1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reeker: SHBA të vendosura në luftën kundër korrupsionit

30 Qershor 2021

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ambasadori Philip T. Reeker, viziton Tiranën.

https://p.dw.com/p/3vqJE
Georgien Tiflis | US-Außenminister Mike Pompeo bei Premierminister Giorgi Gakharia und Außenminister David Zalkaliani
Fotografi: Patrick Semansky/AP Photo/picture alliance

Sipas njoftimit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit "u takua me Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, disa anëtarë plotësisht të verifikuar të sistemit të drejtësisë  dhe drejtues të tjerë”.

Lufta kundër korrupsionit

Në të gjitha takimet Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA - Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, qëkur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste në favor të demokracisë dhe nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken, se lufta kundër korrupsionit, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për SHBA-së, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Albanien Tirana | Besuch Philip T. Reeker, USA | mit Edi Rama, Premierminister
Philip T. Reeker dhe Edi RamaFotografi: Press Office USA EMBASSY, Tirana

Pesë javë më parë, më 19 maj sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, njoftoi vendimin për ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, si "person i padëshëruar” të ish- kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij "për përfshirje në korrupsion domethënës”. Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha ky vendim është  "i pabazuar në fakte dhe prova".

Transparencë e plotë

Lideri i PD, Lulzim Basha, me të cilin Philip T. Reeker zhvilloi bisedime në Tiranë u shpreh për "transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim” por nuk u distancua prej liderit historik të PD, Berisha, gjë që sipas analistëve politikë të pavarur të Tiranës mund të ndikojë jo pozitivisht në fatin politik të PD-së, partisë më të madhes në opozitë në Shqipëri, pas zgjedhjes së tij kryetar i saj për herë të tretë, por edhe humbjes radhazi të tri zgjedhjeve parlamentare.

Albanien Tirana | Besuch Philip T. Reeker, USA | mit Lulzim Basha, Opposition
Philip T. Reeker dhe Lulzim BashaFotografi: Press Office USA EMBASSY, Tirana

Gjatë vizitës disa orëshe në Tiranë zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit nuk zhvilloi takim me Presidentin Meta, i cili e ka quajtur vendimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, ndaj ish-kryeministrit Berisha "një fletërrufe, akt të shëmtuar, të poshtër e të pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”.

Parlamenti votoi në fillim të këtij muaji pro shkarkimit të presidentin Meta "për shkelje të rënda të Kushtetutës duke nxitur dhunë dhe u mbështetur në partitë opozitare dhe cënimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë” duke nënkuptuar marrdhëniet e Shqipërisë me SHBA.

"DEFENDER Europe 21”- roli i Shqipërisë në nivel rajonal dhe global.

Temë tjetër e bisedimeve ishte roli i Shqipërisë si vend pritës i stërvitjes ushtarake DEFENDER Europe 21. Sipas njoftimit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shteti përgëzoi drejtuesit e Shqipërisë dhe tha se kjo stërvitje ushatarake nxori në pah "rolin strategjik të Shqipërisë në rajon”.

NATO-Manöver Steadfast Defender 21 in Rumänien
Fotografi: NATO

Ai e përgëzoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe në skenën globale, pasi së fundi Shqipëria zuri një vend si anëtare e përkohjëshme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Philip T. Reeker përsëriti në Tiranë mbështetjen e fortë të SHBA për reformat brenda sistemit të drejtësisë dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe vuri në dukje që përparimet në këto çështje do të promovojnë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri, vijimin e rrugës së saj drejt pranimit në BE. Në funksion të kësaj mbështetjeje ai zhvilloi edhe një takm me gjyqtarë dhe prokurorë, që kanë kaluar vetting-un.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana