1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090112 Merkel Sarkozy Berlin

9 Janar 2012

Këtë të hënë takohen për bisedime në Berlin kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy. Së bashku ata do të pregatisin samitin e posaçëm të BE-së, i cili zhvillohet në fund të janarit.

https://p.dw.com/p/13gLS
Gati për 2012? Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy
Gati për 2012? Angela Merkel dhe Nicolas SarkozyFotografi: picture-alliance/dpa

Merkel dhe Sarkozy patën një pushim të shkurtër shplodhës në kalimin e viteve: euro e mori disi veten gjatë ditëve të pushimit, tregjet u qetësuan paksa dhe Franca mori papritur notën më të mirë të agjencive të vlerësimit të riskut, AAA. Por tani fillon puna e vërtetë: Në takimin Merkel-Sarkozy tema të rëndësishme janë ndihmat miliardëshe për Greqinë si dhe financimi i ombrellës së ardhshme të shpëtimit ESM, e cila do të fillojë të funksionojë në mes të këtij viti. Por Sarkozy sjell edhe një tjetër temë me vete.

Surpriza e Sarkozy-së për takimin në Berlin

Takimi i parë në vitin e ri mes kancelares dhe presidentit pritet të mos jetë i lehtë. Pasi Sarkozy ka sjellë me vete një surprizë. Ministri i tij i Financave François Baroin e njeh përmbajtjen: "Meqenëse një pjesë e madhe e krizës është shkaktuar nga zhvillimet në industrinë e financave, ne mendojmë se një taksë mbi transaksionet financiare është një detyrim moral. Ne duam ta vëmë atë shpejt në zbatim. Sot ne e dimë se nuk duhet të humbasim kohë, për këtë arsye taksa do të zbatohet deri në fund të vitit."

Qeveria në Paris ushtron trysni. Deri në fund të muajit taksa duhet të miratohet në Francë, dhe të vihet në zbatim sa më shpejt. Presidenti Sarkozy theksoi se Franca nuk do të presë të tjerët. Tani ai do të përpiqet të bindë kancelaren Merkel për planet e tij. Franca do të jetë pararojë, tha këshilltari i presidentit Guaino. Nuk do të pritet më gjatë për vendimin. "Franca do të japë e para shembullin e mirë. Natyrisht është më mirë nëse Gjermania bashkohet me me. Por nëse ne do ta vendosim taksën vetëm, atëherë shpresojmë që të tjerët të pasojnë, e natyrisht në veçanti Gjermania."

Gjermania dëshëron qëndrim të harmonizuar

Berlini e ka refuzuar veprimin e njëanshëm gjermano-francez, edhe pse kancelarja Merkel në parim e mbështet taksën për transaksionet financiare. Ajo mbajti të njëjtin qëndrim si presidenti Sarkozy në BE dhe në G-20. Por Gjermania dëshëron një qëndrim të njësuar të shteteve të BE-së ose të paktën të vendeve të Eurozonës. Edhe Komisioni i BE-së u shpreh kundër veprimit të njëanshëm, njësoj si kryeministri italian Monti, i cili të premten e kaluar (6.1.) ishte për vizitë në Paris: "Kabineti im është i hapur për një taksë mbi transaksionet financiare. Kuptohet se është e rëndësishme që asnjë vend të mos vendosë me veprim të njëanshëm një taksë të tillë."

Kryeministri italian Mario Monti jo kundër transaksioneve, por kundër veprimeve të njëanshme
Kryeministri italian Mario Monti jo kundër transaksioneve, por kundër veprimeve të njëanshmeFotografi: dapd

Tema "taksë mbi transaksionet financiare" do të preokupojë më shumë sa pritet Merkelin dhe Sarkozy-në gjatë takimit në Berlin. Por edhe kriza e borxheve në BE do të jetë një temë e rëndësishme. Megjithë sinjalet e lehta pozitive në fund të vitit, mbi Europë janë mbledhur sërish re të zeza: Greqia ka vështirësi në reduktimin e borxhit, ekonomia në vende të goditura nga kriza si Spanja, vazhdon të shënojë rënie dhe optimizmi në bursa është i ulët. Dyshja Merkozy ka një axhendë të mbushur plot edhe gjatë vitit 2012.

Autor: Anne-Christine Heckmann / E. Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi