Gjermani: Rriten fuqimisht kostot e jetesës dhe inflacioni
5 Korrik 2022Kancelari gjerman, Olaf Scholz u kërkoi qytetarëve që t‘i përballojnë së bashku problemet ekonomike të vendit, sepse inflacioni në ekonominë gjermane vazhdon të mbetet i lartë.
Në video podkastin e tij javor kancelari Scholz pranoi se rritja e çmimeve po shqetëson shumë qytetarë në Gjermani dhe u bëri thirrje qytetarëve të përkrahin dhe mbështesin njëri-tjetrin.
Sipas të dhënave të fundit çmimet në qershor u rritën me 7.6% krahasuar me një vit më parë, dhe Scholz tha se do të organizojë një takim ekspertësh për të trajtuar krizën e kostove të jetesës. Kancelari tha se për këtë takim ka ftuar sindikatat, punëdhënësit, përfaqësues të Bankës Qendrore (Bundesbank) dhe akademikë.
Rritje e përhershme pagash apo një shtesë vjetore
Ekonomistë dhe politikanë kanë hedhur ditët e fundit disa ide për të lehtësuar barrën e kostove mbi qytetarët.
Ministri i Punës, Hubertus Heil, hodhi idenë e pagimin të një shtese vjetore për beqarët që fitojnë më pak se 4,000 euro bruto në muaj dhe për të martuarit që fitojnë më pak se 8,000 euro së bashku.
Expertët e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) thanë se pagimi i njëhershme i një shtese vjetore ofron vetëm lehtësim të përkohshëm. "Vetëm paga më të larta dhe përfitime sociale mund të kompensojnë në mënyrë të qëndrueshme dëmin ndaj qytetarëve me të ardhura të mesme dhe të ulëta," tha presidenti i DIW, Marcel Fratzscher për agjencinë e lajmeve dpa.
Politikania social-demokrate, Saskia Esken, kërkoi rritjen e ndihmave dhe mbështetjes sociale në përshtatje me rritjen e inflacionit.
Përveç kësaj ajo kërkoi edhe një ngritje të ndjeshme dhe të përhershme të pagave, veçanërisht të pagave të ulëta.
Ekspertja ekonomike e partisë CDU, Julia Klöckner, bëri thirrje për uljen e përhershme të taksave, ndër të tjera ato mbi energjinë.
Inflacioni i lartë në Gjermani u përkeqësua nga pushtimi rus i Ukrainës. Kryeekonomisti i DekaBank, Ulrich Kater, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk mendon se çmimet do të ulen në një të ardhme të afërt. Kater tha se "deri në fund të vitit duhet të llogarisim me një rritje inflacioni deri në rreth 7%”.