Sekretari amerikan i mbrojtjes do të marrë pjesë në konferencën e sigurisë në Mynih
11 Shkurt 2005
A do të vij apo nuk do të vij? Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Ramsfeld nuk ndodhet në listën zyrtare të pjesëmarrësve në konferencën e 41-të të sigurisë në Mynih. Në vend të tij figuron emri i zëvendësit Paul Volfovitz. Megjithatë sipas organizatorit, Ramsfled do të marrë pjesë në konferencë por e paqartë mbetet se a do të mbaj fjalim apo jo.
Sekretari amerikan i mbrojtjes pat njoftuar në janar se nuk do të marrë pjesë në këtë konferencë. Një prej shkaqeve ishte një akuzë e inicuar kundër tij nga një organizatë amerikane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për krime lufte në Irak. Organizata amerikane "Qendra për të drejtat konstitucionale" ka ngritur padi në muajin nëntor pranë Prokurorisë federale gjermane ndaj Ramsfeldit dhe disa qytetarëve tjerë amerikan. Ai akuzohet për keqtrajtimet e kryera nga ushtarët amerikan në burgun Abu Graib të Irakut dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Sipas ligjit të drejtës penale ndërkombëtare mund të ndiqen edhe krimet kundër njerëzimit të cilat janë kryer jashtë Gjermanisë dhe prej jo-shtetasëve gjermanë. Ramsfeld pat reaguar me indinjatë dhe pat kërcënuar se nuk do të marrë pjesë në konferencën e sigurisë në Mynih. Te enjten prokuroria federale gjermane njoftoi se nuk do të hetohet më kundër Ramsfeldit. Gjykatësit e arsyetuan vendimin e tyre me faktin se fillimisht përgjegjëse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vendlindje e të paditurit e pastaj Gjermania. Sic duket vendimi i Prokurorisë federale ka bërë që Ramsfeld të ndryshoj mendimin e tij dhe nga Iraku të fluturoj për në Bavari.
Gjithsejt në konferencë pritet të marrin pjesë rreth 200 ekspertë ushtarakë dhe 40 ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes, në mesin e tyre edhe Joshka Fisher e Peter Struk. Konferenca këtë vit zhvillon punimet nën moton: "Paqe përmes dialogut". Temë qendrore në bisedime pritet të jetë Korea e Veriut tani kur regjimi në Penjan pranoi zyrtarisht se është marrë me prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë. Gjithashtu tema tjera të rëndësishme do të jenë edhe programi bërthamor i Iranit, gjendja në Irak pas zgjedhjeve të para dhe gjasat për arritjen e paqës në Lindjen e Mesme.
Për konferencën e Mynihut janë ndërrmarrë masa të rrepta sigurie. Përsëri disa organizata kanë paralajmëruar mbajtjen e protestave. Megjithatë në krahasim me vitet e kaluara këtë vit priten më pak demonstrues. Në detyrë do të jenë 4000 policë, rreth 1000 më pak se vitin e kaluar.