Terapi e sjelljes për uljen e peshës pa dieta dhe sport
10 Shkurt 2022Kush lufton për të ulur peshën, e di mirë sa e mundimshme është që të heqësh kilogramët e tepëra: Sporti është rraskapitës dhe dietat shpesh kanë sukses afatshkurtër. Sapo i ke ulur disa kilogram duke mos ngrënë, ato kthehen sërish pas pak kohe. Mbipesha e madhe, pra obeziteti, ndikon mbi cilësinë e jetës dhe shkurton jetëgjatësinë e të prekurve.
Mjekët nga Osijeku, Mario Curkoviq dhe Drazhen Gorjanski janë duke folur për suksesin që kanë pasur në ndihmën që i kanë dhënë 130 personave me mbipeshë, që të ulin dukshëm peshën që kanë.
Këta dy mjekë nuk përdorin ndonjë terapi ose ndonjë dietë, por i trajtojnë pacientët me mënyra të ndryshme, sepse Curkoviq dhe Gorjanski mendojnë se dhjamosja është një sëmundje komplekse, por e shërueshme. Metodën që përdorin mjekët e quajnë "POST”, programin osijekas për uljen e peshës, (Program Osjeckog Smanjivanja Tezine). Ata nuk e kanë pritur as vetë suksesin që ka pasur terapija e mënyrës së sjelljes.
Rrugë komplekse komunikimi të trupit
Psikologjia e njeriut është e vështirë të kuptohet, thekson Goranjski. Dhe meqenëse ajo është komplekse, edhe tek dhjamosja luajnë rol shumë faktorë. Prandaj obeziteti duhet trajtuar si një sëmundje që përfshin shumë disiplina.
"Si shumë sëmundje të tjera edhe dhjamosja ka shumë shkaqe, trajtime, dhe shërime", thotë mjeku. "Në trupin tonë ekziston një sistem i ruajtjes së peshës konstante, sistemi homeostatik. Ai mbështetet tek komunikimi midis sistemit të tretjes dhe qendrave të trurit që janë përgjegjëse për urinë, ngopjen dhe shijimin.”
Pjesa më e madhe e njerëzve hanë normalisht, kur u vjen uri. Dhe hanë atë gjë që u pëlqen, duke mos shtuar në peshë. "Sidoqoftë, me mënyrën e sotme të jetesës, ofrohet një ofertë e madhe ushqimesh të pashëndetshme dhe hahet më shpesh duke shkaktuar dëmtim të komunikimit midis sistemit të tretjes dhe trurit,” thotë Gorjanski.
Vendosja sërish në ekuilibër të këtij komunikimi është synim i terapisë POST. "Nëpërmjet trajnimit të autogjeneve, meditimit, shërimit të sistemit të tretjes dhe agjërimit me raste, ne ripërtërijmë faktikisht si sistemin e tretjes ashtu edhe sistemin homeostatik si dhe komunikimin midis tyre,” thotë mjeku. "Ideja kryesore është që në trupin tonë të rivendosen sërish funktionet normale."
Largimi i miteve të dhjamosjes
Gjatë zhvillimit të terapisë të dy mjekëve u është dashur të merren me shumë mite mbi dhjamosjen, për shembull që pesha mund të ulet me dietë të kombinuar me lëvizje, sipas motos "eat less - move more". Sporti dhe lëvizjet janë të shëndetshme dhe të bëjnë mirë, megjithatë asnjë nga pacientët nuk shpenzon shumë për terapinë. Mjekët nuk i bëjnë pacientët të numërojnë kaloritë apo të mbajnë dieta të forta.
Tek terapia e tyre synimi është më shumë që me kalimin e kohës të çmësohet zakoni i urisë. Terapia e kthen mbrapsht ngacmimin që shkaktohet nga uria, deri sa truri nxitet prej tij vetëm kur trupi ka vërtet nevojë për ushqim, pra kur e merr uria.
"Njeriu mund ta organizojë vetë trajnimin e trupit,” thotë Curkoviq, "synimi ynë është shërimi i trurit dhe jo humbja e kilogramëve". Nëse rregullimi funksionon, atëherë ndodh ulja e kg., pra arrihet suksesi: "Nëse reduktohet marrja e kalorive, atëherë arrihen rezultatet në uljen e peshës.”
Të mësosh të dëgjosh trupin
Programi përmban kurse që zhvillohen një here në javë për gjashtë muaj rresht. Pacientët humbasin gjatë kësaj periudhe 15 deri 20 kilogram. Ndonjë ka arritur madje të ulë 40 kilogram.
Mjekët theksojnë se sasia e kilogramëve të ulura nga dikush nuk është tregues për efektivitetin e metodës së tyre. E rëndësishme është vetëm vendosja e ekuilibrit në komunikimin midis stomakut dhe trurit.
130 pacientët që kanë përdorur terapinë POST, pajtohen me sigurinë që kanë mjekët për vlerat shkencore të metodës së tyre. Të dy mjekët janë duke punuar aktualisht për një studim shkencor.
Krahasime me programe të tjera mbi terapinë e sjelljejes
Në SHBA është krijuar gjatë pandemisë së Coronës një program i ngjashëm terapie, që quhet Trevose Behavior Modification Program (TBMP). Ky program ka pasur rezultate edhe më të mira se sa POST, thonë mjekët kroatë. Megjithatë ky program ka përjashtuar pacientët që nuk kanë pasur humbje të dukshme peshe në gjashtë javët e para të fazës së provës. "Kjo është sikur një kirug të operonte vetëm rastet ku e di që do të ketë sukses,” thotë Curkoviq. "Ne “operojmë” këdo që ka nevojë për ndihmë.”
Gorjanski thotë se TBMP vlerësohet si programi më i suksesshëm në botë për uljen e peshës, por pjesëmarrësit nuk pasqyrojnë mesataren reale të popullsisë. Kurse pjesëmarrësit e POST, janë një grup "krejtësisht demokratik”. Kush e ka arritur moshën madhore dhe do të ulë peshën, është mirëpritur "pavarësisht nga mosha, gjinia ose gjendja fizike.”
Grupi i synuar jo vetëm obezët
Në fakt pjesëmrrësit e POST janë një grup heterogjen. Aty ka njerëz me obezitet ekstrem, me mbipeshë jo të madhe ose me diabet, që duhet të kujdesen për ushqimin. Prandaj të dy mjekët kanë zhvilluar një seri të gjerë mjetesh që mund të përdoren nga pacientët. Pjesëmarrësit marrin pjesë në ato gjëra që u duhen personalisht. "Disave nuk u pëlqen trajnimi autogjen, disave u pëlqen. Ata nuk kanë nevojë të përdorin çdo gjë, sepse mund të zgjedhin çfarë është e përshtatshme për ta,” thotë Curkoviq. "E rëndësishme është që nuk ka kufizime në lidhje me ushqimin."
Ata mund të hanë Kulen, një lloj sallami, që është specialitet nga rajoni i Sllavonisë, ose proshutë të thatë, thotë mjeku. Por: "Ne nuk mund t'u themi njerëzve nga Sllavonia që të mos hanë Kulen!”, thotë Curkoviq.
Ushqimi si ves
Urinë e madhe të dy mjekët e krahasojnë me varësinë që krijohet nga droga: "Ushqimi mund të bëhet ves", thotë Gorjanski. "Por është e komplikuar: Pacientët tanë mësojnë çfarë është vesi dhe si të çlirohen prej tij. Deri tani nuk është parë të krijohet varësi nga lakra, por varësia nga sheqeri është një problem serioz. Një person që është krejt i shëndetshëm dhe fillon të konsumojë sasi të mëdha sheqeri, mund të krijojë një ves si personi që fillon të konsumojë alkool.”
Krah studimit shkencor Curkoviq dhe Gorjanski janë duke punuar edhe për një libër. "Ne kemi dëshmuar, që funksionon. Nuk do ishte mirë të mos i ndajmë me të tjerët këto dije, për të ndimhuar njerëz të tjerë,” thotë Curkoviq.
Por pse nuk janë ende të zakonshme terapitë e sjelljes për të luftuar dhjamosjen? "Askush nuk fiton para me këtë mënyrë të uljes së peshës. Sepse nuk përmban medikamente, që duhen marrë vazhdimisht ose preparate speciale. Askush nuk fiton para me njerëzit që kanë hequr dhjamin,” thotë mjeku.