S&P ul bonitetin e nëntë vendeve të eurozonës
14 Janar 2012Nëntë vendeve të eurozonës njëherësh iu ul besueshmëria kredituese. Agjencia e vlerësimit të riskut të kreditimit Standard&Poor's njoftoi se Franca dhe Austria nuk kanë më notën më të lartë të bonitetit dhe vlerësohen tani me notën e dytë më të mirë AA+. Me nga një shkallë u ul boniteti edhe për Maltën, Sllovakinë dhe Slloveninë. Dy shkallë njëherësh humbën Italia, Spanja, Portugalia dhe Qipro.
Ulja e besueshmërisë kredituese për këto vende vlerësohet si një goditje e rëndë për eurozonën. Ndër vendet e mëdha të saj vetëm Gjermania ruan ende notën më të lartë të bonitetit. Si vende mjaft të besueshme konsiderohen edhe Holanda, Luksemburgu dhe Finlanda. Pas uljes së bonitetit, huamarrja në tregjet e kapitalit bëhet më e shtrenjtë. Kjo mund të ketë pasoja për fondin për shpëtimin e euros, EFSF, pasi Franca me një pjesë prej 160 miliardë eurosh në ombrellën e shpëtimit, është vendi i dytë kontribues pas Gjermanisë.
Kritikë nga Komisioni i BE-së
Presidenti i eurogrupit, Jean-Claude Juncker tha se tani duhet bërë gjithçka që fondi i shpëtimit të euros EFSF të ruajë bonitetin e tij më të lartë. Komisioneri i BE-së për politikën monetare Olli Rehn e kritikoi vendimin e S&P si të pakuptueshëm, pasi aktualisht Spanja dhe Italia kanë paguar interesa më të ulëta në tregjet e kapitalit për obligacionet shtetërore, dhe kështu tensionet në tregje janë ulur.
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble u shpreh se vendimi i agjencisë së vlerësimit S&P nuk erdhi në mënyrë krejt të papritur. Sigurisht ka pasiguri lidhur me Eurozonën, por tani duhen ndërmarrë hapa për rifitimin e besimit të tregjeve. Një politikë e njësuar afatmesme është më e rëndësishme se "vendimet ditore në tregje", tha Schäuble. Tani Eurozona duhet të stabilizohet përmes një pakti fiskal, deklaroi Ministri gjerman i Financave.
Lufta e Sarkozy-së kundër uljes së bonitetit
Agjencitë e vlerësimit në të kaluarën e patën kritikuar Francën për shkak të borxhit shtetëror, megjithëse qeveria kishte paraqitur dy paketa me kursime të forta prej më shumë se 70 miliardë eurosh. Ministri francez i Financave François Baroin njoftoi tani se ulja e bonitetit nuk do të pasohet nga një program i ri kursimesh. Vendi nuk do të lejojë t'i diktohet politika nga agjencitë e vlerësimit, tha Baroin. Në Paris Presidenti Nicolas Sarkozy ishte takuar më parë në një mbledhje krize me Kryeministrin François Fillon, Ministrin e Financave Baroin dhe Ministren për Buxhetin Valérie Pécresse.
Sarkozy deri tani e kishte shpallur gjithnjë si prioritet kombëtar ruajtjen e notës më të lartë të bonitetit (AAA) për Francën. Kështu ulja e besueshmërisë kredituese nga S&P vjen në një moment aspak të përshtatshëm për të, pasi Sarkozy dëshiron të rizgjidhet president pas tre muajsh. Socialistët francezë në opozitë reaguan duke deklaruar se Sarkozy do të mbahet mend si "presidenti i degradimit të Francës".
Obligacionet amerikane përfitojnë
Vlerësimet e agjencive amerikane si S&P janë të polemizuara në Europë, pasi ka dyshime mbi pavarësinë e tyre. Lajmi për uljen e bonitetit të Francës pati pasoja të menjëhershme në tregje. Investuesit iu drejtuan të premten obligacioneve shtetërore të SHBA-së, si më të sigurta.
Autor: Dirk Eckert (afp, dpa, rtr) / E. Xhani
Redaktoi: Bahri Cani