1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tendencë drejt abstinencës me alkoolin tek rinia gjermane

4 Shtator 2024

Alkooli konsiderohet droga popullore numër një, por të rinjtë po e pinë gjithnjë e më pak. Tendenca përputhet me rekomandimin e ri të Shoqatës Gjermane të Ushqimit, që shikon rrezik edhe tek konsumi i pakët i alkoolit.

https://p.dw.com/p/4jtKh
Të rinjë sot pinë ndryshe - tendenca në rënie e alkoolit
Të rinjë sot pinë ndryshe - tendenca në rënie e alkoolitFotografi: Annette Riedl/dpa/picture alliance

Kur Vlada Mättig takon miqtë në një bar, ajo nuk pi tani asnjë gllënjkë alkool. 38-vjeçarja qëndron "esëll” që nga viti 2017, siç thotë ajo. "Nuk mendoj se të duhet të heqësh dorë nga asgjë. Jeta pa alkool është çliruese dhe e bukur," thotë Mättig, që ka filluar të promovojë një "jetë pa dehjen" dhe punon si mësuese e jogës dhe mentore në Citau, Saksoni. Mättig e ka njohur edhe anën negative të alkoolit: ajo ishte e varur nga alkooli për vite me radhë, ndonjëherë gotën e parë të verës e fillonte që në mëngjes. "Alkooli është një drogë e rrezikshme," tha ajo për Agjencinë Katolike të Lajmeve, KNA. Sot ajo i ndihmon të tjerët të dalin prej saj.

Person duke pirë alkool
Fotografi: Annette Riedl/dpa/picture alliance

Ende i lartë numri i konsumuesve problematikë të alkoolit

Sipas Ministrisë Federale të Shëndetësisë në Gjermani, rreth nëntë milionë gjermanë nga mosha 18 deri në 64 vjeç kanë konsumim problematik të alkoolit. Në të njëjtën kohë, ka kohë që pirja e rregullt e alkoolit tek të rinjtë shënon rënie. Aktualisht është më në modë se asnjëherë më parë moktejl në vend të koktejlit apo porosisë birrave njëra pas tjetrës.

Së fundmi në Mynih u hap edhe lokali i parë i birrës pa alkool. Kurse në Berlin që nga viti 2021 ka një lokal, "Späti" që shet vetëm pije me zero për qind alkool. Edhe në mediat sociale, përdorues të ndryshëm ndajnë përvojat e tyre me abstinencën nën hashtagun "esëll"- "nüchtern", ose "pa alkool" -"alkoholfrei". Shoqata Gjermane për Ushqimin këshillon së fundmi që "të shmangen pijet alkoolike".

Rritet numri i atyre që nuk konsumojnë as edhe një pikë alkool

"Përqindja e atyre që nuk konsumojnë më asgjë po rritet," thotë studiuesi i të rinjve, sociologu Klaus Hurrelmann. Në përgjithësi, alkooli konsumohet më me kujdes. "Tridhjetë vjet më parë ishte krejtësisht normale që zanatçinjtë të sillnin një kuti birre në vendin e punës”, kujton ai. "Sot, në jetën normale të përditshme, ju dëshironi të ruani kontrollin." Sociologu e lidh këtë dëshirë për kontroll dhe "aftësi për t'u përqendruar" me dixhitalizimin në rritje. "Kam nevojë për përqendrim për të qenë zot i vetes."

Për të rinjtë sot, është më e vështirë për të arritur performancën e dëshiruar për shkak të shpërqendrimeve të shumta që ekzsitojnë - vetëm një smartphone mjafton që të shpërqëndrojë. Të rinjtë janë shumë në tension, shpjegon Hurrelmann, duke iu referuar studimeve për të rinjtë në të cilat ai vetë ka punuar. Sidomos që nga Corona, të rinjtë po përjetojnë një rritje të ndjeshme të stresit. Është edhe më e habitshme që këta të rinj nuk po i dalin ballë kësaj me lëndë narkotike, por "me maturi”.

Pas gjithë kësaj qëndron trendi i një mënyrë jetese të ndërgjegjshme për shëndetin që mbështetet edhe nga mediat sociale. "Ka gjithnjë e më shumë këshilla se si të ushqehemi shëndetshëm ose si të shmangni alkoolin", thekson Hurrelmann.

Të rinj festojnë në klub
Të rinj festojnë në klubFotografi: Klaus Rose/picture-alliance

Tendenca në instagram

Edhe Vlada Mättig e konfirmon këtë. Ajo thotë, se nuk kishte qenë në Instagram për më shumë se një vit, por pas riregjistrimit u befasua me trendin e ri. "Ishte shumë e habitshme të shihje se sa njerëz papritmas nuk duan më të pinë alkool dhe sa produkte ka tani”, thekson ajo. Ajo mendon se ka filluar transformimi në shoqëri. Megjithatë, shumë nga klientët e saj, të cilët ajo i mbështet në seancat individuale si mentore ende kanë frikë se nuk do jenë më pjesë e grupit, nëse ndalojnë së piri alkool. Prandaj lëvizja për të jetuar pa alkool është një mbështetje e madhe në këto raste. Mättig vetë sot mund të jetojë pa alkool pa asnjë lloj tundimi, madje edhe mes miqve të saj nuk ka më nga ata që konsumojnë alkool.

Industria e pijeve reagon ndaj tendencës së re

Industria e pijeve i është përgjigjur prej kohësh kërkesës në rritje për pije joalkoolike. Prodhuesit e birrës në Gjermani pothuajse çdo javë sjellin një lloj birrë të re joalkoolike në treg. Holger Eichele, Menaxher i Përgjithshëm i Shoqatës Gjermane të Prodhuesve të Birrës (DBB), flet për një "histori unike suksesi". DBB vlerëson se birrat joalkoolike së shpejti do të përbëjnë dhjetë përqind të tregut gjerman të birrës - aktualisht ai përbën tetë përqind.

Birra pa alkool në raft
Fotografi: Tobias Schwarz/AFP/Getty Images

Me këtë synohet të arrihen edhe grupe krejtësisht të reja të konsumatorëve, d.m.th. konsumatorët që më parë kishin pak ose aspak birrë në frigoriferin e tyre. Edhe vreshtarët tani e kanë zbuluar trendin. Sipas vlerësimeve të industrisë së verës, pjesa e tregut të verërave joalkoolike është vetëm rreth një përqind - por gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen kësaj alternative në raftet e tyre të verës. Sipas Institutit Gjerman të Verës, shitjet e një vere të tillë u rritën me 27 për qind vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë.

Tendencën e konfirmojnë edhe në bare, si për shembull në barin "Little Link" në Këln. Thommy Matzke është aty si barist prej disa vitesh dhe ka vërejtur se "gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, po porosisin koktejle pa alkool. "Little Link” ka katër prej tyre në menu, lokali ofron më shumë se 50 në total. "Sigurisht që ne i fitojmë paratë tona me alkool," thotë Matzke. Ai është i domosdoshëm si bartës i shijes dhe i nxjerr më mirë aromat. Kjo është arsyeja pse bari preferon koktejle me përmbajtje të reduktuar alkooli. Megjithatë një koktejl nuk duhet domosdoshmërisht të përmbajë alkool për të shijuar mirë.

Edhe 40-vjeçari e sheh prirjen drejt pijeve joalkoolike të nxitur kryesisht nga mediat sociale. Që nga pandemia, dalja është zhvendosur edhe në orët e vona të pasdites, thekson ai. "Kjo është edhe arsyeja pse koktejlet me pak ose aspak alkool po luajnë një rol më të madh."

la/kna