Ushtria e Rusisë: Fuqia e mbivlerësuar
29 Shtator 2022Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska bëri gjithçka që mundi për të ruajtur statusin e saj si një superfuqi - duke përfshirë edhe statusin e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bashkimi Sovjetik nuk mund të konkurronte ekonomikisht me shumë vende perëndimore. Por Kremlini e ka justifikuar gjithmonë pretendimin e Moskës si një superfuqi në aspektin ushtarak. Rusia, është thënë me dekada, ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të fuqishme në botë – duke përfshirë edhe armët bërthamore. Presidenti Putin rregullisht i dërgonte botës imazhe të paradave ushtarake me një koreografi të përsosur në Moskë ose përmes manovrave nga forcat e tij të armatosura.
Por sa e fuqishme është vërtet një ushtri nuk demonstrohet me parada në Sheshin e Kuq, por në fushën e betejës? E në fushëbetejë rusët po përjetojnë humbje të mëdha nga një ushtri shumë më e vogël, si ajo e Ukrainës, një ushtri e cila deri para pak vitesh nuk ekzistonte fare. Si mund të ndodhë kjo?
Sa e madhe është ushtria e Putinit?
Sipas Margarete Klein nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin, forcat e armatosura ruse në letër mund të jenë 1 milion, e në të ardhmen pretendojnë të jenë madje deri në 1,1 milion ushtarë. Por madhësia reale është më e vogël, shpjegon ajo për Deutsche Wellen. Një pjesë e madhe e njësive ruse që janë gati për veprim janë vendosur tashmë në Ukrainë. Ato kanë pësuar humbje të rënda, për shkak të vrasjeve dhe plagosjve të ushtarëve”, thotë ajo. Nuk ka shifra të sakta, por shërbimi sekret amerikan CIS beson se Rusia ka pasur deri tani dhjetra mijëra të vdekur dhe të plagosur.
Deri më tani kanë vuajtur më së shumti regjimentet e stacionuara në pjesën aziatike të Rusisë gjatë kohës së paqes, thotë George Barros i Institutit për Studime të Luftës në SHBA. Ideja se Rusia ka rezerva ushtarësh të gatshëm për veprim nuk ka të bëjë fare me realitetin, tha ai për DW. Sipas Barros, rrjedha e deritanishme e luftës tregon se bota e ka mbivlerësuar prej kohësh forcën e ushtrisë ruse.
Margarete Klein shpjegon se Rusia tani duhet të thërrasë rezervistët për të plotësuar boshllëqet që kanë lindur si rezultat i humbjeve. Në fund të fundit, sipas Barros, qëllimi i Putinit në thirrjen e rezervistëve është të mbajë vijën aktuale të frontit dhe jo të fitojë territore të tjera.
Ushtarët pa stërvitje dhe pajisje
Fuqia ushtarake e Rusisë shihet nga vet fakti se kush po mobilizohet aktualisht. "Ka burra që janë mbi moshën 50 vjeç dhe kanë probleme shëndetësore”, thotë eksperti. Shembuj të shumtë në rrjetet sociale i konfirmojnë këto pohime.
Rezervistët duhet të trajnohen dhe të pajisen para se të dërgohen në luftë, thotë Barros. Një pjesë prej tyre do të trajnohen vetëm një ose dy muaj, që nuk mjafton. Por shumë të tjerë dërgohen drejt në front pa asnjë trajnim dhe pa pajisje fare, thotë ai. Ai nuk e beson se me rezervistë të tillë mund të arrihen suksese ushtarake. Ka gjasa të rritet vetëm numri i të vdekurve dhe të plagosurve.
Eksperti rus i sigurisë Pavel Luzin është dakord me këto pohime. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas mendimit të tij, Ukraina do të vazhdojë të luftojë, pavarësisht nga i ashtuquajturi referendum që vasalët e Putinit mbajtën në lindje të Ukrainës. Për më tepër, Luzin mendon se industria ruse e armatimeve nuk është në gjendje të sigurojë furnizime në afat të shkurtër - sigurisht jo për rezervistët e thirrur aktualisht. Ndërsa Margarete Klein mendon se ka ende armë dhe predha të vjetra nga epoka sovjetike që ruhen në Rusi.
Por edhe këtu nuk është e sigurt nëse një pjesë e madhe e këtyre armëve nuk janë rishitur për shkak të korrupsionit apo nëse këto materiale mund të përdoren në luftë. Sipas Klein, industrisë ruse i mungojnë çipat për armë me precizion të lartë dhe pjesë të tjera rezervë. Por Rusia ka avantazhin që ka më shumë njerëz në dispozicion dhe kështu mund të dërgojë gjithnjë e më shumë rezervistë në luftë në planin afatgjatë, thotë për DW, Ted Galen Carpenter nga Instituti CATO në Uashington.
Shumë komponentë nevojiten për të qenë të suksesshëm në luftë, thotë George Barros. Ushtarë, armë moderne, stërvitje e mirë, udhëheqje, motivim, logjistikë, janë vetëm disa prej tyre. Thjesht dërgimi i më shumë burrave në front nuk do ta zgjidhë problemin që kanë rusët. Forcat ukrainase do të vazhdojnë të përparojnë. "Ofensiva juaj nuk ka mbaruar", thotë Barros.
Rusët, nga ana tjetër, aktualisht janë të lumtur nëse mund të mbajnë pozicionet e tanishme. Në të kaluarën, forcat ruse ishin qartësisht superiore ndaj atyre të Ukrainës, edhe për sa i përket cilësisë së armëve dhe numrit të ushtarëve. Por udhëheqja ushtarake e Moskës nuk ishte në gjendje ta përdorte këtë epërsi për të arritur qëllimet strategjike në luftë, analizon ai.
Përdorimi i armëve bërthamore ka për synim frikësimin e Perëndimit
Kjo nuk mund të arrihet madje as me mercenarë të stërvitur dhe të pajisur mirë, si grupi i ashtuquajtur Wagner. Numri i tyre para luftës ishte rreth 8000-9000 luftëtarë. Por ato nuk do të përdoren vetëm në Ukrainë, sipas Barros. Në Ukrainën lindore ata luftuan si ushtarë të thjeshtë këmbësorie. Barros nuk mendon se ato do të ndikojnë dukshëm në rrjedhën e luftës.
Ekspertët pajtohen se Rusia me kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore synon të frikësojë Perëndimin. "Ky kërcënim nuk është i ri", thotë Margarete Klein nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë. Qëllimi është të minojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Përdorimi i armëve bërthamore nuk ka asnjë efekt ushtarak. Misioni mund të ketë kuptim vetëm politikisht; për shembull kur regjimi në Moskë përballet me një disfatë ushtarake. Por Margarete Klein e konsideron përdorimin e armëve bërthamore si të pamundur. Kjo do të thoshte se Putini do të humbiste mbështetjen nga Kina apo India. Nga ana tjetër, Ted Galen Carpenter i CATO thotë: "Nëse Putini përballet me zgjedhjen midis përdorimit të armëve bërthamore ose duhet të përgjigjet për krimet e tij në një gjykatë ndërkombëtare, ai do të zgjedhë opsionin bërthamor".
Barros dhe ekspertë të tjerë besojnë se pas referendumeve të rreme që po zhvillohen aktualisht, Putin do të aneksojë Ukrainën lindore dhe jugore. Pas kësaj ai mund të përdorte edhe rekrutët dhe trupat e Ministrisë së Brendshme në këto zona, gjë që aktualisht është e ndaluar për arsye ligjore. "Forcat ruse kanë nevojë për pushim, janë të rraskapitura”, thotë Barros. Ai pret sulme të mëtejshme nga pala ukrainase këtë dimër.
Fundi i shpejtë i luftës në horizont?
Ted Galen Carpenter i CATO-s thotë, se Rusia dëshiron një fund të shpejtë të luftës. Ukraina dhe Perëndimi duhet të tregohen të gatshëm për të negociuar. Margarete Klein dhe George Barros, të cilët nuk besojnë në një përfundim të shpejtë të luftës, i shohin gjërat shumë ndryshe. Putin shpreson se Perëndimi do të heqë dorë nga mbështetja e tij për Ukrainën. Sipas Klein, rezultati i luftës në fakt varet nga kjo mbështetje e vazhdueshme e Ukrainës. Kjo luftë mund të përfundojë realisht vetëm nëse Rusia pëson një disfatë totale, thotë eksperti rus i sigurisë Pavel Luzin.