1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turizëm për seks: Kur ndërgjegja shkon me pushime

21 Gusht 2022

Shumë turistë kërkojnë aventura seksuale dhe janë të gatshëm të paguajnë për to. Viktima të kësaj bëhen edhe minorenet. Shumë destinacione turistike i druhen konfrontimit me këtë temë.

https://p.dw.com/p/4FcpU
Niederlande | Rotlichtviertel in Amsterdam
AmsterdamFotografi: Robin Utrecht/picture alliance

Kur bëhet natë, Playa de Palma zgjohet dhe jeta e natës në zonën më të rëndësishme të pushimeve të Majorkës gjallërohet. Gra, që vijnë kryesisht nga Nigeria ofrojnë shërbimet e tyre vetëm njëqind metra larg plazhit, larg syrit të publikut. Klientët e tyre janë vetëm pushuesit. "Turistët e rrisin shumë kërkesën për seks që shitet e blihet në Majorkë”, thotë Rocío López nga organizata humanitare Médicos del Mundo, e cila prej vitesh merret me çështjet e prostitucionit në ishull. Kështu shifrat rriten në muajt e verës me 50 përqind. 

Lagjet me drita të kuqe kthehen në pika turistike

Ekspertët theksojnë se turizmi i seksit është një dukuri me shumë plane, që ekziston praktikisht në të githa vendet e botës, pavarësisht nëse bëhet fjalë për pushuesit e Majorkës, për shoferët e destinacioneve të largëta në SHBA, për udhëtarët e biznesit në Berlin, Manila dhe Rio de Zhaneiro ose për turistët e anijeve në Republikën Domenikane. Fenomeni përfshin edhe europianët që kërkojnë një të dashur në plazhet e Mombasës. "Erotika dhe aventurat seksuale janë vërtet motive udhëtimesh", thotë Antje Monshausen nga qendra eksperte Tourism Watch e organizatës Bukë për Botën, Brot für die Welt. "Jo më kot, lagjet me drita të kuqe, si për shembull ajo e Amsterdamit, kthehen në vende turistike". Vetëm në Spanjë, prostitucioni është një biznes që sjell miliarda, në gjithë vendin dhjetëra mijëra gra punojnë si prostituta. Sa janë vërtet nuk e di askush, sepse kemi të bëjmë me një aktivitet që nuk rregullohet me ligj. Sipas organizatës humanitare, APRAMP, në asnjë vend europian nuk përfitohet kaq shumë nga shërbimet e prostitucionit sa në Spanjë, në rang botëror Spanja ndodhet në vend të tretë, pas Tailandës dhe Puerto Ricos. Turizmi luan një rol jo të vogël për këtë gjë, siç e tregon edhe Majorka. 

"Shfrytëzimi i varësisë nuk është etik”

"Oben ohne Club" auf Mallorca
MajorkaFotografi: Daniel Reinhardt/picture alliance/dpa

"Në udhëtime shpesh normat etike vlejnë më pak,” thotë Monshausen. "Kontrolli social është më i vogël, pihet alkool dhe nuk tregohet shumë kujdes." Shumë vetë duan që kur shkojnë me pushime të dalin nga darat e jetës së përditshme, të jenë pak më të lirë nga konvencionet. "Pikërisht në turizëm kemi të bëjmë me hendek të madh ekonomik midis udhëtarëve dhe popullsisë lokale. Shfrytëzimi i varësisë që krijohet nuk është etik.”

Çfarë formash mund të marrë kjo u pa kur policia e Majorkës zbuloi para ca kohësh aktivitetet e tregtarëve të mishit të bardhë, të cilët kontrollonin jetën e natës në Playa de Palma. Me premtime false, kontrabandistët fusnin në vend gra që detyroheshin të prostituonin për të paguar borxhet prej disa dhjetra mijëra eurosh. Sipas Médicos del Mundo, rreth 95 përqind e gjithë prostitutave në Spanjë janë migrante, që nuk kanë leje qëndrimi, prandaj nuk mund të gjejnë punë të rregullt. "Që këto gra vendosin të lira për të prostituuar është përrallë,” thotë Rocío López. "Sepse sikur të ishte kështu ato do të kishin mundësi të zgjidhnin.”

Pandemia e Koronës rrit rreziqet për fëmijët

Nachtleben im Rotlichtviertel Soi Cowboy, Bangkok
Bangkok, TailandëFotografi: Foto Beck/imageBROKER/picture alliance

Një problem i veçantë është turizmi i seksit, kur shfrytëzohen minorenë, siç ndodh në shumë vende të botës. Sipas Josephine Hamann-it nga organizata në ndihmë të fëmijëve, ECPAT, në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me keqbërës pedofilë. "Ka një numër të madh udhëtarësh që nuk kanë prirje të tilla, që kthehen në anonimitetin e vendit të huaj në keqbërës të rastit", thotë ajo. Hamann mendon, se për shkak të pandemisë së Koronës pritet të ketë shtim të fenomenit. Situata ekonomike e shumë familjeve është keqësuar shumë vitet e fundit. Presioni për të shtuar të ardhurat është në rritje. "Kështu rreziqet për fëmijët rriten,” thotë ajo.

Në sektorin e turizmit vetë sensibilizimi për këtë temë është i madh ndërkohë. "Shfrytëzimi seksual është ende temë aty ku shumë vetë nuk duan të shohin,” thotë Hamann. "Kur kemi të bëjmë me minorenë, shumë vetë nuk duan të merren fare me këtë gjë.” Edhe Antje Monshausen nga Tourism Watch sheh shumë për të bërë. "Asnjë vend, asnjë destinacion turistik nuk do që të merret në mënyrë ofensive me këtë temë,” thotë ajo. Askush nuk do që të rrezikojë duke u stigmatizuar si destinacion për turizmin e seksit.

Nigeria Symbolbild | Sex-Arbeiterinnen in Italien
MilanoFotografi: Ricotti/Fotogramma/ROPI/picture alliance

Klientët e prostitutave mund të gjobiten në të ardhmen në Majorka

Në Majorkë kjo temë nuk diskutohet në publik. Lokalet gjysmë lakuriq dhe lokale të tjera bëjnë në Playa de Palma reklama të shumta dhe të pambuluara për tërhequr klientë. Policia kufizohet vetëm me kontrollin herë pas here të prostitutave që ndodhen në rrugët e jetës së natës. "Mungon krejtësisht puna sqaruese,” thotë Rocío López nga Médicos del Mundo. "Sidomos për pushuesit.” Por së shpejti do të ketë një ndryshim të madh: Qeveria spanjolle ka planifikuar të ndryshojë të drejtën penale, në mënyrë që në të ardhmen kush pranon shërbimet e prostitutave të ketë parasysh edhe gjobat e larta që mund të marrë.