Sirianët në Gjermani: Fakte, shifra dhe të dhëna
10 Dhjetor 2024Që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011, janë larguar nga vendi miliona sirianë. Shumica e tyre mbetën në Siri si persona të zhvendosur brenda vendit ose kërkuan strehim në vendet fqinje si Turqia, Libani, Jordania, Iraku dhe Egjipti.
Shumë prej tyre gjetën strehim në Evropë, veçanërisht në Gjermani.
Sa sirianë jetojnë në Gjermani?
Sipas Zyrës Federale të Statistikave Gjermane, në Gjermani në fund të vitit 2023 jetonin rreth 973.000 sirianë. Rreth 712.000 prej tyre kishin marrë statusin e refugjatit, i cili përfshin azilkërkuesit, kërkesa e të cilëve është në shqyrtim dhe azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë refuzuar, por që u është dhënë mbrojtje e përkohshme për arsye humanitare.
Shumë nga këta njerëz mbërritën në Gjermani në vitin 2015, kur në Gjermani kërkuan mbrojtje më shumë se 320.000 sirianë. Ndërsa shumë prej tyre tani kanë një leje qëndrimi të përhershme, një numri më të vogël prej tyre u dhënë leje qëndrimi e përkohshme. Kjo do të thotë se edhe nëse mund të qëndrojnë përkohësisht, situata e tyre ligjore mbetet e pasigurt. Shpesh ky grup ka qasje të kufizuar në punë dhe shkollim.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave, shtetasit sirianë përbënin grupin më të madh të qytetarëve që morën shtetësinë gjermane vitin e kaluar. Numri i tyre u rrit në 75.500. Mesatarisht, ata kanë jetuar në Gjermani për 6.8 vjet përpara se të merrnin një pasaportë gjermane. Deri në fund të vitit 2023, më shumë se 160.000 sirianë e morën shtetësinë gjermane.
Gjermania pezullon vendimet për azil për sirianët
Në vitin 2024, Siria u bë sërish vendi më i zakonshëm i origjinës për azilkërkuesit në Gjermani. Sipas Zyrës Federale të Statistikave Gjermane, pothuajse 75.000 kërkesa për azil janë paraqitur nga sirianët në nëntor, të ndjekur nga 34.300 vetë nga Afganistani dhe rreth 29.600 vetë nga Turqia.
Megjithatë, më 9 dhjetor, një ditë pas rënies së regjimit të Asadit në Siri, Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) dekretoi një ngrirje të menjëhershme të kërkesave për azil nga qytetarët sirianë. Sipas BAMF, kjo masë zbatohet për 47.270 kërkesa për azil në pritje të paraqitura nga sirianë, duke përfshirë rreth 46.000 kërkesa në instancë të parë. Situata e re në Siri aktualisht nuk ka ndikim në procedurat në vazhdim.
Rreth 236.000 kërkesa për azil janë dorëzuar në Gjermani që nga fillimi i vitit. Kjo shifër nuk përfshin refugjatët nga Ukraina, të cilët përfitojnë nga statusi i mbrojtjes së përkohshme pa procedurë azili.
Shumica e refugjatëve sirianë në Gjermani janë meshkuj, ndërsa vetëm 41% janë gra. Në përgjithësi, sirianët në Gjermani janë si tendencë më të rinj se popullsia e përgjithshme: mesatarisht, ata janë rreth 25 vjeç. Rreth 37% e tyre janë të mitur.
Sipas statistikave të BAMF, më shumë se 60% e njerëzve që aplikuan për azil në Gjermani midis 2017 dhe 2023 ishin të martuar. Shumë fëmijë të refugjatëve sirianë kanë lindur në Gjermani. Midis vitit 2019 (data e fillimit të sondazhit) dhe vitit 2024, kjo ishte e barabartë me afërsisht 56.200 fëmijë.
Më shumë se 60% e sirianëve që kanë kërkuar azil në Gjermani që nga viti 2015 janë arabë. Rreth një e treta i përkasin pakicës kurde. Një shumicë e qartë prej mbi 90% janë myslimanë, më pak se 2% janë të krishterë dhe rreth 1% janë jezidë.
Ku jetojnë sirianët në Gjermani?
Shumica e sirianëve jetojnë në landet federale të Rinit Verior-Vestfalisë, Bavarisë dhe Baden-Württemberg-ut, të cilat janë veçanërisht tërheqëse për shkak të dendësisë së popullsisë - e cila vlen veçanërisht për Rinin Verior-Vestfalinë - dhe sepse ato ofrojnë mundësi më të mira punësimi. Qytetet më të mëdha si Berlini, Mynihu dhe Hamburgu gjithashtu ofrojnë qasje në programet dhe rrjetet mbështetëse. Zonat rurale janë si tendencë më pak të njohura, sepse ofrojnë më pak mundësi për integrim dhe punësim.
Krahasuar me grupet e tjera të refugjatëve, refugjatët sirianë përgjithësisht konsiderohen të kualifikuar. Gati gjysma e atyre që mbërritën në Gjermani midis 2015 dhe 2017 kishin ndjekur shkollën e mesme ose kishin diplomë universiteti. Mes refugjatëve që mbërritën më vonë në Gjermani, kjo shifër arriti në më shumë se një të tretën. Në vitin shkollor 2022/23, rreth 186.000 nxënës sirianë kanë ndjekur shkollat publike në Gjermani dhe 50.000 të tjerë kanë ndjekur shkollat profesionale.
Barrierat gjuhësore për njohjen e kualifikimeve
Sipas Agjencisë Federale të Punësimit, rreth 226.600 sirianë aktualisht punojnë në punë të mbuluara nga sigurimet shoqërore (që nga maji 2024). Rreth 279.600 sirianë u regjistruan në Agjencinë Federale të Punësimit si "në kërkim të punës" në fund të nëntorit 2024. Nga këta, 155.100 janë "të papunë". Kjo do të thotë se ata janë aktualisht në tregun e punës. Shkalla e papunësisë së tyre është 37%.
Shumë punojnë në sektorët e ndërtimit, hotelerisë dhe përkujdesjes, dhe kanë interes në rritje për arsimim të mëtejshëm dhe kualifikime profesionale. Pengesat kryesore për punësim janë pengesat gjuhësore dhe problemet me njohjen e kualifikimeve profesionale siriane.
Sirianët - ndihmë për sistemin shëndetësor gjerman
Punonjësit sirianë luajnë një rol veçanërisht të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë, ku ofrojnë shërbime urgjente. Shumë prej tyre mundën të hynin në profesionin e përkujdesjes përmes programeve të specializuara të trajnimit.
Nëse këta njerëz zgjedhin ose detyrohen të kthehen në vendet e tyre pas përfundimit të diktaturës së Asadit - siç po bëjnë tashmë disa politikanë - mungesa aktuale e punëtorëve të kualifikuar në sistemin shëndetësor mund të përkeqësohet. Ministria gjermane e Shëndetësisë u ankua se tashmë ka rreth 200.000 vende të lira pune në sektorin e përkujdesjes e infermierisë.