Shqipëri homazhe
21 Janar 2012Me lule dhe fotografi të katër të vrarëve, me pjesëmarrjen dhe të familjarëve dhe të afërmve të tyre, pjesmarrësit kanë ecur nën tingujt e muzikës funebër nga selia e Partisë Socialiste deri në sheshin para selisë së Qeverisë. Qëllimi i këtij marshimi, sipas organizatorëve, ishte kërkesa që organet e drejtësisë të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe autorët që urdhëruan dhe qëlluan mbi protestuesit një vit më parë, ku veç të vrarëve pati dhe dhjetra të tjerë të lënduar, mes tyre dhe nga forcat e rendit.
Kryeministri Sali Berisha dhe drejtues të mazhorancës së djathtë vijojnë ta përshkruajnë këtë ngjarje si një tenativë për grusht shteti, duke fajësuar eksponentë të opozitës si dhe presidentin e Republikës si organizatorë dhe nxitës së akteve të dhunës ndaj institucioneve gjatë protestës antiqeveritare të një viti më parë. Ditët e fundit nga zyrat e FBI-së amerikane kanë mbërritur ekspertizat e disa filmimeve nga kamerat e sigurisë së ndërtesës së Qeverisë, si dhe të provave të tjera që lidhen me ngjarjen, të cilat pritet që të hedhin dritë në mjaft konkluzione të hetimeve që po kryen Prokuroria e Republikës në Shqipëri.
Marshimi i së shtunës u përcoll në distancë nga më shumë se 1100 forca policore të strukturave të rendit dhe të njësive të ndërhyrjes së shpejtë, të dislokuar kryesisht rreth selisë së Qeverisë dhe institucioneve të tjera kryesore. Pas rreth një orë pjesmarrësit në marshim u shpërndanë në mënyrë paqësore. Në mesditë u organizua dhe një veprimtari përkujtimore me rastin e një vjetorit të 21 janarit në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku u prezantua dhe një libër i ri kushtuar kësaj ngjarjeje.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Esat Ahmeti