Rrezik për paqen - Izraeli nuk ndryshon politikën e ngulimeve
29 Shtator 2011Izraeli hedh poshtë akuzat e kritikëve të tij dhe aleatëve se me vazhdimin e ndërtimit të ngulimeve të reja në pjesën lindore arabe të Jeruzalemit po saboton përpjekjet për paqen me palestinezët.
Vendimin për ndërtimin e 1.100 apartamenteve në zonën Gilo, të cilën Izraeli e konsideron si pjesë të kryeqytetit Jeruzalem, shteti izraelit e mori në pikun e përpjekjeve ndërkombëtare për riaktivizimin e procesit të paqes në Lindjen e Afërt. Gilo, nuk është një ngulim dhe as post i jashtëm, ka bërë të ditur një zëdhënës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu. Bëhet fjalë për një zonë banimi në qendër të Jeruzalemit, i cili në çdo plan paqeje të 18 viteve të fundit, është vendosur të jetë pjesë e kryeqytetit.
Izraeli: Palestinezët gjejnë preteskte të mos hyjnë në negociata
Kështu Izraeli argumenton se plani i ndërtimeve nuk bie ndesh me përpjekjet e qeverisë së tij për paqen mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete. Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Ron Prosor tha: "Jeruzalemi, nëse mund të them kështu, ishte kryeqyteti i hebrenjve, në një kohë kur Londra ishte moçal. Kështu çdo gjë është në tryezën e bisedimeve, çdo gjë është e negociueshme, por unë dëgjoj që palestinezët përdorin çdo lloj preteksti për të gjetur një argument që të mos hyjnë në negociata."
Presidenti palestinez Mahmud Abas ka vënë si kusht për fillimin e bisedimeve ndalimin e ndërtimeve në zonat e pushtuara. Ndërsa Izraeli kërkon fillimin e bisedimeve pa asnjë kusht.
Palestinezët: Ata nuk janë të interesuar të negociojnë me ne
Përfaqësuesi palestinez në Kombet e Bashkuara, Riad Mansur e kritikoi qëndrimin izraelit duke e quajtur atë një "veprim provokativ dhe ilegal": "Ata japin 1.100 përgjigje për t'i thënë "jo" komunitetit ndërkombëtar për të hapur rrugën e bisedimeve, dhe mendoj se kjo thotë qartë se ata nuk janë të interesuar të negociojnë me ne."
SHBA, vendet evropiane, po ashtu edhe shtetet arabe i tremben një komplikimi të ri të përpjekjeve ndërkombëtare për fillimin e bisedimeve të paqes të ngrira prej një viti. Ministri i Jashtëm egjiptian Mohamed Amr, pas një takimi me ministren e Jashtme amerikane, Hillary Clinton kritikoi politikën e ndërtimeve të Izraelit dhe kërkoi fillimin e bisedimeve të paqes me një plan të qartë kohor.
Kërkesa palestineze i dërgohet një komisioni të posaçëm
Ndërkohë kërkesa e palestinezëve për një shtet palestinez me kryeqytet Jeruzalemin lindor ka kaluar një pengesë tjetër. Këshilli i Sigurimit e mori në dorëzim kërkesën të mërkurën (27.09) por ia nisi atë menjëherë një komisioni të posaçëm. Përfaqësuesi palestinez në Kombet e Bashkuara, Riad Mansur megjithatë e përshëndeti këtë vendim.
Autor: dpa/Arapi
Redaktoi: Esat Ahmeti