Siria dhe Palestina si indikatorë
27 Shtator 2012Që nga fillimi i 2011 Gjermania është anëtare e KS të OKB-së, që kur trazirat në botën arabe e preokupojnë pa ndërprerë forumin më të fuqishëm të OKB-së. Por pesë anëtarët e përhershëm dhe dhjetë anëtarët jo të përhershëm arrijnë shpesh në limitet e tyre dhe këtë e tregon aktualisht shembulli i luftës civile në Siri. Deri tani Këshilli i Sigurimit nuk ka mundur të bierë dakord për një rezolutë, që ta vërë presidentin sirian Bashar al Assad nën presion. Kina dhe Rusia vendosën veton duke i vënë në gjumë diplomatik projektrezolutat. Lidhur më këtë Këshilli i Sigurimit në Nju Jork diskutoi me sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes Arabe Nabil al-Arabi, një iniciativë kjo e ministrit të Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, i cili drejtoi seancën.
Atmosfera në seancën, që zgjati dy orë e gjysëm, karakterizohej nga respekti i ndërsjellë, edhe nga rastet e pikëpamjeve diametralisht të kundërta. Diplomati egjiptian me përvojë, Nabil al-Arabi, i cili drejton prej më shumë se një viti e gjysëm Ligën Arabe me 22 vjendet e saj anëtare, shprehu keqardhjen për bllokadën e Këshillit të Sigurimit në çështjen e Sirisë: Në qoftë se i dërguari i posaçëm i OKB-së Lakhdar Brahimi do që të ketë sukses, atij i nevojitet mbështetja e Këshillit të Sigurimit. Gjakderdhja në Siri duhet të marrë fund, por deri tani projektrezolutat janë vetëm "shkronja të vdekura".
Mungon presioni ndaj Sirisë
Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius kritikoi qëndrimin ambivalent të Këshillit të Sigurimit: "Kur mbyllen kamerat, asnjëri prej nesh nuk beson se regjimi i Assadit ka të ardhme", tha ai në prani të ministrave të Jashtëm të Kinës dhe Rusisë. Çështja është tani se çfarë mund të bëjmë ne, me qëllim që Asadi të largohet pa viktima të tjera?"
Të 15 anëtarët e Këshilit të Sigurimit folën me radhë për këtë temë, por propozime të reja nuk u shtruan mbi tryezë. Ministrja e Jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton, kërkoi që Këshilli i Sigurimit të merret sërish me Sirinë, ndërsa Kina und Rusia nuk lëvizën nga qëndrimi i tyre, për të mos u përzier në punët e brendshme të vendeve të tjera. Të dyja shtetet kane lidhje të ngushta me regjimin e Assadit.
Vetëm në letër
Për Ligën Arabe fati i palestinezëve është tema e dytë kryesore, për të cilën Këshilli i Sigurimit nuk demonstron kredibilitet. "Këshilli i Sigurimit ka aprovuar më shumë se 200 rezoluta për këtë temë, por ato nuk janë zbatuar", u ankua Nabil al-Arabi.
Si shembull ai përmendi ndërtimin e vazhdueshëm të vendbanimeve izraelite në tokën palestineze. "Ne duam që Këshilli i Sigurimit ta rimendojë, se si do të veprojë në këtë çështje. Standardet e dyfishta nuk janë të pranueshme për ne." Al-Arabi e konsideron gabim, që negociatat t'i lihen kuartetit për Lindjen e Mesme. Apeli i tij urgjent ishte që Këshilli i Sigurimit duhet të angazhohet më në fund për të drejtat e palestinezëve dhe jo vetëm ta menaxhojë konfliktin. Për këtë ai gjeti shumë miratim në Këshillin e Sigurimit.
Struktura aktuale të çon në blokada
Për ministren e Jashtme jugafrikane Maite Nkoana-Mashabane konflikti i pazgjidhur është një dëshmi që Këshilli i Sigurimit ka nevojë urgjente për reformim. Aty anëtarët e përhershëm SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca kanë fuqi të madhe, ndërsa Afrika dhe vendet arabe janë të përfaqësuar vetëm me vende jo të përhershme pa të drejtë vetoje. Por për të realizuar një reformë, nuk është arritur ende një shumicë në Këshillin e Sigurimit.