1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Si të studiojmë në Gjermani?"- Panairi i informacionit në Tiranë

5 Mars 2011

Çdo vit në Gjermani studiojnë rreth 250 mijë studentë të huaj. Për pranimin në universitetet gjermane të interesuarit kanë nevojë për një informacion të detajuar. Këtë e realizon Panairi i Informacionit mbi studimin.

https://p.dw.com/p/10Ts8
Panairi i informacionit në Tiranë
Panairi i informacionit në TiranëFotografi: DW

Informacioni është gjithshka. Këtë kanë kuptuar mirë dhjetra e dhjetra vajza dhe djem të shkollave të mesme të Tiranës që kanë mbushur sallat e Qendrës së Gjermanishtes, të Institutit Gëte, në Tiranë dhe të Qëndrës së Informimit të BE, në godinën fqinje, të ndodhura në zëmër të zonës që njihet si “Blloku”.

Jürgen Rohling, nga Shërbimi Gjerman për shkëmbime Akademike, lektor i gjuhës gjermane në Universitetin e Tiranës u shpjegon atyre gjithshka që duhet të dinë nëse dëshërojnë të kryejnë studime universitare apo kërkime shkencore në Gjermani. “Ideja jonë në organizimin e këtij panairi është t'i japim gjithkujt informacion për mundësitë që ekzistojnë në Gjermani për të kryer studime të larta, kërkime shkencore dhe fituar grada akademike. Duke qënë të informuar të rinjtë dhetë rejat nga Shqipëria mund të vendosin çfarë duan të studiojnë, në cilin universitet. Bota është e madhe. Studimet në Gjermani u japin një shans të mirë për të ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre profesionale. Ne u tregojmë rrugën, u themi: Ej, pse nuk mendoni të studioni në Gjermani?” thotë Jürgen Rohling për programin shqip të DW.

Jürgen Röhling
Jürgen Röhling, lektor i gjuhës gjermane në Universitetin e TiranësFotografi: DW

Gjermania- gjithnjë dhe më e preferuar për studime

Jürgen Rohling thote se ndër 2 milion e 250 mijë studentë që studiojnë çdo vit në universitetet gjermane 12,5% janë studentë te huaj. “Gjermania është një vend shumë tërheqës për studentët e huaj. Numri i tyre ka ardhur duke u rritur. Kjo ndodh sepse universitetet gjermane ofrojnë një larmi të jashtëzakonshme për studime në fusha dhe nivele të ndryshme. Kemi studime dhe programme në gjermanisht dhe anglisht për grada shkencore si Bachelor, Master dhre Doktorature. Studentët e huaj mund të hasin vështirësi për të kuptuar sistemin e larmishëm gjerman të studimeve, pasi ka shumë Universitete, shumë Lande. Prandaj çdo student i huaj ka nevojë pikë së pari për një informim të mirë. Numri është në rritje. Këtë e di nga puna që bëj në Tiranë, ku shumë vetë më pyesin sesi mund të shkojnë në Gjermani. Dhe njoh personalisht shumë nxënes që ia kanë dalë mbanë të studiojnë me sukses në Gjermani. Në disa qytete si në Gotingen, në Jena, madje edhe në kryeqytet, në Berlin, ka komunitete të vogla shqiptare".

Hendek i madh mes kërkesës për të mësuar gjermanisht dhe mundësive në shkollat publike

Komunitete me ata që mësojnë gjermanisht, që kanë studiuar apo kryer specializime në Gjermani janë krijuar tanimë edhe në Shqipëri. Qëndra e Gjermanishtes, e Institutit të mirënjohur Gëte, bën mësim paradite, pasdite dhe sivjet ka hapur edhe kurse të mbrëmjes për të përballuar kërkesat në rritje.

Studieninfotag in Tirana
Brigitte Grau- Günther, Drejtorja e Qendrës së GjermanishtesFotografi: DW

Drejtorja e kësaj Qëndre, Brigitte Graugünter: “Është fakt që interesi për gjuhën gjermanë është rritur në vitet e fundit, dhe sidomos vitin e kaluar, jo vetëm nga brezi i ri por edhe nga të rritur, sidomos mjekë që dëshërojnë të shkojnë në Gjermani për të kryer atje specializime të ndryshme. Ndërkohë shumë nxënës nga Qendra e Gjuhës gjermane në Tiranë sjellin miqtë e tyre për të studiuar gjuhën gjermane,” thotë Brigitte Grau-Günther.

Ndërkohë kërkesat vazhdojnë të jenë në rritje nga nxënës që studiojnë në shkollat publike. Si është raporti mes kërkesës dhe mundësive që ata kanë? “Ka një hendek jashtëzakonisht të madh mes kërkesës për të mësuar gjuhën gjermane dhe mundësive që ofrohen sidomos në shkollat publike në Shqipëri. Në këto shkolla mësimi i gjermanishtes ka rënë, gjë që nuk ka ndodhur me shkollat private. Ndërkohë kemi kuptuar që shumë prindër që vijnë në Qëndrën e Gjermanishtes dhe thonë që fëmijët e tyre duan të studiojnë gjuhën gjermane por në shkollat publike nuk kanë mundësi ose cilësia e mësimdhënies nuk është ajo që ata dëshërojnë. Por kemi parë kur paraqesim tekstet e mësimit të gjermanishtes që fëmijët janë shumë entuziatë dhe mësojnë shumë, shumë shpejt.” thotë Brigitte Graugünter.

Futja e mësimit të e gjuhës gjermane si një alternativë në sistemin e shkollave publike do të plotësonte këtë hendek mes kërkesave të shumta dhe mundësive të pakta. Kjo bëhet një domosdoshmëri për aspiratat e integrimit evropian të Shqipërisë për përfitimin e njohurive në një vend të zhvilluar, në avanguarde të BE, si Gjermania.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama