1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të krishterët në botën islame

Bettina Marx/Angjelina Verbica19 Prill 2012

Në Orient lindi krishtërimi. Sot të krishterët në botën islame janë të margjinalizuar dhe të rrezikuar nga përndjekja. Një takim në Berlin i organizuar nga fondacioni Friedrich-Ebert është marrë me këtë çështje.

https://p.dw.com/p/14glZ
Fotografi: picture-alliance/landov

Në rastin më të mirë ata tolerohen, por në shumicën e rasteve janë të diskriminuar dhe në rastin më të keq persekutohen: të krishterët në botën islame. Veçanërisht në vendet arabe numri i tyre është duke u pakësuar me një shpejtësi alarmuese.

Për shembull Iraku: Para hyrjes së trupave amerikane në vitin 2003 në Irak jetonin ende 1,5 milion të krishterë. Sot vlerësohet se jetojnë ende  400,000 vetë.

Për shembull Palestina: Në vendin e origjinës së krishtërimit vlerësohet të jetojnë ende 49 000 të krishterë, rreth 1,2 për qind e popullsisë. Rreth gjysma e tyre jetojnë në rrethinat e Betlehemit. Në vetë qytetin e lindjes së Jezusit ka vetëm rreth 6,500 të krishterë.

Mes luftës civile dhe Hizbollah-ut

Edhe në Liban, ku të krishterët para një shekulli përbënin shumicën, ata janë tani, për shkak të emigrimit dhe shkallës së lartë të lindjes së muslimanëve, në minoritetit. Vetëm 30 deri 35 për qind e popullsisë është e krishterë.
Kjo ka të bëjë në rradhë të parë me situatën ekonomike dhe politike që prej fundit të luftës civile, thotë historiani Abdel Raouf Sinno nga Bejruti në takimin e organizuar në Berlin nga fondacioni Friedrich Ebert. Me marrëveshjen e Taif-it, që i dha fund luftës civile në vitin 1989, të krishterët u privuan nga shumë privilegje. Dalja në skenë e Hizbollah-ut, që dominon jetën politike në Liban që nga viti 2006, ka ngjallur tek të krishterët në Liban frikën nga forcimi i fundamentalizmit shiit.
"Shumë të krishterë dhe sunitë ndjehen të kërcënuar nga ideologjia ekstreme e hizbollah-ut", thotë Sinno."Partia e  Zotit" sheh te Ajatollah Ali Khamenei, lideri i Republikës Islamike të Iranit, udhëheqësin fetar dhe politik të botës islame.

Por rreziku nuk vjen vetëm nga shumica e popullsisë shiite të Libanit. Edhe shkallëzimi i situatës në Sirinë fqinje shqetëson komunitetin e krishterë, shpjegon Sinno. "Pas zgjerimit të revolucionit sirian të krishterët druhen se Libani mund të kthehet në një strukturë shtetërore islamike. Ata i frikësohen një koalicioni të sunitëve siriane dhe libanezë, që do të thoshe një margjinalizim i mëtejshëm i pranisë të të krishterëve."

Historiani Abdel Raouf Sinno nga Bejruti
Historiani Abdel Raouf Sinno nga BejrutiFotografi: DW

Të krishterët pa Pranverë Arabe

Jo vetëm në Liban, edhe në shtetet e pranverës arabe shumë të krishterë mendojnë tani të emigrojnë. Sepse në kuadrin e islamizimit në rritje ata nuk shohin të ardhme për veten e tyre në vendet, ku ata e konsiderojnë vetën si banorët më të hershëm. 

Shpresat për një shoqëri pluraliste me të drejta dhe liri, të cilat shoqëruan demonstratat e një viti më parë, janë zhdukur tani, thotë Damian Anba, peshkop i përgjithshëm i të krishterëve koptë në Gjermani. Kisha koptike është komuniteti më i madh i krishterë në Egjipt. Që nga revolucioni janë shtuar sulmet kundër tyre. Por edhe më parë ata thjesht vetëm toleroheshin. "Në kohën e Mubarakut ne nuk kemi patur mbrojtje nga ligji", thotë Damian. "Por me mëshirën e presidentit  ne fituam disa nga të drejtat tona. Sot nuk ke më kujt t'i drejtohesh dhe nuk ka as mëshirë." Përkundrazi shumë koptë, të krishterëve egjiptianë, ndjehen të pambrojtur në vendin e tyre.

Anba Damian, peshkop i përgjithshëm i kishës ortodokse kopte në Gjermani
Anba Damian, peshkop i përgjithshëm i kishës ortodokse kopte në GjermaniFotografi: DW

Vajzat dhe gratë kopte, që lëvizin pa shami, ngacmohen gjithnjë e më shpesh. Kishat e krishtera digjen dhe të krishterët kërcënohen. Peshkopi Damian shpreson, që toleranca, që ai përjeton në Gjermani, të gjejë pasqyrim edhe në botën arabe. Kështu për shembull në qytetet gjermane salafistët mund t'ua shpërndajnë pa u penguar kuranin kalimtarëve. Për të krishterët në botën arabe nuk vlejnë të drejta të tilla.

Bashkësitë para shpërbërjes

Me keqardhje dhe shqetësim vëzhgon profesori Martin Tamcke nga universiteti i Gëttingen-it, zhvillimet në bashkësitë e krishtera të vendeve islame. Ai është ekspert për kishat e Orientit. "Dikur këtu ishte qendra e botës së krishterë", thotë ai. Në këtë botë janë përcaktuar doktrinat themelore të besimit kristian, që karakterizon kulturën evropiane. Por tani shumë bashkësi ndodhen para shpërbërjes. Presidentë, apo kryeministra të krishterë, siç ka patur në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të në Lindjen e Mesme, janë të pakonceptueshëm për një periudhë të papërcaktuar.

Profesori Martin Tamcke nga universiteti i Gëttingen-it
Profesori Martin Tamcke nga universiteti i Gëttingen-itFotografi: DW