Rripi i Gazës - Rrënoja dhe shkatërrime
15 Gusht 2014Gaza pas pesë javësh luftë. Njerëzit ngjiten mbi rrënoja dhe mundohen të hapin rrugën përmes tyre dhe copave të betonit. Ata janë në kërkim objekteve që mund t'i përdorin ende apo të kujtimeve. Çdo gjë është e mbuluar nga pluhuri që depërton në çdo palë veshjeje dhe i bën këpucët gri. Ngado vjen era kalbësirë, dhe duhma e kufomave të njerëzve dhe kadavrave të kafshëve që gjenden ende nën rrënojat.
Në Rripin e Gazës jetojnë 1,8 milionë vetë dhe kjo ka qenë një nga zonat më të varfëra, pa burime, një rrip mjerimi, në të cilin njerëzit jetojnë si të burgosur dhe të izoluar. Tani në disa vende duket sikur ndonjë tërmet ka shkatërruar çdo gjë edhe më tepër. Por kjo nuk është një fatkeqësi natyrore. Shkatërrimi është bërë nga njerëzit dhe është vënë në fuqi sikurse qe planifikuar, është i bindur Raji Sourani: "Ky është vëzhgimi ynë që nga dita e parë. Ne kemi arritur në përfundimin se këto ishin sulme të qëllimshme." Qëllimi ishte popullsia civile. Sourani është avokat dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ai është themelues i Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut dhe fitues i Çmimit Nobel alternativ.
Të plagosurit operohen mbi dysheme
Edhe në spitale gjendja është shumë e vështirë dhe nuk ka më vend. Në spitalin e Shifas mjekët u detyruan t'i operonin pacientën për tokë. Në këtë spital nuk ka vetëm të plagosur dhe të sëmurë por edhe refugjatë, që erdhën për të gjetur mbrojtje në oborrin e spitalit. Në oborr që ka vend për 250 vetë, tani jetojnë nëpër çadra 5.000-10.000 refugjatë.
Shumica e të plagosurve kanë plagë prej shpërthimeve apo ciflave të bombave dhe predhave. Ajo që të shokon më tepër është numri i madh i fëmijëve të plagosur. Shumë prej tyre i kanë humbur madje familjet. Gjatë ofensivës kanë gjetur vdekjen 448 fëmijë. Ndër ta edhe shumë bebe dhe fëmijë të vegjël.
Çdo dy ditë energji elektrike vetëm për tri orë
Problemi më i madh për mjekët dhe pacientët është mungesa e energjisë elektrike. Edhe pse Shifa dhe spitale të tjera kanë gjeneratorë, edhe ata nuk punojnë ndonjëherë dhe po ashtu edhe karburanti është shumë i shtrenjtë dhe i pakët. Në Rripit të Gazës furnizimi me energji elektrike qe i pakët edhe para ofensivës. Njerëzit zakonisht kishin vetëm disa orë energji elektrike në ditë. Ndërkohë situata është e tmerrshme. Praktikisht nuk ka më korenkt thotë Adel El Habash, drejtor i përgjithshëm i Korporatës Energjitike Palestineze. "Ne zakonisht e marrim energjinë nga tri burime: nga centrali ynë i energjisë, nga Izraeli dhe pak nga Egjipti" Izraeli e ka shkatërruar centralin tonë dhe na dërgon vetëm pak energji. Për momentin ne kemi çdo 48 orë tri orë energji elektrike", thotë El Habash.
Dramatike janë pasojat e mungesës së energjisë elektike edhe për furnizimin me ujë të pishëm dhe funksionimin e kanaleve të ujërave të zeza. Eksperti për ujin Rebhy El Sheikh thotë se ka probleme për thithjen e ujit nga burimi nëntokësor i kësaj zone, sepse nuk punojnë pompat. Po ashtu probleme ka edhe për shkak se uji po kontaminohet vazhdimisht. Sipas Rebhy El Sheikh nga vitit 2016 uji i burimit nënujor në Gazë nuk do të jenë më i pishëm.
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara më së voni nga viti 2020 Rripi i Gazës nuk do të jetë më i banueshëm. Për shumë njerëz që kanë arritur të mbijetojë prej luftës së javëve të fundit, kjo gjë po ndodh që sot.