Takimi tripalësh në Bruksel - pa rezultate konkrete
3 Korrik 2024Pa ndonjë rezultat konkret, pas bisedave rreth shtatë orëshe, përfunduan takimet të martën (02.07.2024) vonë ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogunKosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit fillimisht priti kryenegociatorët ndarazi dhe më pas në një takim trepalësh në përpjekje për të gjetur zgjidhje rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
"Për rreth shtatë orë diskutuam një sërë çështjesh dhe u pajtuam për një numër të hapave të ardhshëm”, shkroi shkurt Lajçak në platformën X.
Bislimi: Serbia insiston vetëm në Asociacionin
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, tha pas takimit se "Serbia ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të marrëveshjes, themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
"Për pjesët tjera ka thënë se mund të diskutojmë pasi të hidhen hapa për zbatimin e kësaj pike. Ndërkaq ne kemi pasur propozime konkrete për secilën pikë dhe kemi theksuar që është shumë e rëndësishme që marrëveshja të pranohet në plotni, ndërsa plani i sekuencimit të jetë gjithëpërfshirës”, tha Besnik Bislimi. Sipas tij, në këtë muaj, me 18 korrik, Kosova dhe Serbia pritet të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të marrëveshjes. Në bazë të këtyre komenteve pastaj ndërmjetësit evropian do të nxjerrin një propozim të ri për zbatim.
Nga ana tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq tha se ai ka këmbëngulur për Asociacionin sepse, sipas tij, është çështja më e rëndësishme për mbijetesën e serbëve dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Petroviq: Asociacioni çështja më e rëndësishme
"Çështja më e rëndësishme është Asociacioni. Kemi biseduar për mënyrën dhe udhërrëfyesin se si të vazhdojmë rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve përmes hapave konkretë. Prandaj është e nevojshme që Prishtina ta pranojë projekt-statutin e hartuar nga BE-ja. Beogradi është i gatshëm të diskutojë për atë statut”, tha Petkoviq.
Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arrit në fillim të vitit 2023, por nuk u zbatua. Mes tjerash, në marrëveshje i kërkohet Kosovës t'i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Për nisjen e zbatimit të saj, javën e shkuar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nuk ndodhi takimi i shumëpritur ndërmjet tyre, por dy liderët takuan ndaras shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe ndërmjetësin e dialogut Mirosllav Lajçak. Këta të fundit thanë se "Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh”. Kryeministri Albin Kurti, ka paraqitur tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e dialogut dhe në një proces më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve. Kushtet e Kurtit që të takojë presidentin serb ishin; formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës, tha Borrell. Sipas tij, "Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti”.