1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Media

Trump vepron kundër mediave "fake" me një ide të re

25 Tetor 2019

Mediat kritike kanë qenë halë në sy për Trump. Ideja e tij e fundit: Institucionet federale amerikane do të detyrohen të përfundojnë abonime të caktuara. Të prekura nga kjo masë janë "New York Times" e "Washington Post".

https://p.dw.com/p/3RuKW
Ausgaben der New York Times
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Spata

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka cilësuar si "New York Times",  edhe "Washington Post" si "armiq të popullit". Tani Shtëpia e Bardhë dëshiron që institucionet federale amerikane të mos i marrin më përmes abonimit gazeta të tilla. "Moszgjatja e abonimit të këtyre institucioneve federale do të thotë një kursim kostoje për taksapaguesin, qindra mijëra dollarë," bëri të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham.

Në komunikatën për shtyp nuk bëhet e qartë, se si do ta zbatojnë këtë konkretisht institucionet amerikane. "Wall Street Journal" raportoi në bazë të informatave nga qarqe qeveritare, se Shtëpia e Bardhë po përgatit një urdhëresë për autoritetet federale, sipas të cilës nuk do të zgjatet më abonimi për dy gazetat e njohura amerikane. Sipas agjencisë, AFP, Shtëpia e Bardhë i ka anuluar ndërkohë abonimet e saj.

Symbolbild: Trump und die Medien
Trump flet me një gazetar të CNN, 7.11.2018Fotografi: picture-alliance/AP/E. Vucci

Kritikët: Përhapësi më i madh i lajmeve "fake", vetë Donald Trump

Mediat që raportojnë në mënyrë kritike për të, "New York Times", "Washington Post" e të tjera, Trump i akuzon se e trajtojnë atë "në mënyrë të tmerrshme", dhe se përhapin "lajme të rreme". Por kritikët e fajësojnë Trump, se ai vetë është përhapësi më i madh i "lajmeve të rreme". Sipas verifikuesve të fakteve në "Washington Post", Trump në afër 1000 ditët e qeverisjes ka bërë 13.435 pohime të gabuara apo çorientuese. Trump i tha televizionit të preferuar prej tij, Fox News, se "New York Times" është "një gazetë fake", që ai nuk e do më në Shtëpinë e Bardhë. Të dyja gazetat gëzojnë një prestigj të madh ndërkombëtar.

 

 

 

la/qu/nob/(dpa, afp, ap)