Këshilli i Evropës: Kosova mbetet jashtë agjendës së takimit
17 Maj 2024Ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës takohen sot në Strasburg në sesionin vjetor me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, por çështja e pranimit të Kosovës në këtë mekanizëm nuk është në agjendë. Qeveria e Kosovës nuk e dërgoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të BE-së për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që së fundmi ishte vendosur edhe si kusht për Kosovën për anëtarësimin në këtë organizatë.
Mosmarrëveshje mes Presidencës dhe Ministrisë së Jashtme
Një letër zotimi që Kosova e dërgoi në KiE, ku thuhet se Kosova do ta hartojë deri në fund të muajit maj një draft statut të saj për Asociacionin nuk gjeti mbështetje nga mekanizmat ndërkombëtarë, por as edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se letra e dërguar në KiE nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk ishte koordinuar me të.
Në letrën e Gërvallës, thuhet mes të tjerash se "projekt statuti i frymëzuar në bazë të një propozimi të hartuar nga Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert në janar të vitit 2023, do t'i dërgohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të muajit maj”.
Këshilltari i presidentes Bekim Kupina, thotë se presidentja "nuk e përkrah këtë letër". "Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës. Kjo letër nuk është e tillë”.
Letra e krerëve evropianë
Ma datën 15 maj ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte marrë një letër nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni, të cilët kanë shprehur mbështetje për propozimin e BE-së për Asociacionin, dhe jo vetëm për zotimet e Prishtinës, pa hapa konkretë. "Së pari, projekt statuti i paraqitur nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një "propozim xhentëlmenësh”. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kuadrin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Si i tillë ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale, Asociacioni nuk është në asnjë mënyrë i krahasueshëm me Republikën Serbe”, thuhet në letrën e tre udhëheqësve evropianë. Ne letrën e Macron, Scholz dhe Meloni, nënvizohet qartë se "ekziston rrezik real që pa përparim vendimtar për Asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.
BE nuk e vlerëson dot shpejt propozimin e Kosovës
Bashkimi Evropian ndërkaq, tha të enjten vonë se e ka të pamundur ta vlerësojë tash për tash ndonjë propozim për draft statut për Asociacionin të Qeverisë së Kosovës përderisa nuk është në dijeni për përmbajtjen e tij. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se një draft i tillë duhet të diskutohet edhe me Serbinë dhe me BE si ndërmjetësuese e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. "Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin e dialogut Prishtinë-Beograd. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Peter Stano.
Kosova ka më shumë se një vit që ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Sipas këtij raporti, "Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës”. Por vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me konkretizimin e hapave të parë drejt themelimit të Asociacionit. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin qysh në vitin 2013. Në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës konsideroi se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës.