Turqia miraton anëtarësimin e Finlandës në NATO
31 Mars 2023Një shumicë e madhe deputetësh të Parlamentit të Turqisë votuan pro kërkesës së Finlandës për t'u anëtarësuar në NATO. Ky hap pritej pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan dha pas disa muajsh vonesa javën e kaluar miratimin e tij për pranimin e Finlandës. Turqia ishte e fundit nga 30 vendet anëtare të NATO-s që miratoi kërkesën e Finlandës për t'u bashkuar me aleancën ushtarake.
Të hënën (27.03) pranimi i Finlandës në aleancën ushtarake perëndimore ishte ratifikuar edhe nga Hungaria.
Mirënjohje - dhe disa formalitete
Pas votimit në Parlamentin e Turqisë presidenti i Finlandës Sauli Niinistö i falënderoi 30 anëtarët e aleancës për besimin dhe mbështetjen e tyre. "Finlanda tani është gati të anëtarësohet në NATO”, shkroi presidenti finlandez në Twitter. Vendi i tij do të jetë një aleat i fortë dhe i aftë.
Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, falenderoi gjithashtu kolektivisht të gjithë anëtarët e NATO-s. Si presidenti edhe kryeministrja finlandeze shprehën po ashtu mbështetjen e tyre për vendin fqinj të Finlandës, Suedinë, në rrugën e saj drejt NATO-s.
Miratimin nga Ankaraja e përshëndeti edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Tani Filandës i duhet të plotësojë në ditët në vijim disa formalitetete dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, pranimi i Finlandës në NATO mund të vuloset në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s të martën dhe të mërkurën e ardhshme (4-5 prill). Me këtë rast flamuri finlandez do të ngrihet solemnisht para selisë së NATO-s në Bruksel.