SPD emëron Olaf Scholz kandidat për kancelar
10 Gusht 2020Partia Socialdemokrate Gjermane, SPD emëroi kandidatin që ajo do ta nisë në garën për kancelar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Gjermani në vitin 2021; ministrin aktual të Financave, Olaf Scholz. „Ne e dimë, se për disa ky vendim është një kthesë e papritur", deklaroi dyshja drejtuese socialdemokrate, Saskia Esken dhe Norbert Walter-Borjans. „Ne ju lutemi për besim në rrugën tonë, dhe jemi të vendosur që këtë rrugë ta kalojmë së bashku."
Fillimisht kundërshtarë, pastaj aleatë
Esken dhe Walter-Borjans prej kohësh konsideroheshin si kundërshtarë të Scholzit. Vitin e kaluar ata ia dolën të fitonin në zgjedhjet për postin drejtues të partisë kundrejt Olaf Scholzit. Prej atëherë ka pasur „një bashkëpunim të ngushtë" dhe me besim kanë deklaruar dy socialdemokratët. Ata e vlerësojnë Olaf Scholz, që nga marrja e detyrës drejtuese të partisë si „një partner të besueshëm dhe të orientuar nga puna në ekip, i cili mund dhe do të luftojë për një politikë socialdemokrate për këtë vend dhe që ndan me ne vizionin për një shoqëri më të drejtë."
I dashur në popull
Në popullin gjerman, Olaf Scholz renditet mes politikanëve më të preferuar, sipas sondazheve. Në kohën e pandemisë së Coronës shumë gjermanë vlerësuan masat e tij të vendosura kundër krizës së Coronës dhe përgatitjes së paketave miliardëshe të ndihmës si ministër Financash. Brenda SPD-së, është krahu i majtë që ka më shumë probleme me Olaf Scholz. Së fundmi disa anëtarë të grupit parlamentar socialdemokrat u shprehën hapur për ministrin Scholz si kandidat për kancelar.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, po socialdemokrat e uroi Olaf Scholz në twitter duke shkruar: „Për një kandidaturë me vrull dhe një kancelar socialdemokrat në Gjermani: Ne qëndrojmë pas teje, Olaf Scholz! Sekretari i Përgjithshëm i SPD; Lars Klingbeil bëri fjalë për një ekip të fortë të përbërë nga partia, grupet parlamentare, qeveria dhe kandidati.
62 vjeçari Scholz është nga marsi 2018 zëvendëskancelar gjerman dhe ministër i Financave. Zgjedhjet parlamentare në Gjermani zhvillohen në vjeshtë 2021. Në sondazhe SPD-ja renditet partia e tretë pas Unionit CDU/CSU dhe Të Gjelbërve. Unioni arriti në një sondazh të ARD-së të së dielës 38% të votave, kurse Të Gjelbrit 18%. SPD vetem 15%.
la/se/sti (dpa, afp, rtr)