Tiranë:Protestë për aferën e inceneratorëve, SPAK nën akuza.
13 Shtator 2022Protesta, e para që nga themelimi i PL, ish-Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI), si forcë politike opozitare, synoi denoncimin e aferës korruptive të lidhur me impiantet e menaxhimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, për të cilën, që nga viti i kaluar po zhvillon hetime Struktura e Posaçme Antikorrupsion, (SPAK).
Rezultatet e deritanishme të hetimeve kanë sjellë sekuestrimin e dy inceneratorëve, atij në Elbasan dhe Fier dhe arrestimin e 9 zyrtarëve publikë me akuzën për korrupsion, të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, me akuzën e pastrimit të parave dhe deputetit socialist Alqi Bllako. Ky i fundit me akuzën e falsifikimit të dokumentave, marrjes së ryshfetit dhe dëmtimit të financave publike me një shumë prej 1,5 milion euro. Për inceneratorin e Tiranës SPAK vazhdon hetimet pa arritur ende në arrestimin e askujt.
Para një numri modest protestuesish kryetari i PL, Ilir Meta e cilësoi aferën korruptive të trajtimit të mbetjeve të shkaktuar nga "një organizatë kriminale, të drejtuar nga kryeministri Rama ku pjestarë janë ministra, kryetarë bashkie, drejtorë dhe një rrjet i tërë kompanishë hajdute, të ngritura nga vetë qeveria.”
Për administratorët e kompanive koncesionare, që Meta i quajti ”kompani hajdute”, ka urdhëra ndalimi por ata vazhdojnë të jenë në arrati që nga viti i kaluar.
Afera e inceneratorëve u denonca vitin e kaluar nga LSI sot PL.
Kryetari i PL, ish-presidenti Meta, në fjalën e tij para protestuesve akuzoi SPAK-un për "mosveprom dhe lidhje me pushtetin.”
"Jemi për të treguar me gisht këtë vend krimi që drejtësia dhe SPAK të shohin të vërtetën, të zbatojnë ligjin, të bëjnë detyrën e të çojnë hajdutët rilindas pas hekurave, për krimin e vjedhjes pa fre. Mjaft më me drejtësi me regji”, theksoi Meta.
Sipas tij SPAK dhe qeveria Rama po koordinohen që të blejnë zgjedhjet e ardhshme lokale."SPAK të zbatojë ligjin dhe të bëjë detyrën. Të çojë hajdutët dhe rilindasit pas hekurav”, tha Meta, që e cilësoi aferën e inceneratorëve "monumentin e korrupsionit.” Protesta në vend-ndodhjen e inceneratorit të Tiranës e organizuar nga PL hap stinën e protestave të vjeshtës, të paralajmëruara nga opozita.