Scholz kërkon reforma rrënjësore të BE
29 Gusht 2022Në Universitetin pothuajse 700-vjeçar të Pragës, kancelari Olaf Scholz foli për vetë bazat e Bashkimit Evropian dhe domosdoshmërinë e një riorganizimi të BE. Si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, BE-ja duhet të bëhet dukshëm më e fortë dhe më e pavarur ekonomikisht, tha kancelari gjerman. Një Evropë e bashkuar është halë në sy për presidentin rus, Vladimir Putin.
"Ne nuk po rrimë duarkryq dhe vetëm të shikojmë se si po vriten gra, burra dhe fëmijë, dhe si vendet e lira po fshihen nga harta apo zhduken pas mureve dhe perdeve të hekurta”, theksoi Scholz. "Prandaj ne mbështesim Ukrainën e sulmuar: ekonomikisht, financiarisht, politikisht, me mjete humanitare por edhe ushtarakisht." Kjo mbështetje do të vazhdojë "për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Në javët dhe muajt e ardhshëm, Ukraina do të marrë nga Gjermania sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe radarëve me vlerë mbi 600 milionë euro.
Zgjerimi i BE
Kancelari foli për një Evropë të përbërë nga 27, 30 ose 36 vende evropiane. "Unë jam i përkushtuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ku do të pranoheshin edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia e në të ardhmen edhe Gjeorgjia!" Për këtë, Bashkimi Evropian ka nevojë për rregulla të reja. "Rregullat evropiane mund të ndryshohen," tha kancelari. "Nëse arrijmë në përfundimin se traktatet duhet të ndryshohen në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara, atëherë ne duhet ta bëjmë këtë."
Scholz u shpreh pro vendimit për futjen graduale të marrjes së vendimeve me shumicë në politikën e jashtme të BE, por edhe në fusha të tjera si politika tatimore. "Respektimi i parimit të unanimitet funksionon vetëm për sa kohë që ka pak presion për të vepruar. Kjo nuk është më kështu, më së voni në pikën e kthesës", theksoi kancelari.
"Selia Evropiane"
Me nocionin "sovraniteti evropian", kreu i qeverisë gjermane promovoi heqjen dorë nga varësitë ekonomike dhe teknologjike si dhe një furnizim sa më autonom me energji. Si pasojë e luftës në Ukrainë, Scholz mbrojti edhe një politikë të përbashkët të mbrojtjes së BE-së. Për shembull, do të duhej të zhvillohen sisteme të përbashkëta të armëve, mbi të cilat të gjithë ushtarët e vendeve anëtare mund të trajnohen dhe të cilat mund të mirëmbahen më mirë.
Në mënyrë të veçantë, Scholz foli në favor të një sistemi të përbashkët të mbrojtjes ajrore, i cili do të ishte "më i lirë dhe më efikas" se sistemet e pavarura kombëtare. Njëkohësisht do të përbënte një "siguri më të madhe për të gjithë Evropën".
Në planin afatmesëm nevojitet "një seli e vërtetë e BE-së”, ndërsa nga viti 2025 nevojitet edhe një forcë e përbashkët për reagime të shpejta. Scholz konfirmoi se Gjermania dëshiron të sigurojë "bërthamën" e këtyre njësive me rreth 5.000 ushtarë në fillim.
bc/rb/ehl (AFP, dpa, DW, Reuters)