Shoqata Gjermane e Industrisë dhe e Tregëtisë, DIHA, hap përfaqësinë e në Tiranë
8 Maj 2009Edhe pse aktiviteti i Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe të Tregëtisë, DIHA, ka muaj që ka nisur në Shqipëri, hapja e zyrave të saj në Tiranë u celebrua të enjten mbrëma (07.05). Përfaqësues të saj, gjemanë dhe shqiptarë promovuan misionin e shoqatës: përkrahjen e marrëdhënieve ekonomike dhe mes dy vendeve, përfaqësim të interesave politike dhe ekonomike ndaj qeverisë, parlamentit, dhomave tregëtare, shoqatave dhe mediave, shkëmbim informacionesh apo organizim veprimtarish të përbashkëta.
Për kryeministrin Sali Berisha kurba e bashkëpunimit mes dy vendeve ka shënuar ngjitje. Ai gjeti rastin të përmendë ndihmën prej rreth 860 milion euro që Gjermania ka akorduar në programet dy- a shumëpalëshe. Institucionalizmi i një strukture biznesi gjerman në Shqipëri pritet që të japë efekte të tjera pozitive. Sipas kryeministrit Berisha: "Një ngjarje që do të inkurajojë e do të nxisë bashkëpunimin ekonomik, investimet gjermane në Shqipëri, për të cilat vendi ka nevojë të jashtëzakonshme. Përbën një levë të fuqishme të shumëfishimit të ndihmës gjermane për Shqipërinë."
Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchadt, shprehet se afrimi në fushën ekonomike, krahas përmirësimit të kushteve për investim e tregëti "po motivohet dhe me faktin, që në Gjermani tanimë po bëhet gjithnjë më e ditur që ne jemi partnerë në NATO dhe që në pak vite Shqipëria do të jetë dhe partneri ynë brenda BE-së. Politika e jashtme gjermane synon të mbështesë dhe të nxisë më tej përafrimin e Shqipërisë me BE-në. E ardhmja e shteteve të Ballkanit Perëndimor është në BE".
Për kryetarin e Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla, DIHA do të jetë një partner i besueshëm me projekte konkrete, "një partner me të cilin do të shkëmbejmë jo vetëm idetë dhe dëshirat, por dhe mentalitetet, kulturat e standardet." Hapja e panairit të biznesit gjerman në Tiranë pak ditë më parë, është treguesi më i mirë i gjallërimit të kooperimit për më shumë hapësira e projekte, tha Zhilla.
Sipas kryetares së Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregëtisë, Andrea Gebbeken, "interesi gjithnjë në rritje i sipërmarrësve gjermanë për të investuar në Shqipëri ishte një nga arësyet e krijimit të kësaj shoqate". Duke ju referuar zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, Gebbeken, tha se dita-ditës "po evidentohet fakti që vendi po bëhet tërheqës për të ushtruar biznes. Në mënyrë që marrëdhëniet ekonomike dypalëshe të forcohen më tej, për DIHA-n është me rëndësi të veçantë forcimi i pranisë së firmave gjermane, si dhe – me ndihmën e organizatave partnere nga Gjermania - krijimi i perspektivave për zhvillimin e ekonomisë shqiptare në Gjermani".
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së zyrës së DIHA-s ishin dhe presidenti i Shoqatës ekonomike gjermano- shqiptare me seli në Berlin, Hans Jürgen Müller, përfaqësuesi i delegacionit të Ekonomisë Gjermane për Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë, me seli në Beograd, Micheal Schmidt, si dhe kryetari i bordit drejtues të Shoqatës së Evropës Lindore dhe Qendrore me seli në Hamburg, Dr. Peter Danylow.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Pandeli Pani