Sulmuesit më të mirë të Botërorit në Brazil
Mijëra tifozë në stadiume dhe miliona të tjerë që qëndrojnë para ekraneve të televizorit shpërthejnë në delir kur shënohet gol. Ja cilët janë sulmuesit që mund të emocionojnë më shpesh tifozët!
Cristiano Ronaldo
Sulmuesi i kombëtares portugeze shkon në Brazil pas një sezoni të shkëlqyer me skuadrën e Realit të Madridit. Në këtë sezon të Champions League ai vuri edhe një rekord të ri, duke shënuar 17 gola, njërin prej të cilëve me penallti në finalen e fituar ndaj Atletiko Madrid. Shpresat e Portugalisë janë tek këmbët e tij!
Lionnel Messi
Trofeu i Kupës së Botës është i vetmi që mungon në karrierën e pasur futbollistike të argjentiansit shtatshkurtër. Ylli i Barcelonës nuk ka arritur të shkëlqejë bindshëm me kombëtaren e tij, por këtë vit ka deklaruar se do të bëjë gjithçka për të çuar në Argjentinë trofeun.
Luiz Suarez
Uruguaj këtë vit do të ketë një nga dyshet më të forta të sulmit, të përbërë nga Edinson Cavani dhe Luis Suarez. Ky i fundit këtë sezon është shpallur golashënuesi më i mirë i Premier League me 31 gola, duke barazuar rekordin e Alan Shirer dhe atë të Cristiano Ronaldos. Liverpuli duket se do ta ketë të vështirë ta mbajë në organikën e tij, pasi për Suarez janë duke ardhur oferta të majme.
Edin Dzeko
Bosnje- Hercegovina është surpriza e këtij Botërori, por jo Edin Dzeko. Sulmuesi shtatlartë në dy sezonit e fundit është kthyer në makinë golash jo vetëm për Manchester City-in, që fitoi sezonin e fundit në Premier League, por edhe për kombëtaren e tij. Të gjithë ekspertët janë kuriozë se sa larg do ta çojë ai skuadrën ballkanase.
Radamel Falcao
Radamel Falcao ose Tigri. Ky është pseudonimi i lojtarit të kombëtares kolumbiane, preja e preferuar e të cilit janë portierët e skuadrave kundërshtare. Sulmuesi i Monakos në Francë, nuk luan futboll prej më shumë se tre muajsh për shkak të një dëmtimi. Por stafi mjekësor i Kolumbisë ka deklaruar se ai do të jetë në top- formë kur të fillojnë ndeshjet e Botërorit.
Romelu Lukaku
Romelu Lukaku do të udhëheqë sulmin e skuadrës kombëtare belge. Së bashku me Hazard dhe Januzajn, ata mund të jenë të frikshëm për të gjitha skuadrat kundërshtare. Në 28 ndeshje me skuadrën kombëtare sulmuesi me origjinë kongoleze ka shënuar 8 gola.