Serbia krijon grup pune kundër anëtarësimit të Kosovës në KE
5 Prill 2024Marrëdhëniet Kosovë Serbi nuk po dalin nga rrethi vicioz i mungesës së progresit. Asnjë zgjidhje kompromisi në sfond për shumë çështje në mënyrë që të dyja vendet të normalizojnë marrëdhëniet, kjo megjithë përpjekjet ndërkombëtare që ndërmjetësojnë dialogun Kosovë-Serbi. Edhe në takimin e dytë që u zhvillua në Bruksel të enjten (04.04.) Kosova dhe Serbia nuk arritën të gjejnë zgjidhje për çështjen e dinarit. Valuta e Serbisë nga data 1. shkurt është ndaluar për përdorim në Kosovë. Ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak tha, se takimet po zhvillohen për të gjetur një zgjidhje "të përkohshme", për personat që janë prekur nga ndalimi i përdorimit të dinarit. "Arritëm të përafrojmë qëndrimet mes dy propozimeve të palëve. Planifikoj të vazhdoj diskutimet shumë shpejt bazuar në idetë e BE-së për kompromis", shkroi Lajçak në platformën X.
Palët me akuza ndaj njëra-tjetrës
Një takim i radhës dhe i fundit sipas palës kosovare do të zhvillohet pas dy javësh. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pala serbe "nuk ishte e shqetësuar për qytetarët, por shqetësimin e kishin si ta licencojnë në Kosovë bankën e Serbisë "Kursimora e Postës”. "Pala serbe nuk e pranoi një propozim të konsoliduar të Lajçakut, për të cilin ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtat qytetarëve dhe e respekton rregulloren e Bankës Qendrore", tha Bislimi duke mos bërë të ditur se cili ishte propozimi i BE-së.
Nga ana e tij, kryengociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se "Prishtina nuk tregoi vullnet të mjaftueshëm për një marrëveshje”. "Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq duke bërë të ditur se ata kërkojnë "që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, ‘Kursimora e Postës', në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër”.
Serbia do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Madje dje (04.04.) presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi "luftë', kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai i kërkoi të enjten qeverisë së tij që të themelojë një grup punues që do të bëjë çfarë është e mundur për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Asambleja e së cilës voton për anëtarësimin e Kosovës më 16 prill. “Shanset e Serbisë janë të pakta”, tha Vuçiq, duke i kërkuar qeverisë së tij, “që të luftohet për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës dhe që argumenti kryesor të jetë mosthemelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”. Në marrëveshjen bazë të vitit 2023 që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia janë zotuar se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Sulmi në Banjskë goditje për normalizimin e marrëdhënieve
Progresin në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e vështirësoi edhe më shumë sulmi në Banjskë, vitin e kaluar, kur një grup serbësh sulmoi policinë e Kosovës në veri dhe vrau një pjesëtar të policisë. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetën të vrarë edhe tre pjesëtarë të grupit, i cili udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Srpska, Millan Radojçiq, që vetë mori përgjegjësinë për sulmin. Këtij të fundit që tashmë kërkohet me urdhër arrest nga Interpoli, autoritet kosovare i konfiskuan dhe sekuestruan ditën e enjte pasuri dhe prona në veri të Kosovës.
Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e ndihmuar nga policia, i konfiskoi Radojçiqit një Vilë buzë liqenit të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut, një restaurant dhe një apartament në veri të Mitrovicës dhe dhjetra makina luksoze. Partia me e madhe e serbëve të Kosovës "Lista Srpska”, që mbështetet nga Beogradi deklaroi se "konfiskimi i pasurisë së Millan Radoiçiq është i paligjshëm dhe i pabazuar” dhe sipas tyre autoritetet e Prishtinës kanë synim "përshkallëzimin dhe largimin e serbëve nga Kosova”.