Çështja e shqiptarëve në Jug të Serbisë të futet në dialog
16 Nëntor 2020Deputeti i opozitës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se politika e Serbisë ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë tërësisht, nëse Beogradi kërkon paqe në rajon. Deklaratat e Kamberit në disa seanca të Kuvendit të Serbisë e kanë kthyer atë në qendër të vëmendjes në opinionin serb. Kamberi u kritikua e sulmua pasi përmendi krimet, diskriminimin, por edhe gjendjen e politikës në Serbi. Shumë serbë e lavdëruan duke e quajtur liderin e ri të opozitës serbe, pasi replikat kryesore në Kuvend zhvillohen mes Shaip Kamberit dhe deputetëve që shumica i takojnë maxhorancës. Pas zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit, qeveria u formua katër muaj me vonesë dhe me paralajmërimin, se kjo qeveri do të ketë kohë të limituar prej një viti e gjysmë. Serbët do të mund të votojnë sërish për parlamentin dhe njëkohësisht edhe për presidentin e vendit në prill të vitit 2022. Shumë parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet pasi ishin të mendimit, se nuk ka kushte të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke akuzuar presidentin serb, Alleksandar Vuҫiq për kontroll total të mediave.
DW: Zoti Kamberi, si deputet në Kuvendin e Serbisë e keni quajtur këtë përbërje një ëndërr të Sllobodan Millosheviqit për shkak se vetëm grupi juaj parlamentar është në opozitë. Si mund të përshkruhet një gjendje e tillë dhe në ҫfarë rrethanash po zhvillohet përbërja e re e kuvendit?
Shaip Kamberi: Vetë përbërja e kuvendit dëshmon një absolutizëm të pashoq në parlamentarizmin e Serbisë, një situatë, që tejkalon edhe përmasat që kishte krijuar Millosheviqi me partinë e vet, sepse nga 250 deputetë, vetëm gjashtë janë ata që përbëjnë opozitë dhe ata janë nga dy parti politike që përfaqësojnë pakicat. Një mungesë absolute e tolerancës ndaj kërkesave tona politike dhe ndaj gjithҫkaje që shtrojmë në këtë parlament. Është shumë e qartë që jemi peng të një situate dhe raporti që Serbia e ka karshi Kosovës duke i konsideruar shqiptarët armiq të përhershëm dhe numri një i këtij shteti i mohon të drejtat tona që janë të garantuara me vetë kushtetutën e Serbisë duke refuzuar të vazhdojë dialogun e nisur në vitin 2013, por të cilin vetë qeveria e Serbisë e kishte ndërprerë me shuarjen e gjykatës në Preshevë dhe me disa masa që kthejnë pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mënyrë retrograde.
DW: Kryeministrja serbe Ana Brnabiq, ju tha që ju jeni vetë fajtor pasi diskriminoni vetveten, tha se ju është ofruar një vend i zëvendësministrit. Si e keni parë dhe përse nuk e keni mbështetur qeverinë e re të Serbisë, e cila megjithatë ka personazhe të njohura në politikë?
Shaip Kamberi: E para se ne nuk kemi pasur kurrfarë oferte. Ne kemi pasur një takim konsultativ me presidentin Vuҫiq para caktimit të mandatarit. Dhe, pas atij takimi nuk kemi pasur asnjë ofertë dhe bisedime. As presidenti dhe as mandatarja për krijimin e qeverisë, zonja Brnabiq nuk ka pasur takim me ne. Ҫështja tjetër është se kjo qeveri u deklarua edhe vetë që është një qeveri kontinuiteti, e që në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës do të thotë një qeveri e vazhdimit të një diskriminimi të mëtejshëm. Ajo që ne kemi kërkuar është të fillojmë bisedimet për planin shtatë pikësh dhe të merren masat, të cilat parashihen në atë dokument që duhet të afirmojnë pozitën e shqiptarëve. Pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk mund të përmirësohet me një zëvendësministër, sekretar shtetëror apo funksion tjetër. Me një kozmetikë të demokracisë, kur në esencë ke mungesë totale tolerance ndaj pakicës, një mungesë e elementeve kryesore të demokracisë në një rajon të përbuzur ndër vite. Qoftë në aspektin e diskriminimit të të drejtave apo diskriminimit ekonomik që zbatohet ndaj nesh. Ndaj ne nuk mund të jemi kozmetikë e kësaj qeverie, e cila nuk ka program të qartë për Luginën e Preshevës dhe për të drejtat e shqiptarëve.
DW: Si mund ta përshkruani skenën politike në Serbi duke qenë që pati shumë reagime pas deklarimeve nga ana juaj, deri tek presidenti dhe në shumë media. Ju nuk mund të flisni shqip në parlament dhe siҫ u tha në mediat në Serbi në njëfarë forme, ju jeni lider i opozitës?
Shaip Kamberi: Mjerisht atmosfera politike në Serbi është e tillë edhe për shkak të një faji të madh që mban opozita aktuale. Nuk mund të jetë alternativë e regjimit absolutist të Aleksandar Vuҫiqit, një opozitë e tillë. Një opozitë, e cila sjell turmën për të protestuar me parullat Vuҫiq shqiptar, që d.m.th edhe ata bartin me mesazhet e veta një urrejtje anti-shqiptare dhe nuk mund të jenë përfaqësues të denjë të demokracisë. Serbisë i nevojitet një opozitë e re, një opozitë, e cila duhet të bëjë një shkëputje totale me të kaluarën e saj të dhunshme, të pranojë dhe bëjë kërkim falje ndaj popujve të tjerë në Ballkan ndaj të cilëve në emër të këtij shteti dhe në emër të këtij populli janë bërë krime për të nisur një fillim të ri në Ballkanin Perëndimor, për të nisur një proces të pajtimit, i cili normal që për këtë shtet është i dhimbshëm pasi janë luftra, krime lufte, krime kundër njerëzimit në emër të një ideologjie shtetërore.
DW: Shqiptarët shumë shpesh kanë firmosur marrëveshje me Qeverinë e Serbisë, kanë shprehur gatishmëri për integrim në Serbi, por nuk ka pasur shumë lëvizje. Ekziston kjo gatishmëri ende apo mendoni, se kjo mund të zgjidhet vetëm duke negociuar në kuadër të zgjidhjes së ҫështjes së Kosovës?
Shaip Kamberi: Ne kemi tri marrëveshje politike të nënshkruara me qeveritë e Serbisë. Kemi marrëveshjen e vitit 2001, pas përfundimit të konfliktit, në vitin 2009 kemi një rikonfirmim të asaj marrëveshjeje me prezencën e OSBE-së dhe në vitin 2013, kemi planin shtatë pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë e kishte aprovuar pa asnjë ndryshim. Një dokument, të cilin e kishin hartuar partitë politike shqiptare për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Megjithatë, në praktikë nuk kemi lëvizje pozitive, thashë se kemi lëvizje retrograde me mbylljen e gjykatës, prokurorisë, me mbylljen e institucioneve të shumta rajonale duke centralizuar skajshëm gjithҫka. Pra mungesa e vullnetit politik këtu në Beograd është fajtori kryesor për mos integrimin e shqiptarëve. Kemi një pakicë, e cila jeton e koncentruar në tri komuna dhe e cila në vazhdimësi në 18 vitet e fundit shpreh vullnet për t‘u integruar. Dhe, kemi në anën tjetër një shtet i cili refuzon në tërësi kërkesat tona për integrim. Duke qenë të zhgënjyer me këtë proces, ne shohim si të vetëm zgjidhje mundësinë e kyҫjes së temës së Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë-Serbi, në formën e ndërtimit të një reciprociteti me të drejtat e serbëve në Kosovë. Serbia nuk mund të insistojë në vazhdimësi dhe të luajë me standarde të dyfishta duke kërkuar standarde që janë mbi standardet e Bashkimit Evropian sa i përket të drejtave të serbëve në Kosovë, ndërkohë që ne na i mohon ato të drejta që janë të garantuara me legjislacionin e brendshëm. Pra mundësia e vetme dhe e fundit e përmirësimit të pozitës duhet të jetë shtruarja e ҫështjes së Luginës së Preshevës në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
DW: Cila është gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës aktualisht?
Shaip Kamberi: Unë i përmenda edhe në seancën e zgjedhjes së qeverisë. Gjendja në Luginën e Preshevës është e vështirë. Kemi prezencë të vazhdueshme të forcave militare atje që jep imazhin e një gjendjeje të jashtëzakonshme. Një mungesë totale e integrimit të shqiptarëve në institucionet e shtetit, komuna ekonomikisht të varfëruara, një privatizim kriminal, i cili kishte shkatërruar ekonominë e mëhershme, e ka sjellë rajonin në tërësi, jo vetëm të shqiptarëve por edhe serbëve që jetojnë atje, në një gjendje të mjerë të përgjithshme dhe të pa shpresë. Shumë të rinj largohen nga ai rajon dhe ne na kërcënohet një shpopullim i plotë dhe një zvogëlim drastik i substancës tonë kombëtare, e cila po rrezikon edhe Bujanovcin, por ndoshta edhe Preshevën mund ta gjejë fati i njëjtë që është me Medvegjën. Një spastrim me politika moderne të diskriminimit, të cilat Serbia po i zbaton në rajonin tonë.
DW: Njëkohësisht flitet për bashkëpunim rajonal, për mini-Shengenin, pjesëmarrje edhe të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë proces. Vuҫiq ҫon ndonjëherë edhe mesazhe të paqes me shqiptarët, por Ju njëkohësisht keni edhe shumë ankesa. Si i shihni këto dhe a mund të ndikojnë në zgjidhjen e ҫështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Shaip Kamberi: Është një politikë kontradiktore pasi herë pas herë ҫohen mesazhe të paqes dhe dëshira për gjetjen e një kompromisi me shqiptarët, në anën tjetër kemi deklarata të zyrtarëve më të lartë shtetërorë që shqiptarët i konsiderojnë kriminelë. Kishim para pak kohësh deklaratën e vet kryeministres aktuale Ana Brnabiq, se shqiptarët janë njerëz nga mali. Kemi ҫdo ditë fyerje nga ministri aktual i Policisë, Alleksandar Vullin, në drejtim të shqiptarëve. Kjo politikë nuk është e sinqertë. Nuk mund të bëhet pajtim me shqiptarët përderisa nuk kemi një politikë të qartë dhe të sinqertë që shkon në atë drejtim, derisa nuk kemi një politikë që pranon krimet e kryera në Kosovë dhe derisa nuk kemi një politikë që zbardh fatin e të zhdukurve shqiptarë dhe varrezat masive për të cilat flitet këtu në Serbi. Prandaj dëshira për të bashkëpunuar me shqiptarët dhe për të bërë një kompromis nuk mund të shkojë me politika të tilla të standardeve të dyfishta. Ҫështja e Luginës së Preshevës është po ashtu një temë, e cila do të rëndojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në tërësi raportet shqiptaro-serbe. Nuk mund të ketë paqe të plotë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk mund të ketë fqinjësi të mirë me Kosovë, nëse Serbia vazhdon të diskriminojë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Pra duhet rrënjësisht të ndryshojë politika serbe karshi shqiptarëve në përgjithësi, por veҫanërisht në Luginë të Preshevës.
DW: Ju besoni se ende është gjallë tema e përkufizimit, ndarjes, shkëmbimit të kufijve. Dhe, në rast se do të ketë një zgjidhje të tillë apo zgjidhje për Kosovën përgjithësisht, cili është qëndrimi i shqiptarëve dhe ҫfarë do të bëni Ju?
Shaip Kamberi: Besoj se tema e ripërkufizimit sidomos me zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara, me presidentin e ri, nuk është në tryezën e bisedimeve. Ajo që për ne në këtë moment është me rëndësi, që ne insistojmë në radhë të parë tek institucionet në Kosovë është që çështja e shqiptarëve të shtrohet në bisedimet me Serbinë në formën e aprovimit dhe aplikimit të parimit të reciprocitetit në të drejta. Kosova e ka këtë të drejtë morale politike dhe kombëtare, sepse ajo me standardet e veta të ndërtuara në kushtetutë dhe ligjet e tjera ka garantuar të drejta që nuk i gëzon asnjë pakicë në Ballkanin Perëndimor dhe as në Evropë. Ka të drejtën e plotë që të kërkojë, që standardet e njëjta ose të ngjashme të zbatohen edhe në Luginë të Preshevës për shqiptarët.
Shaip Kamberi dikur ka qenë gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Ai është deputet nga Bujanovci në jug të Serbisë dhe kryetar i grupit të vetëm parlamentar në opozitë bashkë me disa deputetë boshnjakë. Fjalimet e tij në kuvendin serb e kanë bërë të njohur Kamberin, sepse ai nxiti reagime të ashpra politike deri tek vetë presidenti serb, Aleksandar Vuҫiq.