1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumë estonezë largohen nga vendlindja e tyre

Christoph Kersting / Esat Ahmeti16 Tetor 2012

Situata ekonomike në Estoni është e vështirë, veçanërisht rritja e çmimeve është kthyer në brengë të estonezëve. Shumë njerëz po largohen nga vendlindja e tyre për të shkuar në Skandinavi, Evropën Perëndimore dhe SHBA.

https://p.dw.com/p/16QWY
Fotografi: picture-alliance/dpa

Estonia, Letonia dhe Lituania: tri republikat e vogla baltike janë zhvilluar ekonomisht me shpejtësi që nga fundi i viteve '90. Normat vjetore të rritjes deri në dymbëdhjetë për qind ishin pothuajse të zakonshme në vendet e quajtura shpesh ndryshe si "shtetet tigër". Si një shembull i përkryer për një kohë të gjatë ishte vendi më i vogël nga shtetet baltike: Estonia, e cila për shkak të entuziazmit të saj për teknologjinë fitoi emrin "E-Stonia". Në vitin 2011 Estonia ishte e para që futi në përdorim monedhën evropiane Euro. Por situata ekonomike në vend tani është e vështirë, veçanërisht pagat dhe pensionet e ulëta si dhe rritja e çmimeve janë kthyer në brengë të estonezëve. Shumë njerëz po largohen nga vendlindja e tyre për të shkuar në Skandinavi, Evropën Perëndimore dhe SHBA.

Paga estoneze - çmime të Evropës Perëndimore

1300 euro neto fiton Demis Voll në një dyqan të pjesëve rezervë për makina në qytezën Keila, një gjysmë ore larg me makinë nga kryeqyteti Talin. Kjo pagë nuk është e vogël për kushtet që ka Estonia. Para së gjithash të punësuarit në sektorin e shërbimeve publike, si për shembull mësuesit duhet ta kalojnë muajin me 500 deri në 600 euro çka është pothuajse e pamundur për shkak se qeraja dhe çmimet e ushqimeve i afrohen gjithnjë e më shumë nivelit të Evropës Perëndimore. Prandaj gjithnjë e më shumë njerëz duan të largohen nga Estonia, edhe Demis Voll: "Unë kam planifikuar për të shkuar në Finlandë, kryesisht për shkakun se do të fitojë të drejtën për pensionin finlandez nëse arrijë të punojë atje të paktën pesë vjet. Në Finlandë, çdo gjë është më e mirë: shërbimet shëndetësore, shërbimet sociale, kushtet e punës. Unë gjithashtu e flas gjuhën finlandeze sepse gjyshja ime ka ardhur këtu nga një vend afër Shën Petersburgut, nga Karelia e cila sot është pjesë e Rusisë".

Pamje nga Talini
Pamje nga TaliniFotografi: DW

100.000 estonezë tani jetojnë në vendet skandinave

Finlanda është destinacioni i preferuar për shumë estonezë të cilët lëshojnë atdheun e tyre për shkaqe ekonomike. 40.000 estonezë ndërkohë jetojnë dhe punojnë në Finlandë, pjesa më e madhe e tyre në zonën metropolitane të Helsinkit. Sipas disa vlerësimeve aktualisht janë 100.000 estonezë në mbarë Skandinavinë.

Në këtë mënyrë regjistrimi i fundit i popullsisë në Estoni i kryer në pranverë rezultoi me një pamje alarmante: Për herë të parë popullsia ka rënë nën 1.300.000, që nga fillim të viteve '90 republika e vogël baltike ka humbur rreth 18 për qind të popullsisë së saj. Edhe qeveria është e vetëdijshme për pasojat e emigracionit, thotë Jürgen Ligi në zyrën e tij në Talin. Ministri estonez i Financave megjithatë e paraqet problemin në një kontekst pan-evropian dhe historik: "Rënia e numrit të popullsisë është realitet, ky është një problem i përgjithshëm në Evropë. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për migracionin. Familjet tona kanë shumë pak fëmijë dhe ne përpiqemi që me politikën tonë familjare të stimulojmë ato të kenë më shumë fëmijë. Pastaj duhet ta kemi parasysh që në vitet '90 ne jemi përballur me ndryshime radikale ekonomike të cilat gjithashtu kanë çuar në emigracion. Por në fakt, ne nuk mund të bëjmë shumë kundër emigracionit dhe shkallës së ulët të lindjeve."

Në foto, ministri estonez i Financave, Jürgen Ligi
Në foto, ministri estonez i Financave, Jürgen LigiFotografi: DW

Estonia ende vend model për Evropën

Edhe pse shumë nga bashkatdhetarët e tij largohen nga vendlindja e tyre, ministri i Financave Ligi ende përmend disa argumente që janë në anë të tij. As Estonia nuk i shpëtoi krizës globale të vitit 2009. Por në sajë të një disipline të hekurt dhe masave shtrënguese fiskale, ky vend ende konisderohet si një model për Evropën: në vitin 2011, ekonomia u rrit me 7.6 përqind, borxhi kombëtar nuk e kaloi nivelin prej gjashtë për qind. Por nga të dhënat pozitive ekonomike qytetarët nuk mund të blejnë asgjë, paga mesatare e estonezëve është 800 euro, pensionistët marrin një mesatare prej 320 euro në muaj.