1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët e zhdukur

Dagmar Breitenbach/Christoph Hasselbach5 Nëntor 2015

Kohët e fundit kanë ndodhur shumë raste që refugjatët të zhduken pa asnjë gjurmë. Ata kanë ardhur në Gjermani dhe janë vendosur në vendstrehime, por shumë shpejt kanë ikur. Nuk dihet në ç'drejtim.

https://p.dw.com/p/1GzVC
Refugjatët
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nuk është kjo hera e parë që ndonjë refugjat të humb pa gjurmë nga ndonjë qendër në Gjermani. Por në Saksoni të Poshtme është shtuar shumë numri i të zhdukurve. Gazeta "Neuen Osnabrücker Zeitung" njofton se në ditët e kaluara në Saksoni të Poshtme janë zhdukur 700 nga 4000 refugjatët e vendosur përkohësisht në vendvendosjet emergjente. Shumë prej tyre nuk janë regjistruar fare, që është edhe hapi i parë i domosdoshëm për nisjen e procesit të azilit. Autoritetet nuk e dinë fare se ku janë dhe në ç'drejtim kanë shkuar këta persona. Numri i të zhdukurve pa gjurmë në Saksoni të Poshtme është ndoshta më i lartë se mesatarja, por lajme të ngjashme ka ndërkohë nga të gjitha anët e Gjermanisë.

Kjo nuk është e ndaluar. Refugjatët kanë "parimisht të drejtën që të lëvizin të lirë dhe të largohen nga venstrehimet", thotë Matthias Eichler, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme në Saksoninë e Poshtme. Ndaj autoritetet nuk mund të thonë qartë se "sa njerëz janë larguar vullnetarisht."

Por ky është një aspekt i ri në çështjen e refugjatëve. Zhdukja nga vendstrehimet është një dëshmi tjetër se "shteti e ka humbur kontrollin", paralajmëron Jochen Oltmer, ekspert për çështje të migracionit. Ministri i Brendshëm federal, Thomas de Maizière, është ankuar muajin e kaluar se disa refugjatë besojnë se mund të shkojnë nga të duan: "Ata dalin nga vendstrehimet, marrin një taksi, çuditërisht kanë shumë para me vete dhe udhëtojnë me qindra kilometra nëpër Gjermani", u shpreh i mllefosur de Maizière, në një deklaratë për ZDF. Numri i madh i refugjatëve të paregjistruar paraqet një problem serioz, pohon Ministria e Brendshme.

Refugjatët
Refugjatët në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa/P. von Ditfurth

Sipas rregullave, azilkërkuesit në Gjermani duhet të lajmërohen tek autoritetet, menjëherë pas futjes në tokën gjermane. Por në praktikë gjendja duket ndryshe. Prej javësh çdo ditë në Gjermani futen me mijëra refugjatë që nuk janë regjistruar fare. Autoritetet janë të stërngarkuara me këtë problem.

Pa asnjë lajm

"Refugjatët nuk na lënë asnjë lajm se ku janë, ku kanë shkuar dhe pse kanë shkuar", thotë Oltmer. Për shkaqet e lëvizjes ka vetëm spekulime. Refugjatët e zhdukur ndoshta nuk duan të mbeten në vendstrehimet e ofruara. Ndoshta shkojnë atje ku kanë miq në Gjermani, apo në rajonet që ju duken më atraktive. Ndoshta shkojnë edhe në ndonjë vend tjetër, si në Skandinavi për shembull.

"Nuk ka asnjë bazë juridike me të cilën i ndalohet refugjatit të largohet nga vendstrehimi", thotë Edith Avram, nga Zyra për Migracion dhe Refugjatë. Ndaj ata nuk pengohen nga bashkëpunëtorët në vendstrehime.

Refugjatët
Refugjatët largohen pa u lajmëruar fareFotografi: picture-alliance/dpa/S. Pförtner

Eksperti Oltmer konteston sistemin gjerman të shpërndarjes së refugjatëve, sepse ai pengon integrimin dhe rrjetizimin e tyre. Tek e fundit, sipas Oltmer, rrjetet e refugjatëve janë shumë të rëndësishme. Ata kanë miq dhe shokë që jetojnë prej kohësh këtu dhe mund t'u ndihmojnë në kontaktet me autoritetet, ju ndihmojnë të gjejnë veten më shpejt në Gjermani. Jochen Oltmer nuk mendon se zhdukja e njerëzve është një problem serioz për sigurinë, sepse shumica prej tyre nuk duan me vetëdije të ikin nga regjistrimi.

Integrimi më i lehtë

Disa refugjatë ndoshta nuk e dinë fare se ku saktësisht gjenden në Gjermani. Shumë prej tyre nuk e kanë ditur se ku janë vendosur, thotë një zëdhënës i qytetit Delmenhorst. Ndaj autoritetet është dashur t'u tregojnë në hartë se ku janë, në mënyrë që refugjatët të orientohen më lehtë. Por ata të cilët vullnetarisht largohen nga venstrehimet pa u paraqitur tek autoritetet dhe kapen nga policia, mund të trajtohen si persona që janë futur ilegalisht dhe i tërë procesi i regjistrimit duhet të fillojë nga e para. Ndaj eksperti Oltmer pohon se regjistrimi është në interesin e të gjithëve. Shteti e ka nën kontroll gjendjen, refugjatët e kanë më të qartë statusin e tyre, ndërsa autoritetet e kanë më të lehtë të bëjnë planifikime.