Tiranë: Opozita në protestë, kërkon dorëheqjen e Ramës
11 Shkurt 2023Një protestë antiqeveritare e organizuar nga Grupi i Rithemelimit i Partisë Demokratike në opozitë, të kryesuar nga ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD, Sali Berisha ka filluar të shtunën në mesditë (11.02) në Bulevardin „Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Protesta nën sloganin "Shqipërisë do t'i dalim zot" mbështetet edhe nga forca politike aleate, „Partia e Lirisë" të kryesuar nga ish-presidenti Ilir Meta. Nga drejtime të ndryshme të kryeqytetit protestuesit nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë u grumbulluan përpara godinës së kryeministrisë, dyert e jashtme të së cilës janë blinduar me veshje metalike. Protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama. Ata mbajtën në fillim të protestës një minutë heshtje për viktimat nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Çështja McGonigal, korrupsioni, papunësia dhe emigrimi i rinisë
Protesta vjen pas pretendimeve të opozitës lidhur me korruptimin nga qeveria e kryeministrit Rama të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, me qëllim që ky i fundit të nxiste hetime nga FBI per financim me para ruse të përpjekjeve lobuese në SHBA të opozitës së Shqipërisë, të kryesuar nga PD. Javën e kaluar, opozita parlamentare kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar marrëdhënien e kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal, për të cilin tanimë në SHBA kanë filluar hetimet ”për përfshirje në afera korruptive dhe veprime që vënë në rrezik sigurinë kombëtare”.
Kryeministri Rama i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës dhe i ka quajtur ato ”abuzim me lirinë e fjalës dhe me të vërtetën”. Protestuesit mbajnë parulla edhe kundër korrupsionit ne nivel të lartë, situatës së veështirë ekonomike në Shqipëri, papunësisë dhe boshatisjes së vendit nga emigrimi i rinisë.
Masa të rrepta sigurie
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë për DW se janë angazhuar rreth 1500 forca policore të ruajtjes së rendit publik, të ndërhyrjes së shpejtë dhe të Gardës së Republikës. Ambasada e SHBA në Tiranë u bëri thirrje në prag të fillimit të protestës shtetasve amerikanë që jetojnë në kryeqytet të qëndrojnë larg protestës pasi "situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme” theksohet në njoftimin e saj.Forcat e ruajtjes së rendit janë të pajisura me maska kundragaz. Një orë pas fillimit të protestws nuk kanë ndodhur eksese.