Tiranë: Opozita vijon protestat, kërkon largimin e Ramës
3 Mars 2023Me sloganin "Shqipërisë do t'i dalim Zot”, të njëjtin në tri protestat e mëparshme antiqeveritare të opozitës, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama, që opozita e quan përgjegjës për korrupsionin, rritjen e ꞔmimeve, varfërinë dhe zbrazjen e vendit nga largimi i rinisë.
Protesta u drejtua nga Sali Berisha, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Partisë Demokratike, forcës më të madhe politike opozitare në Shqipëri.
Pjesëmarrëse në protestë ishte edhe "Partia e Lirisë”, ish-Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) dhe lideri i saj, ish-Presidenti Ilir Meta. Në protestë nuk u përfshi grupi i PD që njihet zyrtarisht si PD dhe drejtohet nga Enkelejd Alibej, kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie.
Protesta përkon në kohë me vendimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë për përcaktimin juridik se cila do të jetë struktura udhëheqëse e Partisë Demokratike: Grupi i Rithemelimit , i drejtuar nga ish-kryeministri Berisha apo grupi që njihet zyrtarisht si PD, i drejtuar nga Enkelejd Alibej.
Nga vendimi i Gjykatës së Apelit varet edhe se cili nga dy grupimet e sipër përmendura do të dalë me siglën e PD në zgjedhjet vendore të radhës, që do të zhvillohen në 14 maj të këtij viti.
Lufta e brendshme në radhët e demokratëve
Dy grupimet rivale në PD kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama por ky synim i përbashkët nuk po i jep fund luftës së brendshme që ka mbërthyer forcën më të madhe opozitare në Shqipëri.
Ajo u ndez që kur Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken, shpalli ish-kryeministrin Berisha, në maj 2021, person "non grata” për "akte korruptive që minuan demokracinë në Shqipëri” gjatë dy mandateve si kryeministër 2005-2013.
Berishës dhe familjes së tij u është ndaluar hyrja në SHBA. Në korrik të vitit të kaluar edhe Britania e Madhe e shpalli Berishën „non grata" për „lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, që kanë paraqitur rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar, për gatishmëri për përdorimin e këtyre lidhjeve për të avancuar ambiciet e tij politike dhe për korrupsion”.
Afera korruptive McGonigal: Rama mohon përfshirjen në të
Protesta e katërt antiqeveritaree opozitës u zhvillua një ditë pas mocionit me debat në Parlament, të enjten, (02.03) të kërkuar nga opozita për të pyetur kryeministrin Rama dhe marrë përgjigje lidhur me pretendimet e saj për implikimin e tij në aferën korruptive të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal që po hetohet në SHBA.
Kryeministri Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës dhe theksoi që ai dhe qeveria e tij nuk janë të implikuar në akt-akuzën e drejtësisë amerikane ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal.
Disa protestues mbajtën gjatë zhvillimit të protestës të premten, (03.03) dy manekinë, të veshur me rroba burgu, që simbolizonin ish-zyrtarin e lartë të FBI, McGonigal dhe kryeministrin Rama.
Ish-kryeministri Berisha i konsideron protestat e deritanishme të opozitës "revolucion paqësor”, qëllimi i të cilit sipas tij është ” përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve” - theksoi në fjalën e tij në protestën e katërt të opozitës.