1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Të njohim më mirë njëri-tjetrin!"

Arben Muka27 Shtator 2013

Nga 27.9. deri në 19.11. zhvillohet në Shqipëri edicioni i shtatë i Tetorit Gjerman me titullin “25 vjet bashkëpunim ekonomik”. "Të njohim më mirë njër-tjetrin është qëllimi i aktiviteteve", thotë ambasadori gjerman.

https://p.dw.com/p/19pFg
Poster për tetorin gjerman në Shqipëri 2013
Fotografi: DW/A. Muka

Aktivitete dhe projekte të përbashkëta gjermano-shqiptare zhvillohen gjatë gjithë vitit, por prej shtatë vitesh është aplikuar formati i ndërtimit të një kalendari intensiv në periudhën e vjeshtës, duke ofruar evente cilësore, jo vetëm në Tiranë por dhe qytete të ndryshme të vendit. Edicioni i shtatë ka për kredo “25 vjet bashkëpunim ekonomik”, si një kujtesë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në projekte konkrete me impakt të drejtpërdrejtë për qytetarët, si në infrastrukturë, kanalizime dhe ujësjellës, energjitikë, turizëm, mbrojtjen e mjedisit, bujqësi, arsimin profesional etj.

Për referenten e kulturës dhe zëdhënësen e ambasadës gjermane, Christiane Wolters, Tetori Gjerman, përbën sfidën e parë të misionit të saj në Shqipëri. Wolters ka vetëm pak javë që ka mbërritur në Shqipëri dhe thotë për DW se çdo edicion i Tetorit Gjerman ka diçka të re për t'i thënë publikut.

Të plotësojmë shije dhe pasione të ndryshme

Deutscher Oktober Booklets
Fotografi: DW/A. Muka

“Sepse ne gjithmonë kemi pasuruar agjendën me elementë të rinj, për të befasuar, si dhe për të përmbushur dëshira të ndjekësve të aktiviteteve që zhvillohen.”

Ajo përmend një sërë aktivitetesh muzikore, si trioja e muzikës klasike shqiptaro-frencezo-gjermane, e cila do të performojë në Korçë dhe në Tiranë, pjesa “Peteri dhe ujku”, sipas fabulës muzikore të Sergej Prokofjew, që do të luhet në gjermanisht dhe shqip, në Elbasan dhe në Tiranë, ndërkohë që për të dytin vit radhazi vijnë sopranoja Caroline Merz dhe pianisti me origjinë shqiptare Desar Sulejmani, për një kurs interpertimi të romancës vokale gjermane me pjesëmarrjen e studentëve nga Universiteti i Arteve në kryeqytet.

“Premierë për publikun shqiptar është një aktivitet që përmban një konferencë shkencore dhe një ekspozitë fotografish, ku protagonist i saj është albanologu i njohur gjerman prof. dr Wilfried Fiedler. Për herë të parë në Tiranë do të publikohen disa foto të rralla me ngjyra të periudhës së viteve 1956 – 1959, që janë pjesë e arkivit privat të prof. dr Fiedlerit. Veç ekspozitës do të mbahet dhe një konferencë shkencore, e cila do të trajtojë çështje të historisë dhe aktualitetit të albanologjisë”, thotë për DW, Christiane Wolters, referente e kulturës dhe zëdhënëse e ambasadës gjermane në Shqipëri.

Të bashkojmë dhe argëtojmë njerëzit

Ambasadori i Gjermanisë në Republikën e Shqipërisë, Hellmut Hoffmann.
Ambasadori i Gjermanisë në Republikën e Shqipërisë, Hellmut Hoffmann.Fotografi: picture-alliance/dpa

Për ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri Hellmut Hoffmann, qëllimi i aktiviteteve është që të bashkojnë dhe argëtojnë njerëzit. “Tetori Gjerman është shndërruar tanimë në një traditë fikse në Shqipëri dhe është kënaqësi, që edhe këtë vit mundëm së bashku me partnerët tanë të hartonim një program kaq të larmishëm. Me këto aktivitete të shumta ne ftojmë bashkarisht, shqiptarë dhe gjermanë të njohin më mirë njëri-tjetrin”.

Kjo konkretizohet dhe nga oferta për publikun, ku ka projekte që kapërcejnë kufinjtë dhe bashkojnë njerëz nga të dy vendet. Pikërisht kjo ndodh, kur grupi i rrokut berlinez “Samavayo” do të dalë turne në Shqipëri, apo kur Katharina Horn të tematizojë sfida ndërkulturore të bashkëjetesës së një çifti gjermano-shqiptar në shfaqjen e saj teatrale “Extreme Makeover”.

Dirigjenti Desar Sulejmani do të marrë pjesë në aktivitetet e Tetorit Gjerman në Shqipëri
Dirigjenti Desar Sulejmani do të marrë pjesë në aktivitetet e Tetorit Gjerman në ShqipëriFotografi: Desar Sulejmani

Aktiviteti hapës i Tetorit Gjerman 2013 është ekspozita në ambjentet e muzeut historik kombëtar në Tiranë “Elektrifikimi i të përditshmes”, një udhëtim në historinë, aktualitetin dhe perspektivën e sistemit energjitik të Shqipërisë. Autorët Florian Bachmeier dhe etnologu Dr.Eckehard Pistrick, me një fond që nuk është publikuar më parë, përpiqen të japin një tablo se si energjia elektrike iu ka ndryshuar jetën shqiptarëve. Por jo pa qëllim në qendër është sistemi energjitik, një sektor ku Gjermania nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, ka realizuar ose ka në proces shumë projekte mbështetëse.