1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Të shohësh me zemër" - Regjizorja gjermane Almut Getto me filmin e saj në Tiranë

30 Shtator 2011

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që po zhvillohet në Tiranë, regjizorja gjermane Almut Getto u shfaq me një film jo komercial, por të suksesshëm. Pse e ndjek ajo këtë rrugë plot sfida?

https://p.dw.com/p/12jdg
Almut Getto
Almut GettoFotografi: picture-alliance/dpa

DW: Zonja Getto, ju morët pjesë me filmin tuaj "Pranë teje" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që po zhvillohet në Tiranë. A mund të thoni, ju lutem, cilat janë ato vlera njerëzore dhe sociale që ju, si regjizore dhe bashkë skenariste e kësaj komedie romantike, do të donit të promovonit?

Almut Getto: Jetojmë në një botë që përqëndrohet në anën e jashtme: shpesh gjykojmë thjesht në bazë të asaj që shohim: a është simpatik apo i pashëm? Çfarë rrobash vesh? A duket i pasur? A ka "cene" të dukshme?  Kështu fillon filmi "Pranë teje" të duket sikur është Lina ajo që ka probleme, që është handikape. Por kur filmi vazhdon, publiku sa shkon dhe harron që ajo është e verbër. Kupton që handikapi i saj nuk është asgjë fare krahasuar me atë të Phillip-it. Ai është i dëmtuar emocionalisht që është shumë më keq. Ai është vërtet handicap. Dua të them që e rëndësishme është gjithë sa njeriu ka brenda vetes, brendia e tij nga ku buron humori apo drama. Lina është dikush të cilës i mungon "shikimi" për të gjykuar. Por ajo "sheh" në një mënyrë të ndryshme .. në një mënyrë më të mirë, madje edhe nga ajo që mund të mendoj unë. Lina "sheh" me zemër. Dhe ne duhet herë herë t'ia kujtojmë ketë vetes për të mos gjykuar shpejt e shpejt si një libër nga kopertina e tij.

Reklama e filmit "Pranë teje" në Gjermani
Reklama e filmit "Pranë teje" në Gjermani

DW: A ka ndonjë pikë kthese në jetën tuaj pas së cilës vendosët të mos merreshit më me gazetari, ju keni punuar ndër të tjera edhe për DW, dhe të bëheshit regjizore filmash? A ka dikë në jetën tuaj që ka luajtur një rol vendimar në zgjedhjen tuaj?

Almut Getto: Kam studiuar së pari Shkenca Politike dhe Komunikim. Punën e kam filluar si gazetare. Një ditë shkova në barrakat e Kalkutës për të xhiruar një dokumentar televiziv për organizatën "Mjekët e botës së tretë"(Ärzte für die 3. Welt). Përshtypjen më të fortë ma la era e keqe, e padurueshme, nxehtësia e lagësht dhe zhurma, sikur të flisnin nga çdo çati barrake. Njerëzit që banonin në barrakën, ku xhirova, nuk ishin larguar kurrë prej saj, prandaj nuk e kishin idenë sesi mund të ishte jeta në anën tjetër të lumit. Ata nuk kishin parë kurrë një kamera, që kur xhirova fiksoi pamjen e tyre duke buzëqeshur. Kur u ktheva në Gjermani dhe po redaktoja gjithë sa kisha xhiruar, pata ndjesinë që atje nuk shfaqej ajo që kisha përjetuar: era e keqe nuk ishte atje, e nxehta nuk ndihej, zhurma ishte ulur.. ajo që pamjet tregonin ishin indianët e veshur me rroba shumë ngjyrëshe, që qëndronin në diell, duke i buzëqeshur të lumtur kameras. Ndjeva që  nuk ishte ajo që kisha përjetuar atje dhe papritur u bëra e ndërgjegjshme për limitet, kufizimet e medias. Kështu vendosa të shkoj përsëri në Universitet dhe të studioj produksionin e filmave dokumentarë në Akademinë e Medias dhe Arteve në Këln. Atje shpejt , profesori im Michael Lenz më tha: "Almut, më pëlqejnë dokumentarët e tu, por mendoj që duhet të bësh filma artistikë". Ai më nxiti në këtë drejtim dhe nëse ai nuk do e kishte thënë këtë, nuk do të bëja këtë që po bëj tani. Të isha regjizore filmash artistike as që më kishte shkuar më parë ndër mend. Ndonëse ende më pëlqejnë shumë filmat dokumenatrë, kam mësuar ndërkohë që nganjëherë filmi artistik mund të jetë një mjet më i mirë ose i vetmi për të treguar diçka rreth jetës reale.

DW: Znj. Getto, keni fituar çmimin për regjinë më të mirë në Festivalin e Filmit "Max Ophüls Prize" në Saarbrücken. Çfarë vlerësoni në veten tuaj si regjizore?

Almut Getto DW: Regjia më e mirë ishte për filmin tim të parë "A po peshkoni, apo jo?" që ishte premierë në atë Festival. Edhe filmi "Pranë teje" u shfaq premiere në atë festival dhe fitoi çmimin e publikut, çmim që ne si regjizorë e duam shumë. Çfarë vlerësoj në veten time? Kjo është një pyetje të cilës nuk mund t'i përgjigjem. Në fakt çdo regjizor i jep filmit që bën ndjenjat, shpirtin, personalitetin e tij. Ndërkohë që edhe regjizorët janë individë si gjithë të tjerët. Kështu që secili ka diçka veçanërisht të mirë në vetvete thjesht sepse është ai apo ajo që është. Thuhet që nëse të njëjtin skenar e marrin 10 regjizorë, atëhere si përfundim do të kesh 10 filma të ndryshëm.

"A po peshkoni apo jo"
"A po peshkoni apo jo"Fotografi: presee

DW: Në  filmin "Pranë teje" interpretojnë dy aktorë  të mirënjohur sot në Gjermani, Katharina Schüttler and Bastian Trost. Nga çfarë niseni kur përzgjidhni aktorët?

Almut Getto: Në përgjithësi më pëlqejnë aktorët që janë karaktere dhe kanë autenticitet. Për rolin e Linës po kërkoja sidomos dikë që mund të luante vërtet në violinçel. Çfarë të them: "U çmenda nga gëzimi kur zbulova që Katharina Schüttler luan në violinçel. Ajo është një nga aktoret më të mira që unë njoh dhe jashtëzakonsiht e talentuar. Kur ajo erdhi në grupin e aktorëve dhe interpretoi vajzën e verbër në mënyrë kaq të besueshme sa ishte mahnitëse, atëhere nuk pata as më të voglin dyshim: ajo ishte aktorja e përkryer për rolin e Linës. Për sa i përket Phillip-it më duhej një aktor që te intrpretonte një karakter dhe që publiku ta pëlqejë, pavarësisht se çfarë bën. Më duhej dikush që është i aftë të nxirte në pah butësinë e tij të brendshme, ta bënte që ajo të ndriçonte përmes gjithë injorancës dhe shëmtisësë që ai shfaqte së jashtmi. Kjo është shumë e vështirë për t'u interpretuar dhe Bastian Trost është mahnitës në rolin e Phillip-it. Përsëri e kuptuam në çast: ai ishte i vetmi për këtë rol. Ndonëse Phillip duket i mbyllur, i shëmtuar dhe i pakomunikueshëm pas kësaj dukjeje ka një njeri shumë të mirë por i vetmi person që e kupton këtë, i vetmi që shikon se kush është vërtet Phillip-i është Lina e verbër. Natyrisht, në film të duhet një çift që shkon mirë dhe të dy ishin të përkryer.

DW: Si do ta përshkruanit mjedisin në Gjermani lidhur me mundësitë që i jep një gruaje për t'u rritur si regjizore filmi dhe patur sukses? A është në Gjermani bota e regjisë së filmit e zotëruar nga burrat?

Almut Getto: Besoj se për gratë është më e vështirë, por nuk mendoj as që kjo ndodh vetëm në botën e filmit, as vetëm në Gjermani. Në përgjithësi është më e vështirë për gratë të punojnë në industrira ku dominojnë burrat. Ma do mendja që ajo që të duhet është ta kesh lëkurën e fortë. Është vërtet turp të shohësh sesa i ndryshëm është raporti mes numrit të studenteve femra në degën e filmit që lënë universitetin dhe atyre që më vonë arrijnë ta mbarojnë, të futen dhe të jetojnë me biznesin e filmit. Këto të fundit janë vetëm pak. Por ashtu si thashë nuk ndodh ndryshe edhe në profesione të tjera.

DW: Çfarë mendoni për sfidat që duhet të përballojë sot filmi gjerman? Cilat do të ishin, sipas jush, disa nga zgjidhjet?

Almut Getto: Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm të mos humbasim identitetin tonë kulturor. Ngaqë biznesi i filmit lidhet  (si çdo biznes tjetër) me paratë mund të ndodhë që filma që i interesojnë një pjesë të veçantë të shoqërisë mund të zhduken, në një periudhë kohore afatgjatë. Në Gjermani ne jemi të dominuar shumë nga kinemaja amerikane dhe ngaqë atje shpenzohen shuma jashtëzakonisht të mëdha për reklamën, shumë më tepër sesa shpenzon Gjermania për filmat e saj, atehere kjo ndikon në vendimin e njerëzve se cilin film do të zgjedhin të shohin. Pastaj gjithmonë e më shume njerëzit i marrin filmat nga interneti, në përgjithësi në mënyrë të paligjshme. Për fat të keq këta të fundit nuk kuptojnë se ata po ndihmojnë për të vrarë industrinë vendase të filmit. Sa më i vogël të jetë filmi, aq më shumë ai varet nga i  njerezve që e shohin atë në kinema. Nuk di vërtet nëse ka një zgjidhje kjo situate në Gjermani, por mendoj psh që Franca ka gjetur mënyra të mira për të mbështetur kulturën vendase. Atje fëmijët mësojnë që në moshë të vogël të ndjekin filma në kinema. Gjithashtu në radio transmetohet muzikë franceze. Franca ka kështu më pak probleme lidhur me ruajtjen e identitetit të saj kulturor dhe kjo do të ishte një rrugë e mirë edhe për Gjermaninë .

DW: Çfarë ka së shpejti në axhendën tuaj?

Almut Getto: Tani po punoj me disa skenarë, por ende nuk kam asgjë konkrete. Të shkruash një skenar të mirë kërkon kohë.  Natyrisht, shoh edhe skenarë filmash të përfunduar për të qënë regjizore.

 

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi