Takim i të fuqishmëve: Gjermania dhe Franca nuk do t'i lënë bankat në baltë
10 Tetor 2011Gjermania dhe Franca do të paraqesin deri në fund të muajit një paketë të përgjithshme për zgjidhjen e krizës së borxheve në Eurozonë. Në të bëjnë pjesë rekomandime për mbështetjen e bankave. Kjo u bë e ditur nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy pas një takimi në Berlin të dielën, por nuk u dhanë hollësi të mëtejshme.
Paketa e masave do të prezantohet në samitin e G20 në Kanë të Francës në fillim të nëntorit. Sarkozy theksoi se nuk ka asnjë diferencë me kancelaren gjermane sa i takon ndihmave të planifikuara financiare për institutet e kredisë dhe për obmbrellën e zgjeruar të shpëtimit për euron EFSF.
Gjermania dhe Franca në akord për mënyrat e zgjidhjes së krizës
Kështu ai kundërshtoi spekulimet rreth diferencave në pozicione mes dy qeverive. Pjesë e pozicionit të përbashkët është edhe që Greqia të mbetet edhe më tej anëtare e Eurozonës. Merkel theksoi se të dy vendet janë të vendosura, të bëjnë gjithçka është e nevojshme për të siguruar rikapitalizimin e bankave.
Ne jemi të vendosur të bëjnë gjithçka është e nevojshme për të siguruar rikapitalizimin e bankave tona për të pasur edhe më tej një kreditim të përshtatshëm të ekonomisë, pasi kjo është baza e një zhvillimi të mirë ekonomik. Së dyti, ne bashkëpunojmë ngushtë me Trojkën e cila ndodhet aktualisht në Greqi, dhe presim që ata të na prezantojnë një rezultat, nga i cili të mund të gjejmë një zgjidhje afatgjatë për Greqinë si pjesë e eurozonës.
Opozita gjermane u tregua e zhgënjyer pas takimit: Joachim Poß, zëvendëskryetari i partisë socialdemokrate, tha se "me këtë takim Merkel ka vazhduar për fat të keq serinë e gabimeve dhe dështimeve të këtyre 18 muajve të fundit në menaxhimin e krizës. Ky ishte një sinjal shumë i dobët", tha Poß.
Autor: Ag/Xhani
Redaktoi: Lindita Arapi