1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sydow: Skenës politike shqiptare i nevojiten parti të reja

7 Tetor 2011

Pas miratimit të një rezolute për situatën në Ballkanin Perëndimor nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, hartuesi i raportit dhe kryetar për Çështjet Politike, Björn von Sydow, analizon gjendjen në Ballkan.

https://p.dw.com/p/12o0p
Björn von Sydow
Björn von Sydow, kryetar për Çështjet Politike në Asamblenë e Këshillit të EuropësFotografi: DW

DW: Si do ta përshkruani në përgjithësi situatën politike në Ballkanin Perëndimor? Në bazë të raportimit tuaj mbrëmë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një rezolutë.

Bjőrn von Sydow: Në përgjithësi Ballkani perëndimor po ecën në drejtimin e duhur. Aspektet problematike kanë të bëjnë me Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjë- Hercegovinën. Në Kosovë Këshilli i Europës është i shqetësuar sidomos në pikat e kontrollit në kufi me Serbinë dhe vazhdimin e dhunës, gjë që bllokon progresin e bisedimeve Prishtinë –Beograd, të ndërmjetësuara nga BE. Në Shqipëri skena politike dominohet nga polarizimi partiak, i cili ka zhgënjyer shqiptarët në dekadat e fundit. Zhvillim pozitiv është anëtarësimi i afërt i Kroacisë në BE, stabiliteti politik në përgjithësi i rajonit.

DW
: Le të shkojmë në Shqipëri. Cilat janë atje karakteristikat kryesore të situatës aktuale politike?

Bjőrn von Sydow
: Situata politike shfaqet e ngrirë në pamjen e saj për pothuaj rreth 20 vite. Të dy partitë kryesore politike nuk kanë treguar vullnet politik për të arritur konsensus për çështje thelbësore. Që të dyja partitë kryesore, lidhur me demokracinë e brendshme në parti, kanë ende ndikime nga sistemi i vjetër politik në Shqipëri.

DW: Cilat janë pikëpamjet kryesore që u shprehën mbrëmë për Shqipërinë gjatë debatit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, që përfundoi me miratimin e rezolutës për situatën politike në Ballkanin Perëndimor?

Bjőrn von Sydow
: Ajo që kam theksuar në raportin tim janë dy aspekte pozitive: së pari që rezultatet e zgjedhjeve lokale të 8 majit po pranohen nga popullsia, përfshirë këtu edhe zgjedhjen e Kryebashkiakut të Tiranës; aspekti tjetër është angazhimi i dy partive kryesore dominante për të kryer reformën elektorale. Por në debatin e mbrëmshëm në Asamblenë Parlamentare pati edhe nga ata që u shprehën se nuk janë optimistë para se të shohin realizimin e këtij angazhimi. Nga angazhimet të dyja partitë duhet të kalojnë në veprime konkrete.

DW
: Pse Shqipëria mbetet një vend që ngre shqetësime në institucionet europiane, në rastin konkret në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës? Cilat janë shkaqet?

Bjőrn von Sydow
: Shkaku kryesor është mungesa e konsensusit për çështje bazë, themelore mes dy partive kryesore, gjë që është e domosdoshme në një sistem politik dypartiak. Kjo është shqetësuese. Për Këshillin e Europës, Komisionin Europian dhe institucionet e tjera të BE-së është shumë shqetësues, fenomeni i bojkotit të Parlamentit nga njëra prej partive kryesore.

DW: A ka sinjale në sjelljen politike në Shqipëri, që shkojnë kundër skepticizmit që u shfaq nga disa diskutantë mbrëmë në asamblenë Parlamentare se politikanët shqiptarë janë gati të përqafojnë kulturën politike europiane të dialogut dhe kompromisit?

Bjőrn von Sydow
: Ka sinjale por ende nuk i kemi parë ato të realizohen.

DW: Dhe çfarë prisni të ndodhë që të besoni në seriozitetin e angazhimeve të palëve?
 
Bjőrn von Sydow: Presim që opozita në Parlament të marrë përgjegjësi dhe të bëjë punë. Në rradhë të parë të punojë për reformimin e sistemit elektoral në përputhje të plotë me axhendën e Komisionit të Venecias. 
 
DW: Në një Shqipëri ku për 20 vite kanë dominuar dy parti, që nuk e kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit, çfarë do ta bënte më konkurruese, më të zhdërvjellët skenën e saj politike?
 
Bjőrn von Sydow: Mendoj që sistemi elektoral duhet të mundësojë praninë e më shumë partive politike në Parlament. Atëhere nuk do të ketë një konkurrim të dëmshëm, jo të shëndetshëm, si tani, vetëm mes dy partive. Natyrisht, dy partitë e vjetra politike duhet të reformojnë veten ndërkohë që partitë e reja duhet të promovohen nga sistemi i ri i reformuar, sipas rekomandimeve të shumta të Komisionit të Venecias, duke eliminuar ato rregulla që vijnë nga sistemi i vjetër  autoritarist në Shqipëri.
 
DW:  A keni garanci që rekomandimet e Komisionit të Venecias do të zbatohen apo ato nuk janë te detyrueshme?
 
Bjőrn von Sydow: Nuk ka garanci. Zbatimi i tyre është një domososhmëri nëse Shqipëria është për demokracinë. Mendoj se Shqipëria duhet të marrë parasysh patjetër sugjerimet e këtij Komisioni. Për Bashkimin Europian është jashtëzakonisht e rëndësishme që këshillat dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias të plotësohen. Por… për këtë nuk ka asnjë garanci.

 

Intervistoi: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: Eliana Xhani/Lindita Arapi