Serbi: Mediat e kontrolluara bllokojnë reformat në vend
23 Tetor 2022Nëse do t'u besosh mediave të kontrolluara në Serbi, atëherë gjendja në vendin ballkanik është e tillë: perëndimi dëshiroka të përulë e thyejë këtë vend. Mjeti i vetëm me efekt kundër kësaj është miqësia vëllazërore me Rusinë dhe kontaktet e ngushta me Kinën. Më shumë se kaq madje: Brukseli dhe Uashingtoni me shërbimet e tyre sekrete na dashkan të vrasin politikaninn kryesor serb, Vuçiç. Më tej: Vendet perëndimore që kanë humbur vlerat e krishtera, e ku në vend të të cilave ka hyrë komuniteti LGBTQ, na qenkan të destinuara të shkatërrohen. Kundrejt kësaj, lidhjet ekonomike, sociale dhe shoqërore me Rusinë janë shembullore. Kjo vlen sidomos për presidetin Putin që kujdeset si një baba i kombit rus. Presidenti Vuçiç krenohet me lidhjet e tij me Putinin. Së fundmi ai u përpoq sipas modelit të partisë së bashkuar ruse të krijojë "bllokun serb".
Monologje për kombin në çdo stacion
Janë këto informacione që derdhen si breshër mbi qytetarët serbë përditë. Të pesë televizionet kryesore me liçencë kombëtare, burimi më i rëndësishëm i informacionit për qytetarët qëndrojnë nën ndikimin e elitës politike. Ata, përveç RTS, janë në dorën e oligarkëve që bëjnë pjesë në rrethin e ngushtë të partisë qeverisëse, SNS dhe Vuçiçit. Presidenti serb mund të drejtojë ku të dojë nga aty monologjet drejt kombit. Madje edhe serialet e preferuara ndërpriten për këtë.
Po kështu është gjendja edhe në sektorin e medias së shkruar. Gazeta si Politika dhe Novosti, nga të cilat shteti duhej të tërhiqej me presion të BE janë në duar të pronarëve, që janë të afërt me Vuçiçin. Informer, një gazetë me tirazh të lartë drejtohet nga Dragan Vuçiveviç, të cilin Vuçiçi disa herë e lëvdon si gazetarin më të mirë. Vuçiceviç e shikon gazetën e tij si zëdhënëse të qeverisë dhe del përditë me tituj bombastikë si "Ukraina ka sulmuar Rusinë". "Lufta e pistë e BE kundër Serbisë". "Vuçiçi shkatërron fashistët (kroatë)."
BE nuk reagon
BE i injoron të gjitha zhvillimet negative në peizazhin mediatik serb, sepse ende shikon tek Vuçiçi partnerin e saj të përshtatshëm për negociata. Në raportin e fundit të progresit për Serbinë (12.10.2022) tema si media dhe liria e shtypit trajtohen në fund tij. Madje as këtu nuk përmendet instrumentalizimi i gati të gjitha mediave për sigurimin e pushtetit dhe fyerjet kundër çdo zëri ndryshe. Vetëm konstatime të përgjithshme që nuk i dhembin kujt. Në një kohë që Vuçiq në mënyrë të përsëritur ka thënë, se reformat duhet të presin, derisa të jenë mënjanuar gjoja kërcënimet ndaj vendit të tij, si psh Kosova, Kroacia apo boshnjakët myslimanë. Mediat e kontrolluara i shpjegojnë popullit rregullisht këtë "argumentim" për shtyrjen e reformave.
Edhe pronari i gazetës së njohur Kurir, Aleksandar Rodic duhet ta shiste gazetën tek një i besuar i Vuçiçit, Igor Zezelj pas disa vitesh lufte me autoritetet. Paratë ky i fundit i mori nga transaksione të dyshimta, në masë të madhe nga Telekomi shtetëror. Rodic në dy letra të hapura që zgjuan shumë vëmendje ishte shprehur se të gjitha mediat e rëndësishme kontrollohet direkt nga SNS dhe Vuçiqi.
Reklama shtetërore për media besnike ndaj shtetit
Politika i mban ekonomikisht gjallë mediat që vuajnë prej kohësh nga problemet financiare. Sipas të dhënave të Universitetit të Beogradit në këtë vend të vogël ka 2.500 media. Xhiroja e të gjithë degës u llogarit para pandemisë së Coronës në 210 milionë euro. Praktikisht të gjitha mediat janë të varura nga të ardhurat e reklamave. Porositë më të mëdha vijnë nga shteti dhe sipërmarrjet shtetërore. Nuk është për t'u çuditur që merren në konsideratë vetëm ato media që janë politikisht të gatshme të binden. Autoritetet ua shtyjnë televizioneve të bindura tatimet që kapin shuma të mëdha, si psh TV Pink.
Keqfinancimin e medias e përdor agjencia shtetërore ruse Sputnik që prej 8 vjetësh ka një redaksi të madhe në Beograd. Ajo i ushqen mediat me materiale pa kosto, që merren me mirënjohje nga mjaft media dhe rijepen pa ndryshime. E sigurisht që ato shpërndajnë këndvështrimin rus ndaj botës - atë të një perëndimi të shkatërruar dhe një Rusie që lulëzon. Në të gjitha drejtimet "konfirmohet" kështu se partneriteti me Moskën është me më shumë avantazhe se Brukseli apo Uashingtoni.
Largim i vëmendjes nga aferat
Janë këto media që ndihmojnë që të largohet vëmendja nga skandalet dhe aferat e korrupsionit gjatë sundimit 10 vjeçar të Vuçiçit. Ato tematizohen vetëm nga pak media të pavarura. Këtu bëjnë pjesë pazaret e armëve, droga, disertacione të falsifikuara të politikanëve të rëndësishëm, vrasje, larje parash, blerje votash, mashtrime. Sondazhet jashtë dy qyteteve të rëndësishme Beograd dhe Novi Sad arrijnë në përfundimin se njerëzit në provincë nuk e kanë idenë për parregullsitë ulëritëse të klasës politike, megjithëse e quajnë veten të informuar.
Këto media të kontrolluara u shërbejnë përdoruesve të tyre me kryetituj me "Sex and Crime" apo hedhin baltë mbi opozitën pa fuqi dhe lëvdojnë Vuçiçin si politikanin kryesor që ka të drejtën të vendosë në të gjitha çështjet e kontestuara. Opozitës i ngarkohen akuza tërësisht pa bazë, si pretendimi se ato duan të shkatërrojnë Serbinë apo se duan të arrijnë që NATO të bombardojë Serbinë si në vitin 1999.
Realiteti i falsifikuar
Mediat pasqyrojnë një realitet të trilluar. Vuçiçi flet për ardhjen e një "kohe të artë", por shtresa gjithnjë e më të mëdha po varfërohen. Si rezultat i një propagande mediatike, shumica e popullsisë shikon sot Rusinë dhe Kinën si kreditorët më të mëdhenj dhe partnerë të rëndësishëm tregtarë dhe është kundër anëtarësimit në BE. Në të vërtetë Serbia prej dekadash zhvillon dy të tretat apo më shumë të tregtisë së jashtme me perëndimin. Nga perëndimi vijnë investimet më të mëdha dhe dhuratat financiare. Sipas një sondazhi nga qershori 2022, shumica e mbështet Vuçiçin si lider kombëtar dhe është kundër perëndimit e për një lidhje më të fortë me Moskën: por rreth 50% duan të largohen për shkak të pakënaqësisë në vendin e tyre. Praktikisht askush nuk do të shkojë në Rusi. Qëllimi gati i të gjithëve: Gjermania.