GB Wahl Ausgang
7 Maj 2010Rezultati i zgjedhjeve nuk paraqet ndonjë befasi. Për javë të tëra në sondazhe ishte parashikuar krijimi i një situatë pat në parlament. Shumëkush ka shtruar pyetjen pse ishte kaq atraktiv paralajmërimi për një garë të barabartë. Raportet e paqarta parimisht nuk i do askush në kohën e krizave ekonomike. Por, ishte diçka tjetër që i bëri kaq interesante këto zgjedhje: përjashtimi i sistemit dypartiak.
Pas 13 vjet pushteti të laburistëve, zgjedhësit e partisë së kryeministrit Gordon Brown janë lodhur. Kryeministri i padëshiruar i cili këtë post e mori nga Tony Blair, pa fituar asnjë herë në zgjedhje, nuk la në fushatë ndonjë përshtypje shumë të mirë. Por as lideri i konservatorëve David Cameron, nuk fitoi shumicën e votave të britanikëve. Partia e tij ka fituar më shumë vota se në zgjedhjet e vitit 2005 dhe ka dalë partia më e madhe në parlament, por nuk fitoi shumicën absolute. Në vendin e tretë është liberal-demokrati Nick Clegg, i cili solli në fushatë një erë të re. Megjithatë rritja e popullaritetit në kohën e debateve televizive nuk rezultoi me shtimin e numrit të mandateve në parlament dhe kjo për disa shkaqe: së pari, me debate televizive nuk mund të fitohen zgjedhjet në Britani të Madhe. Por shkaku kryesor është sistemi zgjedhor në këtë vend. Një votë për një kandidat i cili nuk fiton, llogaritet si votë e humbur, sepse numri i përgjithshëm i votave të fituara në mbarë vendin nuk luan asnjë rol. Pikërisht këtë duan ta ndryshojnë liberal-demokratët. Por për këtë duhet të ndryshojë status quoja në shumë rrethe zgjedhore.
Edhe pse ata nuk fituan sa është parashikuar, për shkak të situatës pat liberal-demokratët kanë forcuar shumë pozicionet e tyre. Si forca e tretë politike ata mund ta kushtëzojnë futjen e tyre në koalicion me reformën e sistemit zgjedhor. Edhe partitë më të vogla, para së gjithash, skocezët dhe ato nga Uellsi, kanë mundësinë që të negociojnë me partitë e mëdha. Sepse pa mbështetjen e të "vegjëlve" nuk mund të qeverisë asnjëri prej të "mëdhenjve".
Sistemi zgjedhor britanik ishte si një lloj garance e stabilitetit. Koalicionet kanë qenë për britanikët gjithmonë diçka e dyshimtë. Por kohërat po ndryshojnë. Prej vitit 2005 ky vend qeveriset nga një parti e cila kishte shumicën, por në zgjedhje kishte fituar vetëm 35 për qind të votave. Zgjedhësit kanë votuar për ndryshimin e sistemit. Ndërkohë britanikët gjenden para një situate të rëndë. Qeveria e ardhshme duhet të ndërmarrë disa masa të pakëndshme, për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Britania e Madhe nuk ka kohë për debate të stërzgjatura. Ruajtja e status quosë politike do të kishte pasoja të rënda. Britanikët dhe bashkësia ndërkombëtare kanë nevojë për krijimin e një qeverie, që do të ishte e aftë për veprime të shpjeta. Duket se koha pas zgjedhjeve do të jetë po aq interesante sa edhe para zgjedhjeve.
Autor: Irene Quaile
Redaktoi: Aida Cama