1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia komunikon të dhënat mbi rezultatin e "referendumeve"

28 Shtator 2022

Pushtuesit rusë i kanë shpallur të përfunduara pseudoreferendumet në disa territore ukrainase. Kanë filluar të shpallen rezultatet e para të votimeve në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/4HQoZ
Ukrainekrieg | Scheinreferendum in Sewastopol, Krim
Fotografi: Alexey Pavlishak/REUTERS

Në të ashtuquajturat referendume në katër rajone të kontrollara nga Rusia në Ukrainë, sipas të dhënave të Komisionit rus të Zgjedhjeve, ka një miratim të qartë për një aneksim nga Moska. Të premten e kaluar (23.09) iu bë thirrje për votim edhe refugjatëve ukrainas në Rusi.

Pas numërimit të votave të para në qendrat e votimit në Rusi, sipas të dhënave ruse, 97 përqind e zgjedhësve nga territoret Luhansk, Donjeck, Kerson dhe Saporishshja kanë votuar për bashkimin e rajoneve të tyre me Rusinë. Numërimi në rajonet ukrainase vazhdon.

Në këtë mënyrë brenda kësaj jave mund të fillojë një valë e pashembullt aneksimi. Në mbarë botën nuk njihen të ashtuquajturat referendume, sepse ato janë zhvilluar duke shkelur ligjet ukrainase dhe ato ndërkombëtare dhe pa respektuar standardet minimale demokratike. Vëzhguesit gjatë ditëve të kaluara kanë tërhequr vëmendjen për shumë raste, në të cilat banorët ukrainas në territoret e pushtuara i kanë detyruar të dalin në votime.

Hapi tjetër që pritet të ndodhë është, që administrata pushtuese e vendosur nga Moska të paraqesë zyrtarisht kërkesën tek kreu i Kremlinit Vladimir Putin për pranimin e rajoneve të tyre në territorin shtetëror rus. Kremlini pati komunikuar, se kjo do të ndodhë shpejt. Putin përpara fillimit të të ashtuquajturve referendume pati theksuar, se pas kësaj këto territore do të jenë nën mbrojtjen e Rusisë si fuqi bërthamore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pas një bisede me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenksyj shkruajti në twitter: "Pseudoreferendumet e mbajtura nga Rusia nuk kanë legjitimitet dhe janë një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare. Këto territore i përkasin Ukrainës." Stoltenberg sërish bëri të qartë, se aleatët e NATO-s mbështesin pakufizim sovranitetin e Ukrainës dhe të drejtën e saj për vetëmbrojtje.

Koncerni i Facebookut Meta ka ndalur fushatën deri tani më të madhe ruse me informacione të rreme lidhur me luftën sulmuese ndaj Ukrainës. Përmes një rrjeti të përbërë nga qindra llogari janë përhapur artikuj të falsifikuar, që dukeshin sikur të ishin nga revista "Der Spiegel", gazeta "Bild-Zeitung" apo si gazeta britanike "The Guardian".

Në këto artikuj paralajmërohej prej refugjatëve ukrainas, deklaron Meta. Githashtu në këto artikuj pretendohej, se sanksionet ndaj Rusisë po dëmtojnë vetëm Perëndimin. Krahas Gjermanisë koncerni Meta shënjestroi përdorues edhe në Francë, Itali, Britani të Madhe dhe në Ukrainë. Bazuar në informacione të analizuara, Meta e konsideron të dëshmuar, që fushata është menaxhuar nga Rusia.

 

rb/jj/wa/fab (afp, ap, dpa, epd, kna, rtr)