Takimi në Ohër për "Shengenin" e ri - pa Kosovën
10 Nëntor 2019Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev së bashku me presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, para kryetarit të Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës Denis Zvizdiq dhe ministres së Ekonomisë të Malit të Zi Dragica Sekuliq, do të prezantojnë deklaratën me një listë të përparësive dhe masave për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal.
Gjatë takimit trepalësh të mbajtur në vigjile të takimit formal nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u konfirmua deklarata me listën e prioriteteve dhe masave për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal. Këto prioritete rrjedhin nga takimi i tyre i mëparshëm i mbajtur në qytetin Novi Sad të Serbisë.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut informojnë se baza e kësaj deklarate është bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si kontribut për qytetarët e shteteve të rajonit në realizimin e qëllimit final, anëtarësimin e plotë në BE.
"Deklarata shpall mundësinë e tregut të hapur dhe qasje në iniciativat e biznesit në të gjithë rajonin, pavarësisht se ku janë vendosur ndërmarrjet, krijimin e vendeve të reja të punës dhe inkurajimin e potencialit të përgjithshëm të rritjes. Kjo iniciativë hap mundësi të mëdha për të rinjtë të lidhen me reputacionin e modelit evropian të zbatimit të standardeve të BE-së, me synim përparimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe transformimin e përgjithshëm demokratik".
Zaev: Do ta shndërrojmë Ballkanin në një rajon prosperiteti
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në profilin e tij në Facebook njoftoi për fillimin e takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër. Zaev mes tjerash thekson se takimi përforcon vlerat evropiane dhe ndihmon ndërtimin e Ballkanit të shekullit 21.
"Filluam takimin me krerët e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit rajonal dhe arritjes së qëllimit tonë të përbashkët- anëtarësimit në BE. Nga Ohri, të gjithë ne dërgojmë një mesazh të qartë se përmes koordinimit dhe aktiviteteve tona të përbashkëta praktikojmë sjellje evropiane – në shtëpi, duke forcuar vlerat evropiane dhe duke ndërtuar Ballkanin e shekullin XXI. Një rajon me stabilitet dhe prosperitet”, shkruan Zaev.
Pas takimit do të vijojë sesioni plenar i liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve midis të cilave Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Këshilli Rajonal për bashkëpunim, Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe Banka Investuese Evropiane. Pas mbledhjeve të punës është paralajmëruar edhe konferencë shtypi e liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Kosovës refuzon pjesëmarrjen
Nga Qeveria maqedonase kanë thënë se për shkak të obligimeve do të mungojë presidenti kosovar Hashim Thaçi, i cili ka marë ftesë për pjesëmarrje në takimin e Ohrit. Por në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi ka bërë të ditur se ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim për shkak të, siç ka thënë, anashkalimit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe mos dërgimit të ftesës për takimin e parë të mbajtur në Novi Sad.
"Vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke theksuar se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. Por Kosova nuk mund të jetë pjesë e një samiti të tillëm në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur", pohon Thaçi.
SHBA mbështet bashkëpunimin rajonal
Nisma për "Mini-Shengenin” ballkanik është përshëndetur nga i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer. Në takimin e Forumit Ekonomik Botëror, Palmer tha se bashkëpunimi i tre vendeve është i shkëlqyeshëm dhe "tregon vendosmërinë e liderëve nga rajoni për të marrë përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e tyre”. Ai është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën.