1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vjedhje sensacionale në Dresden

26 Nëntor 2019

Persona të panjohur kanë plaçkitur një prej thesarëve më të mëdhenj të qytetit të Dresdenit. Ata janë futur të hënën në Kështjellën rezidenciale dhe kanë vjedhur stoli, diamantë dhe gurë me vlerë të jashtëzakonshme.

https://p.dw.com/p/3Tjqw
Deutschland Grünes Gewölbe Dresden
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Kahnert

Një koleksion me vlerë historike në Kështjellën rezidenciale në Dresden ishte në shënjestër të kriminelëve, të cilët vodhën gjëra me vlerë të jashtëzakonshme. Persona të panjohur deri tani kanë vjedhur diamantë, stoli dhe gurë të çmuar. Autoritetet thonë se vlera e tyre është tepër e lartë, por ende nuk është saktësuar se për çfarë vlere është fjala. Mediat gjermane shkruajnë për dëme në vlerë prej miliarda euro.

Einbruch Grünes Gewölbe Dresden
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Kahnert

Vjedhja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, kur persona të panjohur janë futur në Kështjellën rezidenciale. Për të evituar kontrollet elektronike, ata kanë dëmtuar më parë pajisjet për furnizim me energji elektrike, të cilave u kanë futur zjarrin.

Kryeministri i Saksonisë Michael Kretschmer (CDU) tha se "nuk janë plaçkitur vetëm vlerat e shtetit, por i tërë populli saksonas". "Këto vlera janë mbledhur me shekuj të tërë me një mund të madh", tha Kretschmer. Historia e këtij qyteti nuk mund të kuptohet si duhet pa Kupolën e gjelbër ku ka ndodhur vjedhja e koleksionit shtetëror, nënvizoi Kretschmer.

Einbruch Grünes Gewölbe Dresden
Fotografi: picture-alliance/dpa/Grünes Gewölbe/Polizeidirektion Dresden

Kjo godinë historike është ndërtuar në shekullin e 16. Princi i Saksonisë dhe mbreti polak August der Starke kanë ndërtuar në vitin 1723 një hapësirë të posaçme të thesarit. Muzeu është konsideruar si një prej më të mbrojturve, por duket se nuk ka qenë edhe aq i sigurt nga plaçkitja. Policia është duke hetur intensivisht për kapjen e kriminelëve.

bc/pr/jhi (dpa, afpd, epd)