreje në territoret palestineze dhe "bojkotin" e Rripit të Gazës si dhe çështjen e shfrytëzimit të ujit, ku sipas informacioneve të tij palestinezët kanë trajtim të disfavorshëm.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e akuzoi europarlamentarin për qëndrim të njëanshëm në konfliktin në Lindjen e Afërt. Schulz i paraqet të parëndësishme kërcënimet me të cilat përballet Izraeli, dhe "ashtu si shumë evropianë bie pre e një perceptimi selektiv" tha Netanjahu në Knesset.

Ministri izraelit i Ekonomisë Naftali Bennet kërkoi madje më vonë që Schulz të kërkonte falje për kritikën e shprehur në Knesset.

Kritika edhe nga europarlamentarë

Politikani gjerman për shkak të fjalimit të tij në Knesset, mori kritika edhe nga radhët e europarlamentarëve. Schulz nuk mund të "luajë rolin e shamataxhiut në politikën ndërkombëtare", deklaroi eurodeputeti kristiandemokrat Herbert Reul (CDU) të enjten (13.02.). Forca ndërkombëtare e BE-së është diplomacia e saj, për këtë arsye ai shihet në gjithë botën si një partner i besueshëm dhe objektiv. Edhe Schulz si përfaqësuesi më i lartë i tij duhet të jetë në lartësinë e këtij vlerësimi, tha politikani gjerman Reul.

Vetë Schulz u mbrojt ndaj kritikës së deputetëve të djathtë."Unë u habita dhe u preka nga reagimi i ashpër pasi mbajta një fjalim proizraelit", tha Schulz. "Njerëzit të cilët u shqetësuan nga fjalimi im, i përkasin një partie të vijës së ashpër, e cila i përgjigjet në këtë mënyrë çdo kritike. Në të njëjtën mënyrë u sulmua edhe ministri i Jashtëm i SHBA-së John Kerry", tha më tej Schulz.

EU-Parlamentspräsident Martin Schulz in der Knesset
Salla plenare e parlametnit izraelit KnessetFotografi: Imago

Schulz i referohet pozicionit të BE-së

"Në Knesset unë isha i detyruar të paraqisja pozicionin e Parlamentit Evropian. Natyrisht unë nuk mund të them vetëm gjëra që u pëlqejnë të gjithëve. Më duhet të paraqes edhe gjëra që bartin konflikt", i tha Schulz gazetës "Welt" të mërkurën (12.02.).

Ish-ambasadori i Izraelit në Gjermani, Avi Primor, e mori në mbrojtje Presidentin e Parlamentit Evropian. Schulz mbajti të mërkurën "një fjalim shumë të bukur, shumë të mirë", tha Primor të enjten (13.02.) për radion Deutschlandfunk. Që Schulz i kritikoi izraelitët se përdorin më shumë ujë se palestinezët, duke marrë për bazë shifra të paverifikuara, ka qenë vetëm "një gabim teknik", tha Primor. Sulmet kundër Martin Schulz kanë të bëjnë me faktin që "ekstremistët e djathtë izraelitë, kolonët dhe partitë e kolonëve dhe ato fetare në Izrael i tremben evropianëve", pasi BE-ja kërkon një zgjidhje me dy shtete dhe mund të ushtrojë trysni ekonomike për arritjen e kësaj zgjidhjeje.

Shtypi gjerman kritikon tonin e gabuar nga Schulz

Shtypi gjerman e komentoi fjalimin e europarlamentarit socialdemokrat, si mosnjohje e realitetit nga ana e tij dhe mungesë diplomacie. Në përgjithësi Schulz u përpoq të mbante një fjalim të ekuilibruar, shkruan "Welt", por më pas ra viktimë e mungesës së informacioneve dhe ngathtësisë së vet. Që përpara fjalimit ai i kishte kritikuar izraelitët se reagojnë me ndjeshmëri të tepruar ndaj kritikave të Evropës. (...) Schulz nuk ishte i vetëdijshëm që çështja e ujit, e përmendur prej tij është së pari e ndërlikuar dhe së dyti pjesë e një propagande antiizraelite, shkruan më tej "Die Welt".

Ndërsa "Osnabrücker Neuer Zeitung" vë në dukje se fjalimi i një politikani gjerman përpara Parlamentit izraelit është vërtet një nder por njëkohësisht edhe një sfidë e madhe. Duke pasur parasysh Holokaustin, oratorit i duhet të gjejë tonin e përshtatshëm dhe në Knesset të mbajë parasysh jo vetëm përgjegjësinë historike të Gjermanisë por edhe kërcënimin e ekzistencës së shtetit të Izraelit. Megjithatë një mysafiri duhet t'i lejohet edhe të shprehë kritikë të hapur ndaj politikës së Izraelit, por me sensin e masës. (...) Schulz duhet të pyesë veten nëse gjeti tonin e duhur në Jeruzalem. Një gjuhë më diplomatike do të kishte qenë më e përshtatshme në Knesset, shkruan "Osnabrücker Neuer Zeitung".