Ushtria siriane vazhdon sulmet
18 Prill 2012Sipas të dhënave të aktivistëve të opozitës armata siriane ka vazhduar sulmet e saj kundër bastionit të protestave Homs. Siç njoftojnë komitetet lokale, forcat e armatosura bombarduan lagjen e qytetit Gjurat al-Shaja dhe Al-Karabis. Edhe në pjesë të tjera të qytetit janë dëgjuar shpërthime të fuqishme. Ndërkohë ministri i Jashtëm i Sirisë Walid Moallem është takuar në Pekin me homologune tij kinez Yang Jiechi. Rreth këtij takimi nuk është dhënë asnjë hollësi. Kina njëjtë si Rusia refuzon sanksionet e Kombeve të Bashkuara kundër Sirisë.
BE mbështet misionin
Nga ana tjetër e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton i ka siguruar Kombet e Bashkuara për mbështetjen e misionit të vëzhguesëve në Siri. Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare janë të gatshme që të "ofrojnë çdo lloj ndihme", tha Ashton në Parlamentin Evropian në Strasburg. Ajo për këtë i ka bërë një ofertë konkrete të ngarkuarit për Sirinë Kofi Annan dhe sekretarit të Përgjithshëm të OKB- së Ban Ki Moon. Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara nuk kanë njoftuar ende për ndonjë sukses vendimtar në negociatat e tyre me qeverinë siriane por megjithatë kanë arritur të vizitojnë provincën Daara.
Autor: dpa / Esat Ahmeti
Redaktoi: Bahri Cani