1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Grenell me delegacionin amerikan viziton Kosovën e Serbinë

Bekim Shehu
21 Shtator 2020

Delegacioni amerikan, pjesë e të cilit janë edhe zyrtarë të lartë të Koorporatës Ndërkombëtare të Financave të SHBA-së synon jetësimin e marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

https://p.dw.com/p/3imUb
US-Botschafter Richard Grenell im Weißen Haus
Fotografi: Getty Images/A. Wong

I ngarkuari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell, i shoqëruar nga 10 zyrtarë të lartë amerikanë të hënën në mbrëmje qëndron në Kosovë për të filluar siç thuhet "jetësimin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi”, e nënshkruar më 04.09 në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Delegacioni i lartë i SHBA-së, deri më 25 shtator udhëton edhe në Beograd, Athinë dhe Izrael, ka bërë të ditur ambasada amerikane në Kosovë. Ky delegacion kryesohet nga Adam Boehler, drejtor ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC). Pjesë e delegacionit është edhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Departamenti i Energjisë dhe Biznesit, të cilët do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës  dhe udhëheqës të sektorit privat.

USA will Sonderwirtschaftszone für Serbien und Kosovo
Marrëveshja u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtatorFotografi: picture-alliance/AP Photo/E. Vucci

Korporata Ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Financiar, njofton se do të hapë zyrën e saj të parë në rajon duke vendosur një prani të përhershme në Beograd që "do të lehtësojë zbatimin e projekteve me përparësi si Autostrada e Paqes, që do të mbështesin hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik në rajon”. "Çështjet të cilat do të diskutohen kryesisht kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal si dhe në Lindje të Mesme”, thuhet në një njoftim të DFC-së. Gjatë javës kjo korporatë dhe Banka për Eksport-Import, nënshkruan letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, për të ndihmuar financimin e Autostradës së Paqes, Nishë-Merdare, Kosovë-Serbi.

Përparësi zbatimi i marrëveshjes

I ngarkuari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell shkroi në twitter se "zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi është përparësi e administratës Trump”. Vizita e zyrtarëve të lartë amerikanë ndodh vetëm pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpine e Bardhë në Uashington, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, u arrit dakordimi që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Në këto investime të premtuara Adam Boehler, drejtori ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), kishte përmendur me theks të veçantë "autostradën e paqes”, duke thënë se "Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal, duke lidhur Nishin me Prishtinën. Kjo autostradë po ashtu, do të shërbejë si simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re dhe transformuese të këtyre dy vendeve fqinje”, ka thënë Adam Boelher. Nga Prishtina, delegacioni amerikan pritet të udhëtojë në Beograd.