Guardiola traineri i ri i Bajernit të Mynihut
17 Janar 2013Bajerni i Mynihut ka arritur një nga sukseset më të mëdha në historinë e klubit. Kampioni gjerman mundi që të angazhojë spanjollin Pep Guardiola si trainer të ri të ekipit. Guardiola do të zëvendësojë Jupp Heynckes, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Guardiola ka marrë nga Bajerni një kontratë deri në vitin 2016. Heynckes, i cili që nga korriku 2011 është traineri i Bayernit, e kishte njoftuar klubin se nuk do ta zgjasë kontratën e tij, e cila i përfundon këtë verë.
Guardiola, i cili ka mbajtur 47 herë të veshur trikonë e ekipit kombëtar spanjoll dhe si lojtar i klubit sportiv të Barcelonës ka fituar disa tituj, ka qenë deri në verën e vitit 2012 trainer i katalanasve. Me klubin e tij ai fitoi 14 trofe në vetëm katër vjet, ndër ta dy herë Ligën e Kampionëve dhe Kupën e botës. 2009 dhe 2011, ai u shpall trainer botëror. Pas përfundimit të karrierës së tij si lojtar në vitin 2006, në vitin 2007 ai nisi punën si trainer futbolli në ekipin e dytë të Barcelonës. Nën drejtimin e tij, lojtarë të tillë si Lionel Messi, Xavi dhe Andres Iniesta u zhvilluan dhe duke u bërë lojtarë me famë botërore.
Kundër të mëdhenjve
"Ju lumtë, që keni marrë Guardiolën", ishte vlerësimi i presidentit të nderit të Bajernit të Mynihut, Franz Beckenbauer. "Ky angazhim tregon rëndësinë e FC Bayern, i cili barazohet me Real Madrid, apo Manchester United. Guardiola ka qenë sigurisht i mbytur me oferta". Në fakt Guardiola, i cili aktualisht ka marrë një vit pushimi nga profesioni i trainerit dhe jeton në Nju Jork, ka pasur shumë oferta edhe nga klubet angleze Manchester United, Manchester City dhe Chelsea.
Edhe konkurrenca e përgëzoi Bajernin për angazhimin e tij të ri: "Një gjë e mrekullueshme. Bravo bavarezëve që kanë mundur ta angazhojnë atë. Duhet pranuar pa zili", tha drejtori menaxhues i kampionit gjerman Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke. Eshtë gjë e mirë për të gjithë Ligën, sepse gjithë bota sheh se është e mundur, që Gjermania të marrë një trainer i tillë."