Tiranë: Përcillet me polemika futja në telefoninë celulare e një operatori të ri
29 Prill 2009Kryeministri Berisha: në përcaktimin e fituesit u pa interesi publik
Në tregun e telefonisë mobile në Shqipërië është gati të hyjë dhe një operator i katërt. Post -Telekomi i Kosovës dhe një grup investitorësh nga Shqipëria pritet të jenë zotëruesit e licensës së re, një proces që është përcjellë me debate të shumta.
Për qeverinë gjithshka ka qënë në përputhje me ligjin dhe ky hap, sipas saj, pritet të sjellë efekte pozitive në treg, me ulje të çmimit të shërbimeve. Për kryeministrin Sali Berisha, në përcaktimin e fituesit u pa interesi publik.
"Interesi publik nuk mund të cënohet në asnjë rast. Dhe ky interes është që licensa t'i jepet atij që ka dhënë shumën më të madhe dhe kushtet më të mira. Dhe kjo është kompania që ka në përbërje Postë -Telekomin e Kosovës. Shikoni çmimin. fituesi është 7 milion, tjetra është 4 ose 5 milion".
Opozita kritikon momentin e futjes në treg të operatorit të ri dhe mungesën e transparencës
Por nga radhët e opozitës ka patur kritika, për mënyrën se si u procedua në këtë privatizim. Veçanërisht dhe për kohën kur ai u realizua, në fund të mandatit të qeverisë. Arben Malaj, deputet i PS dhe ish ministër i ekonomisë paraqet argumentet e këtij kundërshtimi:
"Së pari, në dy muajt e fundit të mandatit asnjë qeveri nuk mund të bëjë privatizim në sektorin strategjik. Së dyti, dështimin e ketij procesi e ka konfirmuar enti rregullator i telekomunikacionit, nje strukturë mbiqeveritare. Dhe së treti , qeveria do të bëjë mirë, që në rast se do të nxisë një sektor, procesi duhet të ritestohej dhe të ishte me transparencë maksimale".
Por përsa i takon kritikave se nuk duhet të ketë privatizime në sektorët strategjikë në prag të fushatës elektorale, kryeministri thotë që ky rregull po zbatohet:
"Kam dhënë urdhër për një gjë të tillë në të gjitha ministritë që të ndërpriten privatizimet. Por rasti i telefonisë mobile është i një periudhe të paktën 2 deri në 3 muaj më parë".
Preçi: konkurenca në treg garantohet edhe me tre operatorë
Për drejtorin e Qendrës Shqiptare për Kërkimet Ekonomike, dr. Zef Preçi, nga gjendja aktuale e tregut të telefonisë mobile, nuk ka qënë e nevojshme ngutja për futjen e një operatori të katërt. Duke folur për Dë-në, Preçi thotë se kryerja e procesit për të siguruar konkurencë nuk është bindëse, po të kemi parasysh që në këtë sektor edhe tre operatorë e garantojnë një gjë të tillë.
"Nëse institucionet përmbushin detyrat e veta, konkurenca garantohet që më operatorin e tretë. Në të gjitha vendet e zhvilluara me institucione normale të tregut konkurenca ka filluar saktësisht pas futjes së të tretit, pasi dy të parat dihet që më shumë bëjnë ndarje të tregut se sa ofrojnë një mjedis konkurues".
Autoritetet duhet të ndërhyjnë për frenimin e çmimeve të larta në telefoninë celulare në Shqipëri
Meqënëse në procesin e licensimit të operatorit të katërt u përdor parlamenti, dr. Zef Preçi mendon se "tashmë ka pak shpresa për rishikim të procedurës". Ndërsa përsa i takon nivelit të çmimeve për shërbimet në tregun e telefonisë mobile, ai thekson se:
"Në çdo vend është qeveria, që cakton për operatorët me fuqi të ndjeshme në treg nivelin e tarifimit. Nëse ka çmime të larta në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, përgjegjësinë duhet ta shikojmë tek autoritetet që nuk respektojnë rregullat dhe detyrimet sipas ligjit".
Në Shqipëri për fat të keq, shton dr. Preçi “është lejuar që operatorët të përdorin çmime disa herë më të larta se vendet e origjinës nga kanë ardhur këto kompani”.
Autor: Arben Muka/ Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi