1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170511 Obama Nahost

19 Maj 2011

Në Uashington këtë javë gjithçka ka të bëjë me Lindjen e Mesme të enjten presidenti i SHBA mban një fjalim të rëndësishëm për politikën ndaj Lindjes së Mesme e të Afërt.

https://p.dw.com/p/11IvK
Presidenti amerikan Barack ObamaFotografi: dapd

Shkruesit e fjalimeve të presidentit të SHBA bëjnë aktualisht shumë orë pune shtesë, thotë moderatorja e radiostacionit që dëgjohet në të gjithë vendin NPR:

"Shkruesit e panjohur të fjalimeve të tij po stërmundohen për mesazhin që do të përcjellë ai këtë javë."

Sepse Barack Obama ka ndërmend të reagojë këtë javë me një fjalim parimor për kthesat politike në vendet arabe. Herë pas here e pyesin presidentin e SHBA se pse e kërkoi me kaq vendosmëri rrëzimin e autokratit Mubarak, për përballë presidentit sirian Assad, i cili reagon në mënyrë edhe më brutale sillet krahasimisht i përmbajtur:

"Një reagim i konfiguruar i Shtëpisë së Bardhë ndaj ndryshimeve masive në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme dhe të Afërt ende nuk duket."

Këtë e kritikojnë njëzëri mediet kryesore të SHBA. Por para së gjithash, ka edhe shumë vetë në partinë e Obamas që duan të dinë se pse e thekson ai në fakt të drejtën e vetëvendosjes së njerëzve në Libi dhe në Egjipt, por kohët e fundit tregohet shumë i përmbajtur, kur bëhet fjalë për të drejtën e vetëvendosjes së palestinezëve.

"Presidenti Obama ndodhet në presion prej shumë palëve, që të angazhohet sërish më fort për zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit."

Kështu raporton radiostacioni NPR. Aq më tepër që këtë javë, mysafir në Shtëpinë e Bardhë është Mbreti i Jordanisë, Abdullah, si edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili veç kësaj do të flasë edhe para kongresit të SHBA të dominuar nga Republikanët.

"Unë nuk do të heq dorë së angazhuari për një zgjidhje me dy shtete dhe për një bashkëekzistencë paqësore të shteteve Izrael dhe Palestinë."

Kështu u shpreh presidenti i SHBA në ditët e para të ardhjes së tij në post në vitin 2009. Ishte koha kur ai emëroi si ndërmjetësues për Lindjen e Mesme ndërmjetësuesin legjendar të paqes në Irlandën e Veriut, George Mitchell. Por edhe vetë Mitchelli hoqi dorë nga angazhimi në fund:

George Mitchell - i ngarkuari i posaçëm për Lindjen e Mesme ka dhënë dorëheqjen
George Mitchell - i ngarkuari i posaçëm për Lindjen e Mesme ka dhënë dorëheqjenFotografi: AP

"I ngarkuari i posaçëm Mitchell sapo dha dorëheqjen javën e kaluar."

Midis fronteve të ngurtësuara të konfliktit të Lindjes së Mesme, i besuari i Obamas prej muajsh nuk pa më hapësirë veprimi. Bisedimet e imponuara direkte midis presidentit palestinez Mahmud Abas dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu tashmë janë histori e dështuar. Pajtimi i Hamasve radikalë islamikë me Fatahun properëndimor është për kryeministrin izraelit një shkak për të mbajtur një qendrim edhe më të pakompromistë përballë palës palestineze.

Kështu që ish-ambasadori i SHBA në Izrael, Martin Indyk shprehet për Netanjahun:

"Ai nuk mund të ndalojë asgjë - pa ofruar gjë."

Aq më pak vendosmërinë e palestinezëve, për të themeluar një shtet të vetin dhe për të kërkuar në shtator njohjen e tij para OKB-së. Këtë Obama duhet t'ia bëjë të qartë kryeministrit izraelit në bisedën e tyre kokë më kokë në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, thotë Indyk.

Autor: Ralph Sina/Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj