Reflektimi i protestave në botën arabe tek palestinezët
9 Qershor 20115 qershor, rajoni i okupuar prej Izraelit në Malin e Golanit. Nga territori i Sirisë afrohen grupe njerëzish. Në duar mbajnë flamuj palestinezë dhe brohorasin parulla. Përpiqen të kalojnë barrierat në kufi. Forcat izraelite qëllojnë së pari me gaz lotsjellës, pastaj me plumba gome dhe në fund me plumba të vërtetë. Më shumë se 20 sirianë mbeten të vdekur. Zëdhënësi i qeverisë izraelite Mark Regev duket i mllefosur: „Ky është një provokim i qartë, s'di si ta quaj ndryshe. Ju thoni që nuk duhet të jemi këtu. Okay, ju mund të keni mendimin tuaj politik, por nuk keni të drejtë të sulmoni rojet tona kufitare. A do ta lejonte këtë një vend tjetër?“
Sinjali i demonstruesve palestinezë
Demonstruesit palestinezë duan të dërgojnë një sinjal: ata nuk janë më të gatshëm të pranojnë prapambetjen politike. Kërkojnë më shumë të drejta dhe kthimin e vendlindjes, nga e cila prindërit dhe gjyshërit e tyre janë dëbuar me dhunë prej vitit 1948.
Protestat janë të motivuara edhe nga lëvizjet në vendet e tjera arabe. Në Tunizi, Egjipt, Jemen, Siri dhe vende të tjera njerëzit kërkojnë më shumë demokraci dhe reforma. Të njëjtat gjëra kërkojnë edhe palestinezët.
Por revolucionet arabe i duken Izraelit të rrezikshme. Ai ka frikë nga rritja e ekstremizmit tek vëllezërit arabë. Ky është edhe shkaku pse Hosni Mubaraku është mbështetur deri në fund. Ai konsiderohej si garant për stabilitet në jug të vendit. Në veri Izraeli mund të ketë mbështetjen e presidetit të Sirisë Bashar al Assad. Ai sikur edhe babai i tij Hafez al Assad, angazhohet për ruajtjen e status quosë. Tani qetësia është tronditur. Demonstruesit kanë mbështetjen edhe të Damaskut, mendon historiani dhe eksperti për Lindjen e Mesme Eli Podeh.
„Interesi i qeverisë siriane është që të hedhë vajguri në zjarr. Pa dyshim që revolucionet e kanë ifnluencuar gjendjen edhe në këtë rast. Qeveria e Sirisë është e interesuar edhe për zhvillimet në vendet tjera", thotë ai.
Reflektimi i protestave në trojet palestineze
Demonstratat dhe rënia e diktatorëve në Siri dhe Jemen nuk kanë mbërritur ende në Ramallah dhe Gazë. Në qytetet palestineze ka pasur deri tani vetëm demonstrata të vogla, që janë shuar shpejt prej regjimit të Hamasit. Por kjo mund të ndryshojë, mendon Podeh.
„Ne duhet të kuptojmë që dëshira për ndryshime atje nuk ka të bëjë me pushtetin e Mahmoud Abbasit apo Hamasit, por do të drejtohet kundër okupimit. Kjo mund t'i nxjerrë njerëzit në rrugë në mënyrë masive. Demonstratat e mëdha janë pasojë e frustrimit dhe dëshprimit. Në botën arabe ato janë të drejtuara kundër regjimeve të tyre. Ndërsa palestinezët janë të frustruar dhe dëshpruar për shkak të okupimit, dhe kjo do t'i nxjerrë në rrugë", pohon ai.
Ekspertët sugjerojnë që Izraeli të nisë vet procesin politik me palestinezët, në qoftë se do të evitojë intifadën e tretë.
Autor: Bettina Marx / Bahri Cani
Redaktoi: Elert Ajazaj