Takimi i pranverës i FMN-së dhe Bankës Botërore përkon me 60 vjetorin e krijimit të këtyre institucioneve
22 Prill 2004Pa u lodhur kundërshtarët e Bankës Botërore dhe të FMN-së gjatë ditëve të fundit kanë shpërndarë fletë volante në Uashingtion dhe në mbarë botën. Thirrja e tyre është e hapur dhe e ashpër: "Ndal plackitjes së vendeve në zhvillim! FMN-ja dhe Banka Botërore shtojnë mjerimin! Lërini të qetë vendet në zhvillim!" - Kjo është kritika e ashpër e kundërshtarëve të globalizimit. Pikërisht për këtë arësye edhe këtë vit kundërshtarët do të dalin nëpër barrikada, se cilat janë kërkesat e tyre e sqaron Basev Sen nga qendra për drejtësi globale në Uashington: "Kritika jonë në adresë të politikës së Bankës Botërore përmban katër pika kryesore: së pari: ne kërkojmë më shumë transparencë për projektet. Së dyti: ne kërkojmë që falje 100% dhe pa kushte të borxheve për vendet e varfëra. Së treti: kërkojmë t´u jepet fund pa kushte dhënies së kredive që rrisin varfërinë. Së katërti: kërkojmë që të mos zbatohen më projekete shkatërrimtare për mjedisin sic janë ato për naftën, gazin, miniserat dhe ndërtimin e digave."
Një gjë është e qartë: pozicionet për mënyrën se si duhet luftuar varfëria janë shumë larg njëri-tjetrit. Përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të FMN-së përpiqen që t´i paraqesin projektet e tyre edhe në situata të vështira. Zëdhënësi i shtypit të Bankës Botërore, Xherri Rajs: "Dyshoj nëse shumë prej kritikëve e dinë, që Banka Botërore angazhohet shumë lidhur me mbrojtjen e mjedisit, përkujdesjen shëndetësore, shkollat, për luftën kundër SIDA-s si dhe për faljen e borxheve. Besoj, se këtë nuk e dinë të gjithë. Në rast të kundërt do të kishte më shumë përputhje midis kundërshtarëve dhe atyre që na mbështesin ne, sepse në shumë drejtime ne angazhohemi për të njëjtat qëllime, për të luftuar me efikasitet varfërinë në mbarë botën."
Kundërshtarët e globalizimit kanë halë në sy vecanërisht FMN-në. Më e mira do të ishte që ky institucion të shpërbëhej, thotë Soren Ambrose nga rrjeti i SHBA për drejtësinë globale: "Kritika jonë kryesore kundër FMN-së është që ky institucion ka pushtet të jashtëzakonshëm, por një perspektivë dritëshkurtër sa i përket politikës ekonomike. Qëndrimi dinamik i këtij institucioni ka qenë shkatërrimtar. 25 vjet të reformave strukturore kanë cuar në varfëri. Eshtë e habitshme që vende të caktuara në zhvillim ndëshkohen prej FMN-së, nëse ato nuk mund t´u përmbahen kushteve të këtij institucioni dhe në këtë mënyrë këto vende përjashtohen sërish nga pjesëmarrja në ekonominë botërore."
Në fundjavë kundërshtarët dhe simpatizantët e Bankës Botërore dhe të FMN-së do të kenë mundësi të afrohen me njëri-tjetrin. Vendimtare është që donatorët kryesorë, pra qeveritë e vendeve të grupit G 7, ta përforcojnë dhe ta korrigjojnë politikën e tyre për zhvillimin dhe t´u lejojnë më shumë fleksibilitet, autonomi dhe modele të reja ekonomike vendeve në zhvillim. Vetëm në këtë mënyrë mund të reduktohet varfëria.