1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Arrestohet një shtetas turk në kërkim ndërkombëtar

24 Janar 2021

Një shtetas turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të korrupsionit, u arrestua në pikën kufitare të Morinës. Shqipëria pritet të ektradojë shtetasin turk në Turkmenistan.

https://p.dw.com/p/3oLwB
Symbolbild - Venezuela - Verhaftung
Fotografi: picture-alliance/J. Tack

Në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit në Shqipëri të dielën, (24.01)  bëhet me dije se në pikën kufitare të Morinës, në rrethin e Kukësit, u arrestua një shtetas turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të korrupsionit. Sipas njoftimit bëhet fjalë për shtetasin turk 59 vjeꞔ, me inicialet M.Ç, banues në Kosovë, që u arrestua nga polica në bashkëpunim me Interpol Tiranën.

Policia e Shtetit vë në dukje që gjatë verifikimit të të dhënave në sistem, shtetasi turk M. Ç rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ashgabat i Turkmenistanit, me një urdhër arresti ndërkombëtar, të lëshuar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të këtij vendi, për veprën penale të sipërpërmendur.

Në bazë të hetimeve të Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë, Kukës u krye të dielën arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin e tij në Turkmenistan, mbështetur në "Konventën Evropiane të Ekstradimit” të Këshillit të Europës, të nënshkruar më 13 dhjetor 1957, në të cilën Shqipëria është palë.

Në nenin e parë të kësaj Konvente me 32 nene, deklarohet që "palët  marrin përsipër t'i dorëzojnë njëra-tjetrës, në varësi të dispozitave dhe kushteve të përcaktuara në këtë Konventë, të gjithë personat kundër të cilëve autoritetet kompetente, të palës kërkuese kanë proceduar ose janë duke proceduar për një vepër penale ose që  kërkohen nga autoritetet e saj për kryerjen e një dënimi ose urdhri të paraburgimit.”

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana